E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meidani: “Të hapen kutitë. Berisha, kujdes me fyerjet!”

Autori i Lajmit: Redaksia
Ish-Presidenti Rexhep Meidani u bashkohet zërave zyrtarë të Partisë Socialiste për hapjen e kutive të votimit, ndërsa ka vlerësuar si të turpshëm fjalorin e Sali Berishës ndaj Edi Ramës. I pyetur fillimisht nëse do të ishte dakord me hapjen e kutive dhe kërkesat e PS, Meidani tha se transparenca është e pëlqyer në çdo kuptim, përfshi dhe atë të kutive, duke e vlerësuar si proces shumë normal. “Për çdo qytetar do të pëlqehej transparenca, pra në konceptimin e gjerë të transparencës, transparenca për çdo proces, përfshi edhe transparencën për procesin zgjedhor. Në konceptin e gjerë të transparencës, edhe hapja e kutive është një proces fare normal, i lidhur me detyrimin që ka politika, Qeveria Parlamenti dhe çdo institucion tjetër për t’iu përgjigjur interesave të publikut apo çdo formacioni politik, në këtë rast që është Partia Socialiste”, - tha ai. Ndërsa Sali Berisha, prej ditësh, ultimatumit të PS për hapjen e kutive, i është përgjigjur me akuza ndaj personit dhe familjes së Edi Ramës, ish-Presidenti Meidani nuk ka hezituar ta komentojë këtë. “Natyrisht që kjo është e turpshme, nuk është një gjuhë që duhet të përdoret nga institucionet politike ose partiake dhe është një turp për shqiptarët. Veç kësaj, unë mund ti përgjigjem vetëm me refuzimin për të vazhduar edhe diskutimin për një gjë të tillë”, - tha Meidani.

Ky lajm është publikuar: 03/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›