Gripi i derrave, 250 mijë vaksina vijnë për 10 ditë
Plot 250 mijë vaksina nga Hungaria dhe Gjermania kundër gripit të derrit. Në vendin tonë do të mbërrijnë brenda 10 ditëshit të parë të këtij muaji. Këtë bën me dije Ministria e Shëndetësisë. “Porosia është bërë dhe priten 200 mijë doza nga Hungaria dhe 50 mijë nga Gjermania”, u shpreh dje drejtori i politikave shëndetësore Pëllumb Pipero. Ai shtoi se grupet e riskut do ta përfitojnë të parët e më pas popullata e gjerë. Pipero dha garanci se vaksina nuk ka efekte anësore, ashtu siç po përflitet në mediat e huaja së fundmi. “Nga informacionet që kemi, kjo vaksine, që po përdoret gjerësisht në Hungari, nuk ka pasur efekte anësore”, u shpreh Pipero. Sa i përket mungesës së vaksinës së gripit të zakonshëm në treg, përgjegjës për këtë problem mbeten grosistët. Gjithsesi, drejtoi i politikave nënvizoi se janë kontaktuar firma të mëdha dhe pritet të mbërrijnë partitë e tjera të kësaj vaksine. Ndonëse efektshmërinë e saj vaksinat kundër viruseve gripale e kanë deri në fillim të dhjetorit, specialistët këshillojnë se ato mund të bëhen deri në muajin shkurt nga cilido që ende nuk eshte prekur nga gripi. Aktualisht në vendin tonë numri zyrtar i të prekurve nga AH1N1 i ka kapërcyer të 250 personat. Pjesa më e madhe janë të rinj, por nuk mungojnë edhe fëmijët e personat me probleme kronike. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nuk është regjistruar së fundmi ndonjë rast me komplikacione të rënda.