E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djali i mirë i kinemasë së vështirë

Mat Damon është në momentin më të mirë të karrierës së tij dhe në këtë periudhë ka kohë të mjaftueshme për të hedhur vështrimin në të shkuarën, 10 vjet më parë kur gjithçka ishte në fillim. Ai e di fort mirë se është një dhjetëvjeçar ku ka bërë nga të gjitha, që te filmat ku luan vetëm role episodike, e deri tek ata ku si personazh kryesor ka korrur fitore të madhe. Ndër to do të veçonte "The Legnd of Bagger Vance" e Robert Redford, apo "All the Pretty Horses" në të cilat ka qenë protagonist. Janë dy filma sa për të ilustruar sadopak një dhjetëvjeçar të frytshëm. Megjithatë, Damon nuk do të harrojë, ndër shumë gjëra që i kanë ndodhur këto kohë, një telefonatë që mori krejt pa pritur, ndërsa ishte vendosur për disa xhirime në një hotel të Parisit. Ishte një telefonatë nga Steven Soderbergh, një ndër regjisorët më të famshëm të planetit. Një telefonatë e tij për shumë aktorë ka domethënien e një telefonate nga fati. Ai i propozoi Damon një skenar që sapo i kishte rënë në dorë, bazuar në një libër të Kurt Eichenwald "The informant: A true story". Damon dhe regjisori i famshëm kishin punuar së bashku edhe në filmin "Ocean‘s Eleven", por aktorit nuk mund t‘i shkonte kurrë nëpër mend se Soderbergh donte që ai të ishte personazhi kryesor i filmit të tij të ardhshëm, skenarin e të cilit sapo kishte nisur ta shfletonte. "Ka qenë telefonata më e çuditshme që kisha marrë ndonjëherë për një punë dhe sigurisht një nga telefonatat që nuk do ta harroj kurrë", rrëfen Damon. Ndërkaq, ai kishte krijuar një profil shumë të veçantë edhe me sagat e "Born" dhe "Ocean‘s 11". Kishte punuar me disa nga talentet më të spikatura të Hollivudit si Martin Scorsese "The Departed" "The Good Shepard" dhe i luten Zotit që të mund të vazhdonte edhe në të ardhmen të punonte me të njëjtët persona me të cilët kishte punuar deri në atë kohë. Por ja që atij i ndodhi më e mira dhe nis bashkëpunimin me Soderbergh për të famshmin "The Iformant". Në fakt, bëhet fjalë për një film që nisi si një ide 7 vjet të shkuara dhe më në fund është realizuar dhe aktualisht është në kinematë e të gjithë botës. Premiera e tij u shfaq në Festivalin e Venecias dhe ishte një sukses i vërtetë. Vonesat në realizimin e tij erdhën për shkak të impenjimeve të shumta të Damon. Fillimisht filmi u shty për 12 muaj në mënyrë që aktori të përfundonte xhirimet e "The Goog Shepard". Më pas arsyet për këtë shtyrje ndoqën njëra-tjetrën. Për sa i përket Mat, ai edhe sot e kësaj dite ka atë pamje djaloshare si nga trupi, ashtu edhe nga veshja. Madje është e njëjta pamje që ka pasur edhe 10 vjet më parë kur arriti që të bëhet i famshëm me filmin: "Good Will Hunting Back", që doli në vitin 1997. Skenarin e këtij filmi ai e shkroi me mikun e fëmijërisë, Ben Affleck, ndërsa të dy po përpiqeshin që të bënin përpara në rrugën e kinematografisë. Të dy së bashku kishin interpretuar më parë në filma të ndryshëm, por të parëndësishëm. Megjithatë, dy djemtë e "zakonshëm" nga Masaçusets u shndërruan befas në mjediset kinematografike në një çift të jashtëzakonshëm që njiheshin nga të gjithë si "Mat&Ben". Ata ishin të pandashëm, si një çift i vërtetë që kalonte kohën në punë, por edhe jashtë saj. Madje një dramaturg i famshëm arriti që të krijonte edhe një pjesë në Broduej që quhej pikërisht "Mat&Ben". Por për ta kulmi i suksesit si çift do të shënonte edhe fundin e bashkëpunimit. Duket se për të dy kishte ardhur koha që të fluturonin më vete dhe të ndiqnin karrierat e tyre pavarësisht nga njëri-tjetri. Për Affleck "fluturimi vetëm" ishte një periudhë që fillimisht nuk shkoi mirë me një sërë /////////////fiaskosh si filmi dhe lidhja që pati me Jenifer Lopez. Ndërsa Damon u shqua më shumë për romancat e tij me femrat më të bukura të Hollivudit sesa për performancat filmike. Ai në atë kohë u lidh me Claire Danes, Winona Ryder dhe Minie Driver, por edhe punoi nga pak si në filmat "Save Privat Rayan". Por edhe sot e kësaj dite vazhdon ta mbajë miqësinë me Affleck dhe është shumë i lumtur që ai ishte dhe është pjesë e jetës së tij miqësore. Ai ka ndjekur nga afër filmin e dytë të Ben, si regjisor "Rhe