E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush firmos sot hyrjen e Shqipërisë në NATO

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, do të dekretojë sot vendimin e Senatit Amerikan për ratifikimin e protokollit të anëtarësimit në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë.

Në një ceremoni zyrtare, e para e këtij lloji dhe e këtyre përmasave, Presidenti amerikan do të firmosë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Nënshkrimi i Presidentit Bush vjen pas vendimit të rreth një muaji më parë që mori Senati i SHBA-së, i cili ratifikoi me votë unanime Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

E veçanta e kësaj ceremonie ka të bëjë me faktin e organizimit të saj. Një ceremoni e tillë është e para që zhvillohet nga Shtëpia e Bardhë dhe se herë tjetër, nënshkrimi i protokolleve është bërë larg ceremonive zyrtare.

Një zgjedhje e tillë e Presidentit amerikan Xhorxh Bush, veç një akti simbolik, është edhe një vlerësim dhe mbështetje për Kroacinë dhe Shqipërinë, në përgjithësi, por edhe për qeveritë e tyre, në rrugën e anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut Verior edhe me vende të Gadishullit të Ballkanit.

Në ceremoninë e nënshkrimit, mësohet se do të jenë të pranishëm edhe senatorë e kongresmenë amerikanë, anëtarë të Komisionit të Jashtëm të Senatit të SHBA, përfaqësues të trupit diplomatik, miq dhe dashamirës të të dyja vendeve.

Rreth një muaj më parë, Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ratifikoi Protokollin për Anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Ratifikimi i këtij protokolli nga SHBA-të, i hap rrugë procesit të përshpejtuar të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, pas ratifikimit edhe nga vendet anëtare dhe anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë e Kroacisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut.

Shqipëria mori ftesën për anëtarësimin në NATO në Samitin e Bukureshtit më 3 prill 2008. Më 9 gusht të këtij viti, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan në Bruksel Protokollet e Anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Deri tani, parlamentet e Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Rumanisë dhe Senati i SHBA-ve, kanë ratifikuar protokollin e Shqipërisë në NATO.

Nënshkrimi nga të gjitha vendet anëtare pritet të përfundojë para samitit të ardhshëm në pranverë. Në këtë ceremoni, do të jetë i pranishëm edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer.

Në një njoftim për media, theksohet se sekretari Shefer deklaroi se Aleanca e Atlantikut të Veriut vazhdon të mbetet e përkushtuar për vendet të cilat janë aspirante të NATO-s, duke konfirmuar se do të marrë pjesë në ceremoninë në Shtëpinë e Bardhë.

Shefer është i ftuari i posaçëm i Presidentit amerikan Xhorxh Bush për të asistuar edhe ai në këtë ceremoni, e cila mbahet sot në “Kopshtin e Trëndafilave” të Shtëpisë së Bardhë.  
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›