E Shtunë, 31 Tetor 2026

NUK DINE APO NUK DUAN?

Me afrimin e përditshëm dhe
të pashmangshëm të
zgjedhjeve të reja politike,
edhe tensioni i bisedave
politike ndër mes shqiptarësh, të cilët
herë janë shokë e vëllezër e po aq herë
armiq, sa vjen e rritet. Këtë përjetova
para dy ditësh mes miqve të mi seriozisht
të shqetësuar për politikën dhe
zhvillimet e pritshme të vendit. Përmbledhtazi
biseda mund të jetë e ngjashme
me shumë të tjera nëpër tavolinat
e Shqipërisë në qytete dhe fshatra, në
tavolina ku serviret verë e shtrenjtë, apo
në kioska ku serviret raki e bërë vetë.
Sali Berisha, çuditërisht shtiret si i
painteresuar për rezultatin e pritshëm të
këtyre zgjedhjeve. (E ka siguruar vëllai
edhe kësaj radhe. Me këtë përçarje të së
majtës. Anëtarësimi në NATO. Edhe vetë
Bamiri e deklaroi nga Italia se Shqipëria
do të bëhet anëtare e BE-së në vitin 2012.
Militantët. Vertikaliteti funksional i strukturave
të PD-së. Hija e rëndë e përsëritjes
së manipulimeve…) Pastaj Edi Rama me
turin e tij të pandërprerë. (Sa mirë e tha në
Librazhd! Po kur i ikën edhe dritat!!! E patë
si e pritën në Gramsh e në Ersekë?!! Këtij i
them entuziazëm unë! A, ha, ka vdekur
ajo koha e Nanos, kur të gjithë hidhnin
vickla, edhe Musa Ulqini vetë. Tani është
tjetër PS-ja, e disiplinuar. Vullnetarët që
tundin farashkat artificiale në kurriz të
udhëheqësit.) Mos harroni, more, Ilir
Metën (Për mirë apo për keq ai do të vendosë
se nga shkon balanca e pushtetit. Por
me atë që bëri më 2005-ën, masa e socialistëve
e ka të vështirë… Esmeralda Uruçi
ia bëri mirë. Jo, bëri keq, sikur e kishte
paguar Josefina. Ura Vajgurore. Daja i Erjon
Veliajt. Ia mori. Ia dha. E, mirë, mirë,
por Meta ka shpirt dhe energji. Ka lidhje
tradicionale me të majtën, ndryshe nga
Rama…) Nano. (Ǒdo të bëjë Nano vallë?
A thua ka heshtur kot gjatë kësaj kohe?
Takimi me Lul Bashën. E ka takuar, s‘e ka
takuar Ramën. Është në listën e… kujt?
Pret një gjë ujku i vjetër…) Gjinushi. (Dihet,
politikë e re. Vetë e këshillon Ramën
në Parti, i biri në Bashki) Milo (Po ashtu,
edhe pse i divorcuar nga Gjinushi). Dule i
PBDNJ-së ( Nuhat cila nga sqetullat e partive
të mëdha vjen më pak erë e keqe që të
futet. Athina. Jo, ishte në Janinë, më
thanë) Ceka. (Ja, sa të mbledhë asamblenë
e partisë). Veliaj. Ngjela. Dash Shehi. E
kështu me radhë ndoca grupacione të tjera
që herë vijnë e herë ikin, në varësi të
erërave, të sponsorizimeve dhe të posteve
të mundshme qeveritare…
* * *
Në të tjera tavolina, shpesh herë të
paguara nga të huajt të cilët na asistojnë
në këtë "proces" të pandërprerë të transformimit
të shoqërisë dhe shtetit me
synim sjelljen e tyre në parametrat perëndimorë,
biseda sigurisht që nuk mund të
jetë në këtë nivel thashethemesh.
Në to flitet për tendenca zhvillimi. Për
domosdoshmërinë e krijimit dhe të
bërjes efektive të pushteteve të një shoqërie
demokratike. Flitet më së shumti
për trajnime. Për trajnimin e trajnerëve.
