E Diel, 1 Nëntor 2026

Legjenda Butan

Një rreze drite valëzohet në dyshemenë e një tempulli antik dhe ndriçon fytyrën e një gruaje të moshuar, ulur në gjunjë përpara një shtylle prej graniti. Përpara saj janë rreshtuar 108 kokrra gruri. Shtylla është kujtimi më i shenjtë i Nabijit, fshat në një zonë të thellë në Butanin Qendror, rreth gjashtë orë më këmbë nga rruga më e afërt. Thuhet se shenjat në sipërfaqen prej graniti korrespondojnë me gjurmët e gishtave të lënë nga Guruja Rinpoche, asketi i shekullit VIII, që i hipur mbi një tigër fluturues përhapi në Butan budizmin tibetian. Për sa u përket të kokrrave të grurit, kanë lidhje me praktikat kushtimore: sa herë që gruaja Tum Tum gjunjëzohet për t‘u lutur përpara shtyllës, lëviz një kokërr gruri nga dyshemeja. Gjatë tre muajve i ka lëvizur 95 mijë herë, mijëra gjunjëzime në ditë dhe thotë se do të vazhdojë kështu derisa të arrijë në 100 mijë herë. Gjunjët e Tum Tumit kanë lënë shenjë në dërrasat e drurit. "Nuk mund të ndalem tani. Kjo është tradita jonë", thotë gruaja. Shumë pak vende të botës e kanë këtë traditë të Butanit, monarkisë së vogël budiste të vendosur mes luginave të maleve mes Indisë dhe Kinës. Prej më shumë se 1 mijë vjetësh, vendi i quajtur nga banorët e tij Druk YUL, "Toka e dragoit", jeton në një izolim thuajse total. 70 për qind e 635 mijë banorëve të Butanit jetojnë në fshatra të humbur si Nabji (kryeqyteti Thimphu ka 50 mijë banorë), pa pasur akses me rrugët, telefoninë apo elektricitetin. Edhe panorama që e rrethon evokon një mbretëri jashtë kohës: nga mjegulla që mbështjell muret e larta shkëmbore, duken tempujt e mrekullueshëm antikë, që ngrihen mes lumenjve dhe pyjeve të virgjëra ku burrat, gratë dhe murgjit veshin përherë veshjet e tyre tradicionale. Për vizitorët, Butani është Shangri-laja i fundit që po ndryshon. Izolimi ka arritur ta shpëtojë kulturën e Butanit nga ndikimet e huaja, por kur në vitin 1972 u ngjit në fron Mbreti Jigme Singye, vendi kishte treguesit më të lartë të varfërisë, analfabetizmit dhe vdekjes foshnjore në botë. Babai i tij, sovrani i tretë, kishte nisur një proces të ngadaltë modernizimi, duke ndërtuar rrugët e para, shkollat dhe strukturat e para shëndetësore të vendit. I biri i kishte vënë vetes qëllime të tjera, në angazhimin e tij për të kaluar nga mesjeta në shekullin XXI, pa humbur stabilitetin e mbretërisë. Për ta bërë këtë, Butani ka ditur të sfidojë konceptin e zhvillimit, duke u shqetësuar më shumë se sa për Prodhimin e Brendshëm Bruto, për një koncept të shpikur nga vetë mbreti, Lumturinë e Brendshme Bruto. Për shumë banorë, ky koncept nuk është një mall i rrallë i strategjisë së marketingut, as ndonjë filozofi utopike, por një plan i vërtetë mbijetese. Të udhëhequr prej "katër shtyllave të lumturisë", zhvillimit të qëndrueshëm, mbrojtjes së ambientit, ruajtjes së kulturës dhe qeverisjes së mirë, Butani ka ditur të dalë nga një varfëri e pafundme, pa shkatërruar burimet e tij natyrore. Tre të katërtat e territorit butanez është i mbuluar nga pyjet dhe një e katërta e vendit është cilësuar si park kombëtar. Shifrat e analfabetizmit dhe vdekshmërisë foshnjore kanë rënë, ndërsa ekonomia, e udhëhequr nga raportet e mira me Indinë, është e qëndrueshme. Turizmi është në zhvillim (deri në vitin 1974 nuk lejohej asnjë turist të futej në vend), edhe pse vendi