E Diel, 1 Nëntor 2026

Bush: Për 45 ditë, Korea e Veriut jashtë vendeve 'pro' terrorizmit

Pas një vonese të gjatë, Korea e Veriut i ka dorëzuar Kinës një deklaratë për programin e saj bërthamor. Në këtë dokument jepen hollësi për disa nga impiantet e saj bërthamore.

Kjo ishte pjesë e marrëveshjes së arritur në bisedimeve gjashtëpalëshe ku, përveç këtyre dy vendeve, bëjnë pjesë dhe Shtetet e Bashkuara, Japonia, Rusia dhe Korea e Jugut.

Presidenti Bush e mirëpriti këtë hap të Koresë së Veriut, ndonëse tha se procesi i verifikimit ishte thelbësor. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të hiqnin disa sanksione ndaj Koresë së Veriut.

"Bisedimet gjashtëpalëshe bazohen në parimin që çdo hap që hidhet, pasohet nga hapa të tjerë. Prandaj, në përputhje me marrëveshjet që kanë dalë nga bisedimet gjashtëpalëshe, Shtetet e Bashkuara do të reagojnë ndaj veprimeve të fundit të Koresë së Veriut me dy hapa të vetët, duke filluar me heqjen e Koresë së Veriut nga ligji i tregtisë me vendet që konsiderohen armike. Unë do ta njoftoj gjithashtu Kongresin se brenda 45 ditësh do ta heq Korenë e Veriut nga lista e vendeve që mbështesin terrorizmin. Kjo periudhë 45 ditore do të jetë e rëndësishme për Korenë e Veriut që ajo të tregojë seriozitetin e saj në këtë bashkëpunim", tha presidenti Bush.

Kjo është cilësuar si një arritje e madhe për Korenë e Veriut, e cila dikur konsiderohej si pjesë e aksit të së keqes.

Vendimi i koreanoveriorëve për të dorëzuar këtë dokument, do të thotë që bisedimet gjashtëpalëshe, të cilat muajt e fundit kishin mbetur në vendnumëro, pritet të rifillojnë shumë shpejt.

Marrëdhëniet me regjimin e Koresë së Veriut nuk kanë qenë dhe nuk kanë për të qenë të lehta.

Ka shumë dyshime për ritmet me të cilat Pheniani do të ecë në këtë proces dhe ende nuk dihet se cili do të jetë finishi i kësaj maratone bisedimesh.

Në bisedimet e deritanishme nuk janë shtruar disa çështje shumë delikate, siç është dorëzimi i arsenalit të vogël me mbushje bërthamore, që Korea e Veriut dyshohet se e ka krijuar ndër vite.

Gjithashtu, pyetja shtrohet se cilat aspekte nuk janë përfshirë në deklaratën e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›