E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët e SHPK-së bojkotojnë punën

Shumë nga pjesëtarët serbë të Shërbimit Policor të Kosovës kanë bojkotuar punën e tyre. Rreth 129 është numri i tyre vetëm në rajonin e Gjilanit. Ata kanë deklaruar se nuk duan të marrin urdhra nga shqiptarët, por vetëm nga udhëheqësit ndërkombëtarë.
Kjo bëhet në shenjë reagimi ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Rreth 130 pjesëtarë serbë të Shërbimit Policor të Kosovës, në mënyrë të organizuar dhe të veshur me uniformën e policisë kosovare, u mblodhën në një fshat dhe vazhduan punën në një stacion policie të improvizuar. Njëri nga zyrtarët serbë të policisë së Gjilanit, Stojadin Norkoviç, ka deklaruar se nuk dëshirojnë të bashkëpunojnë më tej me institucionet e Kosovës dhe se ata do të punojnë vetëm nën urdhrat e Misionit të Kombeve të Bashkuara. Ndërkaq, krerët e Shërbimit Policor të Kosovës thonë se SHPK-ja do të funksionojë si një institucion i vetëm.
Zëvendëskomisari i policisë, gjeneralmajor Reshat Maliqi, është shprehur se kjo sjellje e pjesëtarëve serbë të Shërbimit Policor të Kosovës është e papranueshme. "Ne kemi një organizatë policore dhe insistojmë që në Kosovë të kemi vetëm një institucion për zbatimin e ligjit dhe ky është Shërbimi Policor i Kosovës”, - tha Maliqi. Sipas tij, SHPK-ja do të përpiqet t’i bindë pjesëtarët serbë që t’i nënshtrohen urdhrave të eprorëve të tyre dhe të respektojnë hierarkinë komanduese.

29 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›