Rown" që xhirohet në Boston, ku Mat ka lindur. "Të jeni të bindur që ka për të qenë një film shumë i mirë". Megjithatë, të dy miqtë nuk kanë mundësi që të shihen shpesh, pjesërisht për shkak të impenjimeve të tij profesionale dhe pjesërisht për shkak të largësisë së banimit. Damon jeton në Majami së bashku me Luciana Barroso, kamerieren me të cilën u njoh në vitin 2003 e u martua dy vjet më pas. Ai ka preferuar që të jetojë larg Hollivudit edhe pse edhe aty ku jeton është e vështirë që t‘u shmangesh paparacëve. Gjithsesi, ai është i kënaqur që në krahasim me ngacmimet që u ndodhin kolegëve të tij, ai është relativisht i qetë. Damon ka qenë gjithmonë, edhe në momentet e majës së tij profesionale dhe financiare, një djalë me këmbët ngulur në tokë. Për këtë arsye ai u martua me një njeri që nuk ka asgjë të përbashkët me industrinë kinematografike dhe që është qindra vite dritë larg botës plot shkëlqim të rremë të yjeve të Hollivudit. Pas martese Damon dhe Barroso sollën në jetë dy vajza Isabela dhe Gia Zavala. Mat nuk e ka aspak problem që ndodhet në prag të të 40-tave, sepse e ndien veten një person të realizuar si për sa i përket anës profesionale, ashtu edhe asaj personale. "Ndihem mirë. Kam punuar vërtet shumë gjatë 12 viteve të fundit dhe e kam shijuar çdo përvojë. Nuk më vjen keq për asgjë që kam bërë, për asnjë film që tani nuk më pëlqen më, sepse të gjitha janë pjesë e rrugëtimit dhe përvojë e rritjes personale. Dhe ajo çka më pëlqen më shumë është se jam i entuziazmuar. Nuk do të më kishte ardhur një fat më i mirë edhe për sa i përket familjes. Kam fëmijë të jashtëzakonshëm dhe një grua shumë të mirë". Po a ndihet i lumtur edhe me kalimin e viteve?" Sigurisht. Por për sa i përket botës ku unë jetoj, pra kinematografisë, kam vënë re se rolet sa vijnë e bëhen më të mira me kalimin e moshës, të paktën kjo më ngjet mua". Në rastin e filmit të tij të fundit "The Informant" roli që ai luan në të është roli i një personi jo shumë të ri. Filmi zhvillohet në vitin 1990 dhe Damon është Mark Whitacre, që u bë edhe ekzekutivi më i lartë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që i shkaktoi një shqetësim shumë të madh një korporate të fuqishme. Ai u bë një spiun i FBI-së dhe ka një ngjarje shumë interesante. Edhe pse mund të duket një film me spiunazh, në fakt bëhet fjalë për një komedi ku personazhi kryesor është një mashtrues i pandreqshëm. Pas disa roleve të dorës së dytë në filmat e dominuar nga të mëdhenjtë Clooni dhe Pitt si "Oceanns 11" më në fund Damon ka rastin që të jetë "violinë e parë" me një regjisor si Soderbergh. Komentet e para të këtij filmi janë shumë të mira. Fillimisht regjisori ia kishte rezervuar këtë rol Cloonit, i cili ndërkohë është edhe producenti ekzekutiv i "The Informant". Clooni ishte i mendimit që ky ishte një rol që mund t‘i shkonte shumë mirë për shtat Mat dhe kjo për fat doli e vërtetë. Damon ka bërë një performancë të jashtëzakonshme dhe ka shkëlqyer edhe në një rol komik. Ai është thuajse krejtësisht i transformuar, pasi ka veshur një paruke, ka shtuar shumë në peshë, ka lënë mustaqe për të portretizuar më mirë personazhin e tij që vuante nga shqetësime të të ngrënit. Damon është nga ata aktorë që është i bindur se një lojë e mirë është e mundur vetëm përmes dhimbjes. "Për të shtuar në peshë kam ngrënë për muaj të tërë çdo gjë që më dilte përpara. Më pëlqente që të ecja duke tundur e vënë në pah barkun tim të fryrë keq pas të ngrënave të shumta dhe fëmijët qeshnin pa masë kur ma preknin dhe bënin humor me dhjamin tim. Unë isha shndërruar në një "derr" të vërtetë". Ndërsa personazhi i tij është një gënjeshtar i pandreqshëm që gënjen edhe për gjërat më të vogla dhe më të parëndësishme, vetë Damon thotë se të gënjesh do të thotë në radhë të parë të harxhosh shumë kohë dhe energji dhe gjithashtu do edhe një prirje personale që Damon nuk e ka gjetur kurrë te vetja. "Nëse je mësuar që të gënjesh vazhdimisht do të të duhet që ta vazhdosh një gjë të tillë pafundësisht dhe për mua ishte shumë kurioze dhe zbavitëse të luaja një person që binte nga gënjeshtra në gënjeshtër, nga situata në situatë dhe kjo pa i hyrë ferra në këmbë". Në fakt, kur Damon hedh vështrimin te