Për trashëgimi komuniste dhe për vlera
të shoqërisë së re që lipset të bashkojë
vlerat për t‘i shumuar ato. Flitet për programe
qeverisëse dhe për projekte të
mbivendosura punësimi, projekte që
më së shumti mjaftohen me punësimin
e atyre që bëjnë projektet. Projekte që
në zanafillë të korruptuara, synojnë të
luftojnë korrupsionin. Projekte që
mbrojnë të drejtat e atyre që shpalosin
deviacione gjithfarësh, por jo të të
drejtave të njerëzve normalë që nuk
kanë as punë as shtëpi, as akses në shoqëri.
Diskurse pa fund nëse do të hapen,
gjysmëhapen apo do të mbyllen dosjet
e spiunëve që tashmë nuk ka njeri që
nuk i njeh dhe që njëkohësisht nuk i
keqpërdor. Diskutime shterpe për sigurinë
rajonale dhe për rolin paqedashës
të Shqipërisë në rajon. (Thua se në histori
ne paskëshim qenë shkaktarë
luftërash dhe pushtimesh, shkaktarë
trazirash ballkanike!). Deklarata spitullaqe
sipas së cilave, nëse opozita nuk e
jepte mirëkuptimin e saj, Shqipëria rrezikonte
të mos futej në NATO. Ish-doganierë
që flasin për korrupsionin e qeverisë
aktuale. Ish-ushtarakë që flasin për
vlerat e shoqërisë civile. Ambasadorë të
rëndësishëm në gjendje të pandërprerë
deliri, që nuk guxojnë të dalin nga
shtëpitë (i quajnë herë pas here edhe
rezidenca), sepse i rrethojnë mikrofonat
e mediave dhe janë të shtrënguar të na
tregojnë ç‘mendojnë për ekologjinë, për
qeverinë, për Denzel Uashington-in
apo Bred Pit-in, për ekologjinë dhe për
romanet e shkrimtarëve shqiptarë, që
ata as i kanë lexuar e as që kanë ndër
mend t‘i lexojnë ndonjëherë.
Megjithatë, pavarësisht dukjes së
rrejshme, edhe në këto ambiente (sigurisht
jashtë kamerave), baza e debatit
në të vërtetë është i njëjtë. Fiton Berisha
apo Rama. Cili prej tyre garanton këtë
apo atë gjë? A do të kemi zgjedhje të lira?
Kush, me kë është mik dhe me kë armik?
Sa rrezikon Meta pushtetin e njërit apo
të tjetrit? Nano ç‘do të bëjë?
* * *
Ndërkaq, nëpër ekrane një sërë fytyrash
thuajse të "prenotuara" - përfshirë
edhe autorin e këtyre radhëve - me
një gjuhë po aq të drunjtë sa edhe të tavolinave
të lartpërmendura, synohet të
analizohen "zhvillimet" në përputhje
me ca standarde tashmë të pranuara
ndërkombëtarisht si standarde të
demokracive liberale. Sa më e drunjtë
dhe skematike gjuha, aq më i pëlqyer je,
jo vetëm nga pronarët e mediave apo
kryetarët e partive, por edhe nga
"hallku". Deklarimi i të qenit properëndimor
dhe mbështetës i parimeve të
demokracisë liberale tashmë është bërë
po aq bezdisës sa edhe dikur të deklaruarit
se je komunist. Të mbështesësh parimet
e ekonomisë të tregut të lirë, gjithashtu.
Në një kohë kur bota po rishikon
edhe një herë domosdoshmërinë e
prezencës së shtetit në ekonomi, ne
vazhdojmë të mbështesim çdo lloj privatizimi,
si nga e djathta, ashtu edhe nga e
majta. Për shkak të komplekseve, ca më
shumë nga e majta. (Në një emision të
para ca ditëve, në RAI, këngëtari i njohur
italian, Di Capri, pyetjes se nga
ç‘familje vinte, iu përgjigj: E varfër, familje
shumë e varfër. Ndërsa në Shqipëri të
gjithë vijnë nga familje të pasura, shumë
të pasura. Madje në një televizion bëhet
edhe parada e "familjeve të mëdha", për
të mos folur pastaj për konferencën e
familjeve të mëdha të mbajtur para ca
ditësh. Madje edhe një këngë e re "folklorike"
këndon pikërisht në këtë hulli
skematizmi të ri: Do marr burrin nga
Xhamlliku, der‘ e madhe, der‘ fisniku!!!)
