E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati: "Bode të lërë demagogjitë e 96-ës"

Autori i Lajmit: RedaksiaMinistri i piramidave të vitit 1996, Ridvan Bode, ashtu si 13 vjet më parë, mashtron shqiptarët se nuk ka krizë ekonomike. Kështu pohoi dje nënsekretari për Programin, Ervin Bushati. Sipas tij, nuk mund tu thuash shqiptarëve se vendi ynë nuk është në krizë dhe ekonomia është në rritje, kur çmimet po shtrenjtohen çdo ditë, kur monedha po pëson rënie drastike, kur biznese të mëdha e të vogla po falimentojnë gjithnjë e më shumë. “Njeriu që ndryshe nga çfarë kishte premtuar, rriti dje çmimin e energjisë, ministri që po i mban peng administratës shtetërore shpërblimin e fundvitit dhe rrogën e dhjetorit, zotëria që ka shkelur hapur autonominë vendore dhe u ka zvogëluar buxhetet bashkive dhe komunave që drejtohen nga socialistët, autori i krizës, varfërisë dhe papunësisë që ka përfshirë Shqipërinë dhe shqiptarët, sot flet për të paqena, për rritje ekonomike dhe standarde, që mund të jenë të vërteta për familjen dhe ministrat e oborrit, por jo për shqiptarët e thjeshtë”, - tha ai. Për shqiptarët, shtoi Bushati, nuk do të ketë Vit të Ri, por vetëm përsëritje të të njëjtave halle dhe siklete të vitit që po lëmë pas. “Ministri i piramidave, Bode, të japë shpërblimet ose përndryshe të largohet me Sali Berishën dhe kutitë e tyre”,- përfundoi ai.

Ky lajm është publikuar: 17/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›