E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monitoruesit e zgjedhjeve të OSBE/ODIHR mbërrijnë në Shqipëri që me 15 mars

Konfirmon kreu i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch

Kërkesës së kryeministrit Sali Berisha, për rritjen e numrit të vëzhguesve në zgjedhje nga organizmat ndërkombëtarë, i është përgjigjur OSBE/ODIHR, e cila konfirmon se më 15 mars vjen misioni i vëzhguesve, të cilët do të bëjnë vlerësimin e parë të procesit të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme

TIRANE - OSBE/ODIHR do të dërgojë një përfaqësi vëzhguesish në Shqipëri, për të monitoruar procesin zgjedhor, në kuadër të zgjedhjeve parlamentareve të 28 qershorit. Pas kërkesës së kryeministrit Sali Berisha, për sa më shumë vëzhgues për këto zgjedhje, tejet të rëndësishme dhe përcaktuese për të ardhmen e vendit, OSBE/ODIHR ka vendosur që në datën 15 mars, të mbërrijnë në Shqipëri përfaqësuesit e parë që do të vëzhgojnë nga afër standardet, për realizimin dhe garantimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch konfirmoi dje se monitoruesit e ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, pritet të mbërrijnë në Tiranë në datën 15 mars 2009.
“Qeveria po tregohet e gatshme. Ka përsëritur vazhdimisht se do që të ketë sa më shumë vëzhgues që të jetë e mundur. Tashmë është e qartë se është ODIHR ai që komandon dhe dërgon vëzhguesit për mbarë-vajtjen e procesit zgjedhor. Ata fillojnë me një mision të vlerësimit të nevojave, dhe më duhet të theksoj se vëzhguesit vijnë në Shqipëri ndërmjet datës 15 dhe 16 mars”, u shpreh kreu i prezencës së OSBE, Borsch. 
Ndërkohë, kreu i qeverisë Sali Berisha ka deklaruar vazhdimisht se është i zotuar për garantimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të pakontestuara dhe për këtë u bëri thirrje organizmave ndërkombëtarë për të shtuar numrin e vëzhguesve në vend, madje duke kërkuar edhe vëzhgues amerikane për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Ndërkaq, pak ditë më parë në cilësinë e kryetares së Presidencës së radhës së OSBE-së, ministrja e Punëve të Jashtme greke Dora Bakojanis, gjatë një vizite që zhvilloi në Tiranë, deklaroi se zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është në interes të të gjithë shqiptarëve. Kryetarja e radhës e OSBE-së, Bakojanis theksoi se kjo organizatë, do të dërgojë vëzhgues të shumtë në Shqipëri, për të monitoruar këtë proces të rëndësishëm zgjedhor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›