Reagon PS: "Bumçi të japë përgjigje për Gërdecin"
Autori i Lajmit: RedaksiaPartia Socialiste u përgjigjet me të njëjtën gjuhë akuzave të demokratëve për kryesocialistin Edi Rama. “Sot shqiptarët panë sesi një ish-ministër Drejtësie shkel në mënyrë të hapur liritë dhe të drejtat e njeriut, njësoj si kryeministri i tij. Sot shqiptarët panë sesi një i akuzuar për shpërthimin kriminal të Gërdecit, që për shkresën e firmosur prej tij duhet të paraqitej në gjykatë, i shpërfill gjykatat, madje gjen paturpësinë për të lëshuar akuza të paqena”, - tha dje, zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, pas akuzave të demokratit Aldo Bumçi lidhur me lejet e ndërtimit. Ajo i bëri thirrje Aldo Bumçit e, mbi të gjitha Sali Berishës, të paraqiten në gjykatë e në prokurori e ti vërtetojnë aty akuzat e tyre, ku mbi 20 akuza penale e civile rëndojnë mbi shefin e një qeverie që sot nuk përfaqëson më vullnetin e shumicës së shqiptarëve. “Aldo Bumçi tu tregojë sot shqiptarëve pse firmosi atë shkresë që e lidh personalisht këtë zotëri me shpërthimin e Gërdecit dhe pse këtë shkresë e dërgoi edhe tek djali i Kryeministrit”, - tha ajo.
Ky lajm është publikuar: 17/12/2009