E Diel, 1 Nëntor 2026

Bush, me se merret tani ish-presidenti

Sa shpejt zhduken nga skena. Xhorxh Bushi i ngratë vendosi se një vizitë e shpejtë dhe e panjoftuar në një dyqan veglash pune të Dallasit do të ishte një mënyrë e këndshme për t‘i shpëtuar disi apatisë post-presidenciale, si dhe të këmbente dy fjalë me fqinjët e rinj. Por Henri Long, pensionisti që pret njerëzit pranë hyrjes së kësaj qendre tregtare, i cili e takoi me të hyrë brenda, as që e njohu dot. Kjo vjen ndoshta ngaqë zoti Bush duket në jetën e përditshme më i pakët me trup nga sa e tregon televizori. Të paktën kështu mendon Andrea Bond, drejtori i marketingut të "Elliott‘s Hardware", i cili gjendej aty në çastin kur Presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës hyri brenda dhe pyeti zotin Long se ku mund të gjente elektrikët e dorës dhe bateritë. Ose ndoshta ngaqë nuk qe veshur me kostum.

Askush nuk mund ta mohojë që Xhorxh Bush diti të bënte mënjanë, por profili i ulët është diçka të cilën nuk mund t‘ia lejojë vetes. Duhen shitur kujtimet e duhen mbajtur fjalimet, ndërkohë që ka handikapin e largimit nga zyra si Presidenti më pak i aprovuar në historinë moderne. Rishfaqja e "W"-së nisi me kamionët që sillnin orenditë në shtëpinë me katër dhoma gjumi, në zonën e mrekullueshme "Preston Hollou". Shtëpia gjendet në fundin e një rruge dhe zona përreth, e quajtur "Daria Pleis", së shpejti do rrethohet, ndërkohë që hyrja do të pajiset me porta të rënda, shpenzimet e të cilave janë marrë përsipër nga Bushët. Që tani aty gjendet një postbllok policie për të mbajtur larg kureshtarët.

Në banesat përreth lexoheshin disa tabela ku qe shkruar: "Mirë se vini në shtëpi Xhorxh dhe Laura". Zona gjendet pranë asaj ku Xhorxh Bush jetonte përpara se të bëhej guvernatori i Teksasit në vitin 1994 dhe është pranë qendrës "Preston", ku do të ketë zyrën e përkohshme të planifikimit për grumbullimin e fondeve për librarinë presidenciale.

Një situatë e tillë është e vështirë, veçanërisht kur deri para pak kohësh drejtonte një superfuqi. "Nga përvoja ime personale, mund të them se do t‘i duhen pak kohë për t‘u mësuar", thotë Xheims Oberveter, mik i familjes Bush, i cili ka shërbyer si ambasador amerikan në Arabinë Saudite. Don Evans, sekretari për Tregtinë në administratën e mëparshme, thotë se Bushët po e nisin me këmbën e mbarë. "Po mësohen shpejt me jetën e re, të qenit jashtë Shtëpisë së Bardhë dhe jashtë asaj flluske proverbiale".

Fundjava e zhvendosjes shkoi mjaft mirë. Të shtunën mbrëma u organizua një darkë në shtëpinë e miliarderit Harold Simons, ku kënaqi të ftuarit pianisti Adrian King, i parapëlqyeri i ajkës së Dallasit. Dhe ndoshta paraqitja si "Xhorxhi i zakonshëm" rezultoi zgjedhje mjaft me vend. Një prej të pranishmëve tha se përveç ndonjë sinjali të vogël të marrë prej pranisë së disa truprojave, as që e kishte pasur idenë se në darkë do merrte pjesë edhe ish-presidenti: "Në një çast ia behu në derë me fytyrë të buzëqeshur. Hyri dhe tha se po kërkonte punë, e qeshi vetë i pari me shakanë".

