E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushat, PS-ja, akuza për manipulime me bojën e fletëve

Pezullohet procesi pas tërheqjes së PS. Dyshime për rezultatin në Vig Mnelë, ku opozita nuk mori asnjë votë


SHKODËR - Ndërsa dukej se procesi i numërimit të votave në qarkun e Shkodrës do të përfundonte të martën, në orët e para të kësaj dite është bllokuar puna në VNV e KZAZ-së nr 41 në Bushat të Shkodrës deri në orën 21:15 të mbrëmjes.


Në orën 01:30 kandidatët për deputetë të PS-së, që po ndiqnin procesin e numërimit të votave kanë ndërhyrë pasi kanë konstatuar ndryshim të bojës së njërës prej dy vulave të vendosura në fletët e votimit.


Pas debateve të ashpra mes tyre dhe anëtarëve të KZAZ-së nr 41, PS-ja ka vendosur të tërheqë nga KZAZ dhe grupet e numërimit, anëtarët e përfaqësuesit e saj. Duke qenë se kjo forcë politike ka shumicën në këtë KZAZ, procesi nuk ka mundur të vazhdojë. I gjithë materiali i kësaj zone zgjedhore, vendi i numërimit të së cilës është tek ish-magazinat e grumbullimit në qendër të Bushatit, është marrë në ruajtje nga policia.


Dera është kyçur dhe dyllosur nga drejtuesit e KZAZ-së dhe policia ka krijuar tre breza rojesh që nuk kanë lejuar askënd të afrohej pranë VNV-së së zonës zgjedhore nr.42. Pozicioni i VNV së kësaj zone është në krahun e majtë të rrugës Bushat - Rranza, në ish-magazinën e fundit, në një ambient të amortizuar dhe godinat janë të rrethuara me tela me gjemba, të mbetura kështu që nga koha e funksionimit të tyre si depo të grumbullimit të produkteve bujqësore. Kjo ka bërë që policia të mos lejojë afrimin e mjeteve dhe personave të paautorizuar në një distancë të largët nga VNV e zonës 41.


PD ka kërkuar ndërhyrjen e KQZ për këtë problem dhe ndryshimin e anëtarëve të KZAZ.
Një tjetër pretendim i ngritur më parë nga PS po për këtë zonë zgjedhore ka qenë dhe dëmtimi i një kutie votimi e cila ka ardhur me disa shenja plasjeje në dy prej anëve të saj, por pa u dëmtuar pjesa e kodeve dhe e mbylljes.


Kjo kuti votimi, dhe pse është kontestuar, është hapur dhe numëruar, pasi KZAZ ka gjykuar se materiali brenda saj ka qenë i rregullt, proces-verbalet dhe kodet po në rregull, ndërsa dëmtimi në anët e saj nuk ka ndikuar në materialin brenda Rreth orës 14 , PD ka ndryshuar tre komisionerët e saj në KZAZ nr 41, ndërsa është tërhequr dhe kryetari i kësaj KZAZ-je Engjell Shuku, përfaqësues i PS, për arsye shëndetësore.


Në ambientet e VNV së zonës zgjedhore nr 41 kanë hyrë vetëm anëtarët e KZAZ që kanë marrë në dorëzim dokumentacionin, ndërsa për vazhdimin më tej të procesit të numërimit të votave në këtë zonë zgjedhore do të vendosë KQZ.


Rinumërimi i votave rifilloi në orën 21:15 të mbrëmjes. Deri në momentin kur u bllokua numërimi i votave në këtë zonë zgjedhore, PD-ja kishte rreth 2000 vota më shumë se PS-ja.


Në zonën zgjedhore nr 42 , vendi i numërimit të votave të së cilës ndodhet në qytetin e Shkodrës, procesi ka vazhduar deri në mëngjesin e së martës.


Sipas kryetarit të KZAZ së nr 42, Selami Smajli, ndërsa janë numëruar dhe dy kutitë e fundit, ato 188 dhe 189, që i përkisnin komunës Vig Mnelë, anëtarët e majtë të grupeve të numërimit të votave dhe të KZAZ janë tërhequr duke mos e plotësuar dokumentacionin përkatës dhe lënë pa mbyllur procesin e numërimit të votave në këtë zonë zgjedhore.


Sipas përfaqësuesve të PS-së, kjo ka ndodhur pasi ata kanë dyshime në procesin e votimit në këto dy qendra, ku pas numërimit PS ka marrë zero vota dhe, sipas tyre, votimi është bërë nga persona që kanë votuar më shumë se një herë.


