E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushati: “Berisha ka hapur librat e shtëpive tona për të mbajtur mbyllur kutitë”

Autori i Lajmit: Redaksia
Dështimi për liberalizimin e vizave për shqiptarët nuk mund të justifikohet me shpifje ndaj opozitës. Pohimi është bërë dje nga deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati. “Dje Sali Berisha tentoi në mënyrë spekulative që dështimet e qeverisë së punëve të zeza në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave tia faturojë opozitës shqiptare dhe Bashkimit Evropian, të cilat sipas tij, influencohen nga opozita. Në vend që tu kërkonte ndjesë qytetarëve të vendit të tij, për faktin se shqiptarët nuk do të përfitojnë lëvizjen e lirë këtë fundviti si maqedonasit, serbët dhe malazezët, Berisha zgjodhi sërish armën e tij të preferuar, gjuhën e urrejtjes, shpifjet monstruoze, të cilat bota demokratike, ku duam të integrohemi, ka kohë që i shpërfill dhe i refuzon me përbuzje”, - tha Bushati. Sipas tij, Berisha ka hapur librat e shtëpive të opozitarëve për të mbajtur mbyllur kutitë e krimit të tij elektoral. Deputeti socialist shtoi se liberalizimi i vizave nuk është e nuk mund të jetë më një meritë e qeverisë që e la Shqipërinë të fundit, por një vullnet i BE-së për tu dhënë edhe shqiptarëve lirinë e munguar të lëvizjes, pavarësisht papërgjegjshmërisë së qeverisë për të përmbushur në kohë kriteret. Sipas tij, Berisha nuk e justifikon dot vonesën e tmerrshme në këtë proces me hapjen e pritshme të kufijve, ashtu sikundër nuk e mbyll dot debatin për kutitë duke përhapur kudo gënjeshtrat e tij për opozitën.

Ky lajm është publikuar: 03/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›