E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushati: Berisha emëroi ministra të kërkuar nga drejtësia

11/09/2009  Selia rozë reagon për qeverinë e re

Një ditë pas shpalljes së emrave të kabinetit të ri qeveritar nga kryeministri Berisha, selia rozë ka reaguar përmes deputetit të saj Ditmir Bushati, duke kritikuar zgjedhjet e kreut të qeverisë. Pa përmendur emra, Bushati tha gjatë një konference për shtyp se “Sali Berisha pagëzoi qeverinë e vazhdimësisë së punëve të këqija që strehon dy të kërkuar nga drejtësia dhe tre të kërkuar nga populli opozitar”. Deputeti socialist, referuar deklaratës së Berishës në lidhje me kushtet e PS-së, nënvizoi se opozita është më e vendosur se kurrë në mbrojtje të lirisë së votës së cenuar dhe do të luftojë me çdo mjet demokratik në mbrojtje të saj. “Qeveria nuk mund të vazhdojë të fshihet më kokëfortësi pas gjoja procedurave ligjore dhe parimit të ndarjes së pushtetit për moshapjen e kutive të dyshuara të 28 qershorit, pasi opozita nuk kërkon ndryshimin e pushtetit në tavolinë, por respektimin e një detyrimi kushtetues, ligjor e moral që qëndron në themel të sistemit të demokracisë dhe lirisë, që është transparenca e plotë për votën e sovranit”, - theksoi Bushati. Ai tha se Shqipëria e sapoanëtarësuar në NATO dhe që troket në dyert e BE-së nuk mund të prodhojë qeverisje ilegjitime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›