ka vendosur një taksë prej 200 dollarësh në ditë për person, për ata që duan ta vizitojë. Në dhjetor të vitit 1999, Butani u bë vendi i fundit mbi tokë që lejoi aksesin e transmetimeve televizive. Vitin pasardhës ishte radha e internetit. Këto risi u pritën njëkohësisht me eufori dhe shqetësime për një shoqëri shumë konservatore dhe të izoluar që papritmas gjendej e ekspozuar ndaj risive të çdo lloji, duke nisur nga filmat e Bollivudit, deri te "gangsta rep" (lloj muzike me tekste shumë të dhunshme). Qeveria ka ndaluar disa kanale të cilësuara si "të rrezikshme", mes të cilave, "MTV", "Fashion Tv" dhe një kanal kushtuar tërësisht vrestlingut profesional. Por në një kohë kur mosha mesatare e banorëve është 21 vjeç, nuk mund të ketë gjëra të ndaluara. Ndërkaq, vendi po përgatitet për eksperimentin më të vështirë: kalimin në demokraci. Mbreti Jigme Singye Wangchuck, në fund të vitit 2006, çuditi kombin kur deklaroi se dëshironte të abdikonte. I dorëzoi kurorën të birit dhe u hapi rrugën zgjedhjeve të para kombëtare. Kështu, thuajse pas një shekulli, butanezët braktisën një formë qeverisjeje me të cilën ishin mësuar, dhe në zgjedhjet e vitit të shkuar partia monarkike "Paqe dhe prosperitet" në Butan arriti të fitonte 44 nga 47 vendet në Parlamentin e ri. Megjithatë, ngjarja më e pritur e vitit 2008 nuk ishin zgjedhjet, por kurorëzimi në dhjetor i monarkut të pestë, Jigme Khesar Mamgyel Wangchuck, një bukurosh 28-vjeçar, i diplomuar në Oksford, i vlerësuar nga murgjit dhe i respektuar nga thuajse 1 e dhjeta e butanezëve që morën pjesë në ceremoni. "Deri kur ne të angazhohemi për të ndërtuar një komb që zgjedh të mbrojë dhe të ruajë të mirën, mund të jemi të sigurt se brezat e ardhshëm do jetojnë në shekujt që do vijnë të lumtur dhe në paqe", pati thënë mbreti i ri. Sipas traditës vendase, që vendos qetësinë mbi të gjitha, i gjithë rrjeti i telefonisë celulare u mbyll gjatë tri ditëve të festimeve. Koncepti i Lumturisë së Brendshme Bruto sapo ka nisur të testohet. Lidershipi i ri i Butanit gjendet përballë një sërë sfidash të mëdha, mes tyre ajo e një brezi për të cilët lumturia buron nga modernizimi më shumë se nga tradita. "New ekonomist Foundation", me qendër në Londër, e rendit Butanin në vendin e 13-të në klasifikimin e bërë prej tij për "treguesit botërorë të lumturisë". Por një tjetër renditje, ajo mbi zhvillimin njerëzor bërë nga Kombet e Bashkuara, e rendit në vendin e 133-të nga 177 vende gjithsej. Megjithatë, kjo mbretëri e vogël mund të na mësojë se si një shoqëri duhet të ruajë identitetin e vet përballë forcave tërheqëse të globalizimit. Në Nabji përgjigjet nuk do të vonojnë, ndërsa Tum Tum ulet në gjunjë në luginë e dëgjon shpërthimet e minave me të cilat po hapet një rrugë. Duhen muaj që rruga të shkojë deri atje e bashkë me të edhe elektriciteti, televizioni dhe shkëmbimet tregtare. Për momentin, të vetmet shenja të modernizimit janë dy panele diellore mbi çatinë e një tempulli për valët e celularëve, por edhe ato nuk punojnë. Fshatarët komunikojnë në një tjetër mënyrë: me flamujt e lutjes, të varur në degët e qiparisave. "Sa herë që fryn erë, çon në parajsë lutjet tona", shpjegon Rike, ish-kreu i fshatit. Mes tyre është sigurisht edhe dëshira që tradita dhe modernia të bashkëjetojnë të lumtura.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›