E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekordi - Buxheti i 2009, 5 miliardë dollarë

Buxheti për vitin 2009 parashikohet në shifrat e 5 miliardë dollarëve, duke hyrë në histori si buxheti më i madh vjetor i shtetit shqiptar. Ky buxhet rekord do të përqendrohet në investime madhore publike dhe në infrastrukturë. Planifikohet përfundimi i punimeve në akset Rrugës Durrës-Morinë, Bllatë-Bulqizë dhe Vlorë-Sarandë. Shpresa për një rritje dyshifrore të ekonomisë së vendit

Për realizmin e investimeve të rëndësishme në veprat publike, arsimi, shëndetësia dhe sektorë të tjerë e njëherazi dhe përmbyllja e reformave në sektorët më jetikë të vendit, do të jenë disa nga prioritet e buxhetit të vitit 2009, që shënon shifrat rekord për vendin, 5 miliardë dollarë.
Nën drejtimin e kryeministrit Berisha, u zhvillua dje një mbledhje e përbashkët e qeverisë dhe Komitetit të Planifikimit Strategjik, ku u diskutua mbi projektbuxhetin e shtetit për vitin 2009. Duke prezantuar buxhetin 2009, kryeministri Berisha tha se buxheti, që kap shifrën e rreth 5 miliard dollarëve, përbën buxhetin më të madh në historinë e vendit. Shefi i ekzekutivit vuri në dukje se në buxhetin 2009, janë ruajtur të gjitha linjat programore të qeverisë.
“Ai garanton stabilitetin makroekonomik të vendit dhe rritjen ekonomike që, 6 mujorin e parë të këtij viti, ishte dyshifrore. Natyrisht, rritja vjetore do të dalë përfundimtare në muajt e parë të vitit që vjen”, tha Berisha.
Në këtë drejtim, Berisha, specifikoi drejtimet kryesore të buxhetit për vitin e ardhshëm, duke përmendur se, “ai përqendrohet në investimet e mëdha publike, si në akset e rëndësishme rrugore: Përfundimin e autostradës Durrës-Morinë; Përfundimin e autostradës Bllatë-Bulqizë; Përfundimin e autostradës Korçë-Qafë Plloçë; Përfundimin e punimeve në rrugën Vlorë-Sarandë”.
“Gjithashtu, buxheti përqendrohet në: Shndërrimin në 4 korsi të autostradës Fushë Krujë-Milot; Në fillimin e punimeve për ndërtimin e segmentit të rrugës së Arbrit, Bulqizë-Klos. Sapo të mbarojë projekti, fillon ndërtimi Tiranë, nga Shkalla e Tujanit, drejt Klosit; Në projektimin dhe fillimin sa më të shpejtë të autostradës Plloçë-Qukës që, sipas të dhënave paraprake, është fizibël dhe shumë e nevojshme; Në ndërtimin, në një pjesë të mirë të saj, në një aks të ri të rrugës Krumë-Kukës, e cila shkurton distancën midis këtyre dy rretheve; Në fillimin e punimeve të aksit Kardhiq-Delvinë, nga ana e Delvinës; Në përfundimin e rrugës së Prespës, që lidh aksin kombëtar me liqenin e Prespës; Në segmentin e Valbonës, të Qafë Prushit; Avancimin e punimeve të rrugës Kukës drejt Kalasë së Dodës, të Peshkopisë në drejtim të Kalasë së Dodës; të rrugës Stërblevë në drejtim të Orenjës dhe Peshkopisë”, vijoi më tej Berisha.
“Buxheti përqendrohet edhe në ndërtimin e një seri rrugësh që zbresin drejt detit, nga Bërdica deri në Ksamil, si dhe në segmente të tjera të rëndësishme. Sapo të përfundojë projekti, rruga Bogë-Theth; Sapo të përfundojë projekti, rruga Kukës-Shishtavec; Unazën që lidh Dardhën dhe të gjitha zonat e bukura malore të Korçës; Rrugën që të çon drejt majës së Çajupit dhe një seri rrugësh të tjera”, deklaroi më tej Kryeministri.
Ndërkaq, sipas kreut të qeverisë, në epiqendër të buxhetit të vitit të ardhshëm janë dhe ndërtimin dhe asfaltimi i qindra e qindra kilometrave rrugë rurale. Kryeministri theksoi se buxheti 2009, në masën e madhe të tij, mbetet buxhet i infrastrukturës, ku, përveç akseve të rëndësishme rrugore, përqendrohet edhe në ujësjellës, impiantet e përpunimit të ujërave të zeza, landfilld-et që janë në ndërtim nga Shkodra, në Sarandë, Korçë dhe të gjitha qarqet e vendit.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›