E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas NATO-s, prioritet i qeverisë, integrimi evropian dhe lëvizja e lirë e qytetarëve

Deklaron kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë takimit me kryetarin e Grupit të Miqësisë Greqi-Shqipëri, deputetit Tryfonidis

TIRANE - Kryetarja e  Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje gjatë takimit me kryetarin e grupit parlamentar të miqësisë Greqi-Shqipëri, Georgios Tryfonidis, se pas ratifikimit të MSA-së dhe Protokollit të Anëtarësimit në NATO Shqipëria ndodhet në një fillim të ri.
Topalli, gjatë takimit me Tryfonidis, një prej politikanëve të mirënjohur në jetën politike greke, u shpreh se “pas mbylljes së ratifikimeve të MSA dhe protokollit të NATO-s, Shqipëria ndodhet në një fillim të ri”.
“Në këtë fazë shkëmbimi i përvojës mes parlamenteve është shumë i rëndësishëm, ndaj dhe ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e Greqisë si një vend partner. Tashmë, pas NATO-s, prioritet i ynë është integrimi evropian dhe lëvizja e lirë e qytetarëve”, tha Topalli.         
Nga ana e tij, Tryfonidis shprehu kënaqësinë që ndodhej për vizitë në Shqipëri pas ratifikimit nga parlamenti i Greqisë i protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. “Tashmë, pas përfundimit të këtij procesi, unë ndihem shumë i lumtur që së shpejti Shqipëria do të jetë pjesë e NATO-s dhe që në këtë pjesë të Evropës stabilizohet demokracia”, tha Tryfonidis, dhe njëherazi garantoi se “Greqia do të jetë krah Shqipërisë edhe për integrimin e plotë në BE”.
Kryetari i grupit parlamentar të miqësisë Greqi-Shqipëri, Georgios Tryfonidis, i përcolli kryetares së Kuvendit përshëndetjet nga kryetari i parlamentit të Greqisë, Dimitros Siuofas dhe shprehu gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit parlamentar në një kohë intensifikimi të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Biseda më tej u ndal gjerësisht në intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike, shkëmbimet tregtare dhe në bashkëpunimin në projektet e mëdha, kryesisht në fushat e energjisë, infrastrukturës, transportit, etj. Ekonomia, tha Tryfonidis, është një urë e fortë që lidh dy vendet dhe ne duhet ta forcojmë këtë bashkëpunim, duke nënvizuar faktin se në Greqi ka shumë shqiptarë që kanë tashmë bizneset e tyre e që i shërbejnë kështu ekonomisë së të dy vendeve.
Më tej, kryetarja e Kuvendit e falënderoi Tryfonidis për gatishmërinë e ofruar për nxitjen e bashkëpunimit në projekte konkrete dhe i përcolli përmes tij, kryetarit të parlamentit të Greqisë, Siuofas, ftesën për të vizituar Shqipërinë në një kohë sa më të afërt.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›