E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush: Parimet e Kosovës nderojnë dinjitetin njerëzor

• Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush, e ka përshëndetur pavarësinë e Kosovës nga Kilimanxharo, ku është organizuar një konferencë për shtyp me gazetarët për këtë çështje."Të dielën, populli i Kosovës deklaroi pavarësinë. Shtetet e Bashkuara e njohën zyrtarisht Kosovën si vend sovran dhe të pavarur. Në deklaratën e pavarësisë, Kosova u angazhua për standardet më të larta të demokracisë, përfshirë lirinë, tolerancën dhe drejtësinë për qytetarët e të gjitha përkatësive etnike. Këto janë parime që nderojnë dinjitetin njerëzor, janë vlera, të cilat Amerika kërkon nga një mik dhe shpejt ne do të vendosim marrëdhënie të plota diplomatike me shtetin e ri të Kosovës. Ne do të punojmë me udhëheqësit e Kosovës për të kryer një kalim të butë dhe paqësor drejt pavarësisë. Amerika mirëpret  angazhimet e Kosovës për të zbatuar plotësisht Planin e Ahtisarit dhe për të pranuar një periudhë mbikëqyrjeje ndërkombëtare. Ne nxisim udhëheqësit e Kosovës të miratojnë me shpejtësi dispozitat e planit Ahtisari, në veçanti ato që synojnë mbrojtjen e të drejtave të bashkësive joshqiptare në Kosovë. Pavarësia e Kosovës është një hap historik për rajonin e Ballkanit. Ajo përbën një mundësi për të ecur përtej konflikteve të së shkuarës dhe drejt një të ardhmeje në liri, stabilitet dhe paqe. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për t'u ofruar të gjitha vendeve të këtij rajoni perspektivën e integrimit në strukturat e bashkësisë euro-atlantike. Në këtë mënyrë, të gjithë popujt e Ballkanit do të jenë në gjendje të shohin mundësinë e një jete më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre", tha Bush në deklaratën e tij. I pyetur nga gazetarët nëse ky është një provokim ndaj Vladimir Putinit dhe të tjerëve që thonë se tërthorazi SHBA po miraton lëvizjet separatiste në botë Presidenti Bush u përgjigj se, "Në fakt, ne kemi punuar ngushtë me rusët ashtu si edhe me evropianët dhe vende të tjera për pavarësinë e Kosovës, sepse ne besojmë se është gjëja më e drejtë për t'u bërë. Ju e dini, ka mosmarrëveshje, por ne besojmë, ashtu si edhe shumë vende të tjera, se historia do të provojë se kjo është lëvizja e duhur për të sjellë paqe në Ballkan. Kjo strategji ka kohë që zhvillohet. Dje, për shembull, ne patëm - ne punuam me aleatët tanë evropianë për të bashkërenduar, për t'u siguruar se kishte zëra të bashkërenduar dhe konstantë në mbështetje të kësaj lëvizjeje. Shtetet e Bashkuara mbështesin këtë lëvizje sepse ajo do të sjellë paqe. Dhe tani na takon të gjithë neve të punojmë së bashku për të ndihmuar Kosovarët ta arrijnë këtë paqe. Eshtë e rëndësishme për të gjithë ne t'i kujtojmë Kosovës, gjë që unë sapo e bëra, që ata duhet të përmbushin angazhimet e tyre për të përkrahur të drejtat e jo-shqiptarëve, jo-kosovarëve brenda vendit", tha Bush. Presidenti amerikan shtoi se "ajo që mund të jeni të interesuar të dini është se ne kemi qenë në konsultim të ngushtë me rusët gjatë gjithë kohës. Kjo nuk ishte një surprizë për Rusinë. Dhe, ta dini, deklarata e sotme thjesht i vendos një pikëçuditje serisë së deklaratave që janë bërë në 24 orët e fundit. Faleminderit shumë!", përfundoi Presidenti Bush.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›