Deklarata e Metës Kundërshtimet e PS-së retorikë boshe
21/12/2009 ELBASAN- Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, njëkohësisht zëvendëskryeministër, ka zhvilluar një takim në rolin e kreut të LSI-së me strukturat dhe simpatizantë të kësaj partie në Elbasan. I ndjekur nga ministri Shëndetësisë Petrit Vasili si dhe dy kryetarët lokalë, Pjerin Xhuvani për qytetin dhe Bujar Kllogjeri për qarkun, Meta u ndal në zhvillimet integruese. Duke komentuar edhe lajmin për liberalizimin e vizave për vendet e rajonit, ai u shpreh: “Kemi dëgjuar mediet që thotë se Shqipëria mbeti e fundit për vizat. Po kur ka qenë Shqipëria e para? Në kohën e Zogut, Haxhi Qamilit apo të Enver Hoxhës? Mendoj se retorika të tilla boshe nuk sjellin asgjë konstruktive. Ne jemi këtu ku jemi. Jemi në proces intensiv integrues. Ata që përpiqen të shpërndajnë tym të panevojshëm, duhet të japin kontributin e tyre edhe për liberalizimin e vizave, edhe për pyetësorin për Komisionin Evropian, pasi është një pyetësor për Shqipërinë, për gjithë proceset integruese e jo vetëm për qeverinë. Meta foli edhe mbi shpërblimet e fundvitit. “Për të mbajtur në kontroll parametrat makroekonomikë qeveria të jetë më e kursyer në shpërblime. Për një natë në fund të vitit nuk mund të krijojmë pasoja që mund të ndihen në një plan afatgjatë dhe që mund të ndihen përpara partnerëve ndërkombëtarë, por sidomos përpara investitorëve të huaj, të cilët duan një situatë makroekonomike të qëndrueshme”, - përfundoi Meta.