Dhe në këto "debate", të gjithë shtiren
sikur nuk e dinë se si funksionon
shteti, se si gjithkush që vjen e ndryshon
administratën sipas qejfit të vet klanor,
se si nga pushteti dhe politika burojnë
një aradhë të mirash pa fund materiale.
Të gjithë duken sikur nuk e dinë
se si do të manipulohen zgjedhjet e pritshme,
se si po paguajnë "kandidatët"
potencialë, se si do të numërohen votat
dhe për pasojë se ç‘kualitet do të ketë
Parlamenti i ardhshëm…
* * *
- Është punë filtrash, më thoshte para
ca ditësh një miku im, ai që këmbëngul
se të shpjegosh zhvillimet në Shqipëri sipas
logjikës së sistemeve dhe doktrinave
është njëlloj si t‘i veshësh qenit brekë.
Shoqërisë sonë i janë prishur filtrat. Në
vend që të mbajnë llumin dhe të nxjerrin
në anën tjetër lëngun e pastër, bëjnë
të kundërtën: nxjerrin llumin.
Pavarësisht hidhësisë së shprehjes,
në këtë figuracion duket se ka një të
vërtetë të madhe. Shoqëritë demokratike
bëhen funksionale pikërisht atëherë kur
"filtrat" (nënkupto: institucionet) janë të
kolauduar dhe e kryejnë funksionin e
tyre. Në një gjuhë më të thjeshtë kjo do
të thotë që zyrat e ngarkuara ligjërisht të
administratës (tash do kohë i thërrasim
me një emër perëndimor: zyra të burimeve
njerëzore) të mos pranojnë
emërime militantësh, emërime që bëhen
tash e parë në shkelje të hapur të ligjeve
në fuqi. Kjo do të thotë që drejtori përkatës
të mos paranojë as të lëvizë armatime
për në Gërdec në mosrespektim të
ligjit, as të firmosë aferat korruptive të
ministrit përkatës në lidhje me delegimin
e fondeve publike që nuk janë as të Edi
Ramës, as të Sali Berishës, as të Nard
Ndokës e kështu me radhë. Kjo do të
thotë, meqenëse jemi në këtë stinë- që
partitë politike -edhe ato paguhen nga
ne- të jenë filtrat selektivë të kandidatëve
për deputetë, ku lipset që të merren
në konsideratë një shumore të dhënash:
aftësitë, integriteti moral, kontributi
politik dhe qytetar, e kështu me radhë.
* * *
Pyetja që lind në shtjellim të sa më
sipër është një dhe e thjeshtë: Ata që i
bëjnë këto "prapësi" (nëse biem dakord
t‘i konsiderojmë si prapësi gjithë
ç‘përmendëm) nuk i dinë këto gjëra?
Nuk e dinte profesor Sali Berisha
ç‘rezultate do të jepte puna e Nard
Ndokës në krye të Ministrisë së shëndetësisë?
Nuk e dinin këtë më shumë se
100 deputetët që e votuan për këtë post?
Nuk e dinte po ky "profesor" pasojën e
të ashtuquajturit liberalizim të shkollave
të larta private? Nuk e dinte Edi
Rama dhe kundërparti i tij Sali Berisha
se me Kodin e ri Zgjedhor do të përkeqësohej
niveli i hapësirave demokratike në
Shqipëri dhe se shumë shpejt do të rrethoheshin
nga ndoca dallkaukë pa
kockë e pa karakter? Nuk e dinin ata se
do të "detyroheshin" të shtonin aradhët
me "të fortë" që nuk kanë asnjë lidhje
me zhvillimet demokratike, përpos interesave
të ngushta vetanake?
Përgjigjja është e thjeshtë dhe besoj
se e di gjithkush. E dinë, por nuk duan
që gjërat të hynë në hullinë e normalitetit.
Sepse normaliteti është vdekjeprurës
për ata lidera që ëndërrojnë një
pushtet të palimituar të vetes. Kështu i
pat ndodhur edhe Enver Hoxhës motit.
Dhe ne e dimë se ç‘prodhoi regjimi i tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›