E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: "Rama në shërbim të interesave personale"

Autori i Lajmit: RedaksiaPartia Demokratike vijon akuzat ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës njëkohësisht Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas saj, kryebashkiaku ka kohë që nuk është në shërbim të qytetarëve. “Tiranën dhe qytetarët e saj ai ka vite që i ka bojkotuar dhe i ka braktisur në detyrën e tij si kryetar i Bashkisë. Interesat e paligjshme ekonomike, të tij dhe të klanit të tij, janë e vetmja arsye që e lidhin atë me Tiranën”, - tha dje deputeti i PD-së, Aldo Bumçi. Ai kujtoi se mazhoranca bëri publike shitjen e truallit te parku "Rinia" me 97 euro, ose 12 mijë lekë metrin katror, si një shkelje shumë e rëndë e ligjit. Bumçi shtoi se ky abuzim bëhet dhe më i rëndë kur vetë Bashkia e Tiranës e ka vlerësuar truallin përballë hotel "Dajtit", në anën tjetër të bulevardit, me 1500 euro metrin katror. “Ky është një shembull më shumë i arrogancës me të cilën Edi Rama qeveris Tiranën. Për Edi Ramën nuk ekzistojnë, nuk kanë asnjë vlerë, as ligji dhe morali, as Tirana dhe qytetarët e saj. Ekziston vetëm një interes: përfitimi i paligjshëm ekonomik i tij dhe i klanit të tij. Se përndryshe nuk mund të shpjegohet se si Bashkia e Tiranës e shet truallin në zemër të qytetit me 97 euro metri katror kur vetë në dokumentet e saj e vlerëson me 1500 euro metri katror”, - tha ai. Bumçi shtoi se ky nuk mund të jetë kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, por është kryetari i interesave të paligjshme ekonomike.

Ky lajm është publikuar: 17/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›