E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushat, vritet një polic nga kolegu i tij

19/05/2010 Viktima Tom Jukini e goditi me grusht Ramiz Ademin. E vrau me armën e shërbimit

Autori në gjendje të dehur, kalon në gjendje depresioni pas ngjarjes: Jam penduar

SHKODER- Një efektiv policie ka gjetur vdekjen nga arma e kolegut të tij në komunën Bushat të rrethit Shkodër. Ngjarja tepër e rëndë ka ndodhur rreth orës 14:30 të ditës së djeshme, para portës së oborrit të komunës Bushat dhe pranë postës së policisë së kësaj komune. Sipas burimeve policore, vrasja ka ndodhur pas një debati dhe konfrontimi fizik mes autorit, shtetasit 41-vjeçar Ramiz Ademi, me detyrë punonjës policie pranë postës së policisë së komunës Bushati dhe viktimës, shtetasit 35-vjeçar Tom Jukini edhe ky punonjës i postës së policisë së komunës Bushat. Pas kësaj ngjarje, autori Ademi është larguar nga vendi i kryerjes së krimit, por më pas është vetëdorëzuar. Dëshmitë e para të marra në vendngjarje kanë nxjerrë se dy efektivat e policisë së Bushatit kanë debatuar fillimisht me njëri-tjetrin dhe më pas kanë parë të lëshoheshin grushte. Nuk ka vonuar shumë dhe janë dëgjuar të shtëna armësh. Të gjithë kalimtarët që ndodheshin aty në atë moment kanë vrapuar të trembur nga vendi i ngjarjes dhe më pas kanë parë njërin polic të largohej me shpejtësi, ndërsa tjetrin të shtrirë përtokë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë konstatuar se kolegu i tyre Tomë Jakini, baba i katër fëmijëve kishte ndërruar jetë për shkak të disa plagëve të marra në trup. Burimet policore shprehen se viktima Jakini kishte qenë me shërbim gjatë paradites së djeshme dhe rreth orës 14:20 është nisur për t’i dorëzuar turnin kolegut të tij shtetasit Ramiz Ademi. Dy kolegët janë takuar në rrugë para portës së oborrit të komunës Bushat, fare pranë postës së policisë. Sapo janë takuar, dy efektivat e policisë kanë debatuar fillimisht jo shumë të acaruar, por më pas situata ka ndryshuar dhe mes tyre ka nisur një debat i ashpër. Sipas burimeve policore, situata ka precipituar në konfrontim fizik. Efektivi i policisë Jukini ka goditur me grusht kolegun e tij Ademi, i cili menjëherë ka vënë dorën në brez, nga ku ka nxjerrë pistoletën e shërbimit dhe ka qëlluar disa herë në trup kolegun e tij. Burimet policore shprehen se autori i ngjarjes ka kaluar në gjendje depresioni, ndërkohë që ka mundur të thotë fillimisht vetëm se i vinte keq për ç’kishte bërë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›