E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani, kritika të ashpra policisë së Vlorës

Nga Klodiana Lala
Dobjani i ka numëruar një për një ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani dhe kreut të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi të gjitha “mëkatet” e vartësve të tyre në qytetin bregdetar. 

TIRANE-Avokati i Popullit lëshon kritika të ashpra ndaj policisë së Vlorës. Sipas Ermir Dobjanit, blutë e qytetit bregdetar mbajnë në mënyrë të paligjshme persona në ambientet e komisariatit, bëjnë shoqërime jashtë kritereve dhe ushtrojnë dhunë ndaj të pandehurve. Dobjani i ka numëruar një për një ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani dhe kreut të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi të gjitha “mëkatet” e vartësve të tyre në qytetin bregdetar. Në raportin e detajuar të inspektorëve të Njësisë për Parandalimin e Torturës, janë renditur rastet skandaloze të konstatuara në ambientet e komisariatit të policisë së Vlorës. Shkelja më flagrante e efektiva blu është ajo e mbajtjes në qeli të të miturit E.S, nxënës i Shkollës së mesme Tregtare. Sipas Dobjanit, për shoqërimin e të miturit jo vetëm që nuk ishin njoftuar familjarët, por ai ishte vendosur në izolim dhe për këtë veprim policia nuk kishte mbajtur procesverbal. Shqetësim serioz sipas Avokatit të Popullit, përbëjnë dhe kushte skandaloze të ambienteve ku mbahen të izoluar personat e ndaluar apo shoqëruar, si dhe dhuna që punonjësit e policisë ushtrojnë ndaj tyre. Dobjani i rekomandon kreut të dikasterit blu, Nishani dhe Kryepolicit Prençi, të marrin masa të menjëhershme për përmirësimin e situatës alarmante.
Inspektimi
Me 10 tetor të këtij viti, përfaqësues të Njësisë për Parandalimin e Torturës pranë Avokatit te Popullit kryen një inspektim në ambientet e komisariatit të policisë së Vlorës. Inspektorët konstatuan se ambientet ku izolohen të ndaluarit apo shoqëruarit si të dyshuar për vepra të ndryshme penale, nuk plotësojnë standardet minimale për qëndrimin e tyre dhe janë shkaku kryesor për trajtimin e tyre në mënyrë degraduese dhe në cenim të dinjitetit njerëzor. “Këto ambiente kanë hapësira të vogla, lagështirë, janë të palyera, kanë kushte higjienike te papranueshme, nuk kanë karrige dhe krevate”, - thuhet në raportin e firmosur nga Dobjani. Sipas Avokatit të Popullit, në kundërshtim të hapur me ligjin, në ambientet e komisariatit të Vlorës vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtën qeli, të miturit dhe të rriturit të cilët dyshohen për vepra të ndryshme penale. “Këto veprime ishin në kundërshtim flagrant me dispozitat e Ligjit të Policisë së Shtetit dhe demonstronin hapur mungesën e njohurive të efektivave ne zbatimin korrekt te tij. Veprime te tilla te përsëritura konsiderohen nga ana e Avokatit te Popullit, si shkelje e hapur e lirive dhe te drejtave të njeriut për të cilat duhet të nxirren përgjegjësitë konkrete”, shkruhet në raport.
Shkeljet
Duke iu referuar raportit, rezulton se E.T është mbajtur në qeli jashtë afateve, pavarësisht se kishte mbaruar dënimin prej 3 muajsh për dezertim. Një tjetër rast ka të bëjë më ushtarin F.Q, i cili edhe pse ishte dënuar me vendim të formës së prerë, nuk ishte dërguar në qeli, por mbahej në komisariat. Skandali thellohet dhe më tej, pasi është konstatuar se ndaj të izoluarve në qelitë e komisariatit, forcat e policisë ushtrojnë dhunë.
“Në ambientet e ndalimit të Komisariatit të Policisë Vlorë u konstatua dhunë e ushtruar nga komandanti ( mbiemri Arshiu) dhe punonjësit e policisë se grupit të gatshëm me kodin X 1, në dem të shtetasit G. S. I shoqëruari paraqiste dëmtime te dukshme në zonën prapa veshit të majtë, në fytyrë dhe në trup”, - raporton Dobjani. Për këtë rast, menjëherë përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë kërkuar praninë e një prokurori për të marrë kallëzimin penal nga ana e të shoqëruarit si dhe mjekut ligjor, për të kryer ekspertimin e të dëmtuarit nga ushtrimi i dhunës.
Avokati i Popullit kërkon nga ana e drejtuesve të Policisë së Shtetit, që kjo çështje të hetohet dhe të pezullohen nga detyra efektivat për abuzime me detyrën dhe veprime arbitrare.
Duke u gjendur përballë situatës alarmante, Dobjani rekomandon përmirësimin e shpejtë të ambienteve të ndalimit dhe shoqërimit. “Duhet të merren masa urgjente për korrigjimin e praktikave te paligjshme të shoqërimit që aplikohen nga Komisariati i Policisë Vlorë, si dhe nxjerrjes së përgjegjësisë konkrete për dhunën që ushtrohet ndaj shtetasve”, - rekomandon Dobjani.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›