Po kështu ata kanë hedhur dyshime për firmat e nënshkruara të votuesve. Në këtë zonë zgjedhore është dhe një kuti e pezulluar, ajo që i përket fshatit Kir, për të cilën në fillim kanë pasur kontestim socialistët duke kërkuar të mos hapet, më pas ato kanë ndryshuar mendje, por kanë qenë demokratët që kanë kërkuar pezullimin e saj.


Kjo kuti votimi i përket një fshati të thellë në zonën e Dukagjinit, por që gjithmonë ka votuar me shumicë për PS-në dhe socialistët kanë akuzuar demokratët se ata nuk duan ta numërojnë këtë kuti pikërisht për këtë fakt.


Problemi i vërejtur në këtë kuti votimi ka qenë lidhur me listat e personave që kanë votuar dhe që pretendohet se kanë pasur pasaktësi .Në këtë zonë zgjedhore, nr 42, PD kryeson me mbi 4000 vota më shumë se PS.


Në zonat zgjedhore 43, në rrethin e Pukës dhe 44 në rrethin e Malësisë së Madhe ka përfunduar procesi i numërimit të votave. Në këtë zonë zgjedhore, ndryshe nga katër zonat e tjera zgjedhore të qarkut të Shkodrës, diferenca e votave mes dy forcave kryesore politike ka qenë e vogël.


PD ka marrë këtu 4779 vota kundrejt 4677 votave të PS , pra vetëm 102 vota më shumë, dhe këto në qytetin e Pukës. Në zonën zgjedhore nr.44 që përfshin rrethin e Malësisë së Madhe, procesi i numërimit të votave ka përfunduar dhe nuk ka patur asnjë problem. Këtu PD ka marrë 3000 vota më shumë se PS .


Në zonën zgjedhore nr 40 në qytetin e Shkodrës, e cila përfshin bashkinë Shkodër, procesi akoma nuk ka përfunduar pasi numërimi ka ecur ngadalë, me pauza ndërprerjeje, kjo dhe për shkak të temperaturave të larta dhe dëmtimit të sistemit të ajrosjes në pallatin e sportit "Qazim Dervishi" të qytetit të Shkodrës, ku dhe janë të vendosura 6 grupet e numërimit të votave për 95 qendrat e votimit të qytetit të Shkodrës.


Përveç problemeve teknike, siç ka qenë dhe dëmtimi i i printerit në këtë KZAZ dhe mos lejimi për tu zëvendësuar nga anëtarët e PS në këtë KZAZ, ka patur dhe kontestime nga PS, lidhur me qendrën e votimit nr 247, që ka qenë e vendosur në lagjen Kiras.


Në momentin që nga grupi i numërimit të votave është hapur kutia, kur janë nxjerrë fletët e votimit, është konstatuar që ato kanë qenë të prera jo në vendin e duhur, por sipër janë prerë tek pjesa ku fillon lista e partive, duke hequr pjesën e fletës së votimit ku është stema e Republikës dhe ajo e KQZ.


Kjo ka bërë që të lindin dyshime, dhe tre anëtarët e PS , në këtë KZAZ kanë kërkuar që kjo qendër votimi të bllokohet dhe të mos numërohet. Sipas socialistëve ato nuk duan të dinë se për kë parti është votuar, por të zbatojnë kodin zgjedhor dhe këtë qendër të mos e numërojnë.


Ndërsa kërkesa e tyre është bërë zyrtare, kanë qenë katër anëtarët demokratë të KZAZ që kanë vendosur me shumicë votash që procesi të vazhdojë, duke e argumentuar këtë me faktin që të gjitha fletët e votimit kanë të njëjtën prerje dhe kjo ka ardhur nga mostrajnimi i duhur apo mosdijenia e anëtarëve të komisionit të qendrës së votimit nr 247. Sipas kryetarit të KZAZ 40 , Besnik Kastrati, nuk ka asnjë dëmtim apo dyshim lidhur me materialin brenda kutisë dhe gjithçka është në përputhje me ligjin.


PS ka tërhequr tre anëtarët dhe sekretarin e KZAZ nr. 40, që janë përfaqësues të saj dhe për rreth 40 minuta procesi është ndërprerë. Por më pas PS ka vendosur që t'i kthejë të tërhequrit dhe numërimi i votave është bërë, por për këtë kuti, PS ka depozituar ankimimin e saj.


Në këtë zonë zgjedhore, numërimi i votave të së cilave akoma nuk ka përfunduar, kryeson PD me rreth 8000 vota më shumë se PS. Deri në momentin kur është bllokuar numërimi i votave në këtë zonë zgjedhore, PD kishte rreth 2000 vota më shumë se PS.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›