Gjithsesi nuk qe shaka tërësisht spontane. Vetëm para pak ditësh qendra tregtare "Elliott‘s Hardware", përmes një letre të hapur të publikuar në disa gazeta të Dallasit (për të promovuar veten), i ofronte një vend pune ish-presidentit tashmë të papunë. Vendi i punës ishte ai i pensionistit Henri Long, i cili kish për detyrë t‘u tregonte klientëve ku gjenden me saktësi produktet si dhe t‘i ftonte të blinin sa më shumë. "Ne kemi besim se përvoja e punës në bizneset e familjes suaj, ashtu si dhe aftësitë në raportet me njerëzit, të sprovuara gjatë viteve të tëra të mbushura me takime me shtetarë, do t‘ju bënin një kandidat të shkëlqyer për këtë pozicion", shkruhej në ofertë, e nënshkruar nga Kaili Uolters, presidente dhe shefe ekzekutive e "Elliott‘s Hardware".

Siç kemi mësuar nga rastet e presidentëve të tjerë, mes të cilëve edhe Bill Klinton, ndoshta për Xhorxh Bushin nuk do të jetë i nevojshëm një vend pune në supermarket. Në përgjithësi, ish-liderët e botës perëndimore fitojnë më shumë se 400 mijë dollarë në vit, po ajo rrogë vjetore që merrnin kur mbulonin funksionin shtetëror. Prioriteti aktual i Xhorxh Bushit është të arrijë te kuotat e fitimeve të paraardhësve të tij.

Por nuk mund të lërë pas dore as sfidën e ngritjes së librarisë së tij presidenciale. Sipas planeve të deritanishme, do të jetë dy herë më e madhe se libraria presidenciale e babait të tij dhe do përfshijë edhe një qendër politikash që është pagëzuar që tani si "Instituti i Lirisë". 300 mijë dollarët që i duhen për këtë, ka të ngjarë të zgjidhen thjesht, falë disa telefonatave.

"Ka në mendje dy ose tre prioritete të rëndësishme", shpjegon Evans. "I pari është të sigurojë jetesën, kështu që shpejt do ta shohim në një tur fjalimesh. Po shkruan një libër. Dhe e treta është ndërtimi i qendrës presidenciale, veçanërisht institutit. Po bën telefonata dhe besoj se do vazhdojë çdo ditë kështu". Ndërsa kanë filluar të dëgjohen zëra se ish-presidenti ka nisur të shkruajë një libër me kujtime nga tetë vitet në detyrë, nuk dihet ende të ketë nënshkruar ndonjë kontratë publikimi. Nuk dihet as sa mund të jetë ndikuar nga lajmi se Kondolesa Rais ka nënshkruar me "Crown Books" një kontratë prej 2.5 milionë dollarësh për publikimin e tre librave me kujtime.

Ndërkohë që e ardhmja në qarqet e lekturës mund të mos jetë aq e shkëlqyer për Xhorxh Bushin, sa ka qenë për ish-kolegët e tij. Parashikimet do kishin qenë sigurisht më të mira në këtë fushë, në rast se ai nuk do ta kishte lënë Shtëpinë e Bardhë me nivele jo aq të ulëta popullariteti - vetëm 25 për qind e amerikanëve e shihnin me sy të mirë në çastin kur në Shtëpinë e Bardhë hynte Obama.

Deri në këtë pikë dihet me siguri vetëm një shfaqje e tij para një audience: më 17 mars do jetë në Kalgari të Albertës, ku do mbajë fjalim gjatë drekës zyrtare. Është një zonë shumë kilometra larg, por shumë e afërt politikisht. Kalgari, ashtu si Dallasi, është qytet lopësh e nafte, plot me konservatorë të gatshëm të paguajnë para për të dëgjuar fjalët e ish-presidentit Bush.

Por as në Dallas nuk mund të thuhet me saktësi sa të ngrohta janë ndjenjat ndaj Xhorxh Bushit. "Mendoj se Bushët do priten shumë mirë dhe ndihen mjaft rehat në rrethin e tyre", tha Kall Xhilson, profesor shkencash politike në universitetin "Metodist Jugor". "Por edhe ata nuk mund të bëjnë tjetër veçse të kuptojnë që perceptimi i gjerë për politikat e Bushit është shumë negativ".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›