Kryeprokurori i Durrësit, dyshime se ka blerë këtë post
Favoriti i Ina Ramës, i shkarkuar nga prokuroria, denoncohet nga një emision televiziv sepse dhjetëfishoi pasurinë e tij për dy muaj
Arian Ndoja, kreu i prokurorisë së Rrethit të Durrësit, ka më se dhjetëfishuar pasurinë e tij, gjatë vetëm dy muajve që ai ka marrë këtë detyrë. Mësohet se para ngjitjes si kryeprokuror, ai punonte si avokat.
Ndërsa nga krahasimi i dy deklarimeve të fundit të prokurorit Arian Madhi, mëson se pasuria e tij, është rritur nga 60 mijë euro, në 742 mijë euro, dyshimet lindi, për atë, pse ky person zgjodhi të lërë punën e avokatit, kur mund të siguronte këto të ardhura të konsiderueshme, që llogariten më se 200 mijë euro në vit. Ndërkohë, nuk mund të përjashtohet edhe dyshimi tjetër, që ky mund ta ketë blerë këtë post.
Janë deklaratat e tij të pasurisë, të publikuara mbrëmë në emisionin “Fiks Fare”, të TV Top Channel, të cilat, ndërsa hedhin dyshimet e mësipërme, zbulojnë hapin galopant të pasurimit të Arian Ndojës.
Sipas deklaratave të pasurisë së kryeprokurorit të Durrësit, Arian Ndoja, mësohet se, në deklaratën e tij të pasurisë, të dorëzuar në 5 mars të këtij viti, ai kishte të regjistruar një pasuri, të tundshme e të patundshme, që arrinte në rreth 742 mijë euro. Kjo deklaratë, mësohet se është bërë vetëm 2 muaj pasi ai kishte marrë detyrën e prokurorit të Rrethit të Durrësit. Në krye të kësaj prokurorie, mësohet se ai kishte hipur jo më larg se data 28 janar e këtij viti.
Pasuria e kryeprokurorit të Durrësit, duke ju referuar vetëdeklarimit të tij, mësohet se është rritur prej më se dhjetëfish, që kur ai ka marrë detyrën e re zyrtare.
Në një tjetër deklaratë pasurie të Arian Ndojës, të dorëzuar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në 3 qershor 2005, mësohet se pasuria e tij nuk shkonte më shumë se 60 mijë euro, nga të cilat, vetëm 20 mijë euro, llogariten CASH, ndërsa pjesa tjetër, janë vlera e një automjeti dhe të ardhurat nga puna e tij si avokat.
Nga investigimi i emisionit televiziv, mësohet se prokurori Arian Nodja nuk ka asnjë dokument që të provojë këtë pasurim të shpejtë.
I njëjti emision investigativ, duke ju referuar burimeve zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, bënte të ditur, se në tatime, Arian Ndoja, ishte regjistruar gjatë kohës që bënte punën e avokatit, si dhe kishte paguar detyrimet financiare vetëm për një periudhë 3-mujore.
Mësohet se Arian Ndoja, ka punuar si avokat për një periudhë rreth 4-vjeçare, që nga viti 2004, vit në të cilin ai u shkarkua si prokuror për abuzime me detyrën.
...