karriera e tij, personazhet që i kanë dhënë më shumë sukses kanë qenë personazhe ose në kërkim të vetes si te Bourn ose në tentativë për të fshehur veten si te Tom Ripley. Madje edhe Linus nga "Oqean" kalon një kohë të madhe të aktivitetit të tij i fshehur. Në fakt, Damon nuk ka të bëjë fare me një tip të tillë. Por gjithsesi, është një person shumë i rezervuar që nuk i pëlqen kurrë që të publikojë, apo të bëjë të njohur qoftë jetën personale, qoftë edhe angazhimet e tij jashtë ekranit të madh. Kështu pas realizimit të filmit: "Good Will Hunting" ai u kthye në Masaçusets për të mbështetur një grevë punëtorësh. Më pas vizitoi Zambian, duke lobuar për rëndësinë e përdorimit të ujit të pastër nga banorët e këtij vendi që në shumicë pinë ujëra të ndotur. Dhe në vitin 2008 ka bashkëprodhuar "Running the Sahara", një dokumentar në lidhje me atletët afrikanë që mbështetën fondacionin e bamirësisë "H20 Africa". Një pjesë e madhe e ndjeshmërisë që ai ka për çështjet e bamirësisë e ka të trashëguar nga e ëma, Nancy, një profesoreshë universiteti që ka studiuar psikologjinë e fëmijëve. Ajo u divorcua nga babai i Damon, që merrej me bankat, kur i biri ishte vetëm 2 vjeç dhe vendosi që ta rrisë e vetme Mat dhe djalin e saj më të madh, Kyle. Fëmijëria e Damon nuk ka qenë e zakonshme. Ai dhe i vëllai u shndërruan pjesë e eksperimenteve që e ëma bënte për të vërtetuar idetë e saj në lidhje me mënyrën e rritjes së fëmijëve. E ëma po specializohej në ndalimin e përdorimit të dhunës në zgjidhjen e konflikteve dhe ky drejtim i së ëmës e kushtëzoi shumë edhe Damon në zgjedhjet që ai bënte për filmat ku luante, madje edhe për skenarët që shpesh ka shkruar për filma të ndryshëm. "Unë nuk e dua dhunën dhe mendoni që kam refuzuar edhe skenarë mjaft të mirë e mjaft fitimprurës vetëm për shkak të akteve të dhunës që gjeja në to", thotë Damon. Kur Damon u bë i famshëm, e ëma doli në shtyp dhe dha një konferencë për shtyp në të cilën tha se i vinte keq që i biri i ishte shndërruar në një "produkt". "Ai nuk është më një qenie njerëzore. Ai është një produkt i sistemit kapitalist", tha ajo publikisht. Edhe sot Mat thotë se e ëma është kundër mënyrës se si funksionon industria filmike dhe e urren sistemin e "yjeve" që ka fabrikuar Hollivudi. Megjithatë ai është i bindur se në fshehtësi, e ëma është krenare për të birin edhe pse rrallëherë ia ka thënë në sy një gjë të tillë. Filmi i ardhshëm i Damon është "Invictus" me Clint Eastwood dhe bazohet në një libër të shkruar nga John Carlin, një ish-gazetar i "The Independent". Ngjarjet e këtij filmi vendosen në vitin 1995, kur Mandela ishte në mandatin e parë presidencial si President i Afrikës së Jugut. Në atë periudhë ai po tentonte që të bënte bashkë shumë reaksione politike dhe ekonomike të vendit të tij. Rolin e Mandelas e luan Morgan Freeman, ndërsa vetë Damon luan rolin e një kapiteni rekbie. Damon është shumë entuziast që do të punojë me Eastwood dhe gjithashtu edhe për Mandelën të cilin e ka takuar shumë shkurtimisht.
Në Hollivud, Damon ka një reputacion shumë të mirë. Ai është i respektuar jo vetëm për talentin dhe zgjedhjet kinematografike që ka bërë, por mbi të gjitha edhe për profilin që mban jashtë skenës. Vetëm se tani Damon e ka kuptuar se ka ardhur koha për të që të vendosë se çdo të bëjë më tej në këtë aventurë kinematografike. Ndoshta duhet të shikojë mundësinë e një pozicioni tashmë në anën tjetër të kamerës, pra atë të regjisorit? Në fakt, ai ka kohë që po e mendon një gjë të tillë dhe thotë se mezi pret që t‘i paraqitet një mundësi e tillë. "Unë personalisht i zgjedh filmat e mi bazuar te regjisori i tyre. Kam 12 vjet që jam në këtë industri dhe vazhdimisht kam qenë shumë i vëmendshëm edhe ndaj punës regjisoriale, që më pëlqen shumë. Kam përfituar shumë nga të gjithë regjisorët me të cilët kam punuar dhe ata kanë qenë shumë të mirë që t‘u përgjigjeshin pyetjeve të mia. Megjithatë nuk po nxitoj. Punët që kam pasur deri më tani, jo vetëm që kanë qenë shumë të interesante për mua, por më kanë mësuar shumë për sa i përket profesionit të aktorit, por një ditë e ndiej se do të marr kamerën në dorë dhe do të them: "Start".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›