E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush firmos protokollin: Përmbushni zotimet

"Kam besim se Shqipëria dhe Kroacia do të përmbushin zotimin e tyre për të forcuar institucionet demokratike dhe sistemet e tregut të lirë", tha Presidenti i SHBA-ve, Bush pas nënshkrimit të Protokolleve që i hapin rrugë anëtarësimit në NATO 

WASHINGTON-Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, pas nënshkrimit të dokumenteve që i hapin rrugë anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, u bëri të ditur këtyre vendeve se me këtë anëtarësim nuk duhet të përfundojnë reformat. “Kam besim se Shqipëria dhe Kroacia do të përmbushin zotimin e tyre për të forcuar institucionet demokratike dhe sistemet e tregut të lirë. Futja e tyre në NATO është një hap i madh përpara për Ballkanin”, - deklaroi në këtë ceremoni zhvilluar në orët e para të së shtunës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe shefi i NATO-s, Shefer si dhe dy ambasadorët e Shqipërisë dhe të Kroacisë në Uashington. “Ky është një moment i veçantë në historinë shpresëdhënëse të lirive të njeriut, ndërkohë që Amerika zyrtarisht deklaron mbështetjen e saj për futjen e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Me ceremoninë e sotme festojmë mes dy demokracive të reja dhe energjike të cilat po përpiqen të marrin përsipër përgjegjësi të reja në një kohë kur përballemi me terrorizëm dhe luftëra”, - është shprehur Bush.
Më pas Presidenti amerikan kujtoi vizitën e tij që zhvilloi në prillin e 2008 në Shqipëri dhe Kroaci. “Laura dhe unë kemi kujtime shumë të mira nga vizitat tona në Tiranë dhe Zagreb, ku u takuam me njerëz që po i tregonin botës potencialin e lirive njerëzore. Popujt e Shqipërisë dhe Kroacisë kanë kapërcyer luftëra dhe vështirësi, kanë ndërtuar marrëdhënie paqësore me fqinjët dhe kanë ndihmuar demokraci të tjera të reja të ndërtojnë dhe të forcojnë shoqëri të lira”, - është shprehur në fjalën e tij Presidenti amerikan. Më pas, fjalën e mori Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jap de Hup Shefer, i cili vuri në dukje se rrethanat e zgjerimit të ardhshëm të NATO-s mund të jenë shumë të ndryshme nga ato që çuan në themelimin e Aleancës rreth 60 vjet më parë, por premtimi i saj për zgjerimin dhe forcimin e demokracisë, mbetet po aq aktual edhe sot. “Me Shqipërinë dhe Kroacinë, dy vende të reja do të futen në familjen tonë transatlantike. Një Aleancë që filloi me 12 vende, së shpejti do të përfshijë 28. Aleanca jonë Atlantike lindi gjatë Luftës së Ftohtë dhe i ka kapërcyer me kohë rrethanat që e lindën atë. NATO-ja sot është një Aleancë aktive e angazhuar kundër kërcënimeve të çfarëdo lloji. Sot dëshmojmë ratifikimin nga Amerika të protokolleve të pranimit. Jemi tani një hap më pranë përfshirjes së Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO”, - është shprehur Shefer në këtë ceremoni. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nënvizoi rëndësinë që ka zgjerimi i NATO-s me vende të Lindjes, në kuadër të përpjekjeve për qëndrueshmëri dhe paqe në Europë dhe për forcimin e demokracisë në pjesën lindore të kontinentit. “Europa që po përpiqemi të krijojmë duhet të jetë një kontinent ku vendet janë të lira të vendosin të ardhmen e tyre, dhe jo t’ua diktojë këtë të ardhme dikush tjetër”, - tha në fund të fjalës së tij shefi i NATO-s.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›