E Shtunë, 31 Tetor 2026

Solana premton: Jemi miq të mirë të Kosovës

• Shefi i diplomacisë së BE-së, Havier Solana, vizitoi dje Prishtinën për të përcjellë përkushtimin e Unionit për të ndihmuar zhvillimin e Kosovës në të ardhmen.Ai siguroi se BE-ja ka qëndrim unik për Kosovën, por iu takon vendeve në mënyrë të veçuar sipas procedurave të brendshme që të njohin realitetin e ri në Kosovë. "Gëzimi i parë nëpër rrugët e Kosovës, duhet të transformohet në energji konstruktive dhe pozitive për të shtyrë përpara zhvillimin politik, ekonomik të shoqërisë. Jam i bindur se përkushtimet e marra përsipër nga udhëheqësit rreth zhvillimeve politike apo mbrojtjes së pakicave, do të realizohen. Kjo do të jetë shumë e rëndësishme për të ardhmen", tha Solana. Sipas kreut të BE-së, misioni i BE-së do të veprojë në gjithë territorin e Kosovës. Vizita e Solanës në Prishtinë ndodhi vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë. Lideri i BE-së u takua me Presidentin Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi. "Ne jemi miq të mirë të Kosovës. Kosova është mike e mirë e BE-së dhe ne kemi thënë dje se perspektiva evropiane e rajonit është e hapur dhe do të vazhdojë bashkëpunimi", tha Solana. Ai shtoi se Kosova duhet të ecë përpara në zhvillimin ekonomik dhe të mbrojë pakicat. "Ne do të jemi në terren me misionin evropian, duke ndihmuar Kosovën ekonomikisht", siguroi ai, duke shtuar se misioni civil evropian do t'u bindet obligimeve të veta. Solana është diplomati i parë perëndimor që viziton Kosovën që nga shpallja e pavarësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›