E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Korçë, spektakël për 11 artistët e vitit

"Protagonist 2007" është titulluar spektakli më i madh i këtij viti, që ngjiti në skenën e teatrit "Çajupi" në qytetin e Korçës personalitetet më të spikatura të artit e kulturës korçare. Ishin ata që përbënë edhe paradën më të madhe të spektaklit "Protagonist 2007", ku krahas vlerësimit moral për veprimtarinë e tyre gjatë një periudhe 1-vjeçare brenda kufijve të vendit dhe në aktivitete me karakter ndërkombëtar, u morën nga ana tjetër edhe kupat bashkë me një shumë simbolike, si shpërblim për punën e tyre. Drejtoresha e teatrit "Çajupi" dhe njëherësh organizatorja e këtij spektakli, Zamira Kita, tha se "ka pasur një prurje të madhe në sferën e artit dhe kulturës në qytet si: shfaqje teatrore, variete dhe estrada, aktivitete të ndryshme skenike, ekspozita piktorësh e skulptorësh, koncerte të shumta instrumentale, etj. Nisur nga vlerësimi që vetë artistët i kanë dhënë qytetit të Korçës me punën e tyre cilësore menduam që nëpërmjet një jurie të vlerësojmë më të mirët", tha Kita.

11 artistët fitues në spektaklin e mbrëmshëm

Aktori më i mirë: Petrika Riza

Prezantimi më dinjitoz: Shfaqja "Gosti në kohë kolere",

me regji të Llazi Serbos

Skulptori më i mirë: Vladimir Topi

Piktori më i mirë: Koço Ristani

Këngëtari më i mirë: Zhuljeta Sheremeni (soprano)

Regjisori më i mirë: Guri Koço

Çmimi i karrierës: Jorgaq Nano, "Artist i Merituar"

Artisti më i vlerësuar në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare: Eli Fara

Personaliteti më i spikatur: Pandi Bello (muzikolog)

Instrumentisti më i mirë: Ilo Lulo (flautist)

Instrumentisti më i mirë popullor me karrierë më të gjatë artistike: Agron Hakiu (baterist)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›