Pëllumbat
Edmond Tupja
Një javë më parë, po kaloja në atë kryqëzim të kryeqytetit të quajtur “21”-shi, kur sytë sesi më zunë një tufë pëllumbash duke ngrënë një grusht kokrrash drithi që dikush ua kishte hedhur për t’i ushqyer; më bëri përshtypje, sepse Tirana mbahet më tepër si qyteti i kumrieve, të cilat, ende sot e kësaj dite, më zgjojnë thuajse çdo mëngjes me guguftunë e tyre. Befas, m’u kujtua se në rininë time të hershme pata lexuar një roman të Kadaresë ku njëri prej personazheve fliste për qytetet e mëdha të vendeve perëndimore, në sheshet e të cilëve gëlonin pëllumbat; pastaj, nga filli në gjilpërë, m’u kujtua se kur vajta edhe unë për studime në Francë, në Paris, atje kishte aq shumë pëllumba saqë bashkia gjobiste gjithë ata që i ushqenin, sepse këta shpendë ndotnin monumentet, ndër të tjera kulturore, si edhe hapësirat publike.
Tani do t’i lutem lexuesit të vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime të së dielës, të vërë në punë për disa çaste imagjinatën e tij pjellore: sikur nesër të shtoheshin së tepërmi pëllumbat në Tiranë, a do t’i gjobiste edhe Bashkia jonë ata që i ushqejnë? Me gjasë jo, sepse nuk ka aq monumente, kulturore ndër të tjera, që do të rrezikonin të ndoteshin prej glasave të tyre, kurse përsa u përket hapësirave publike, ato janë aq të ndotura sa disa kilogramë glasa më shumë çdo ditë nuk do të ngrinin peshë në debatin pro apo kundër pëllumbave. Le të imagjinojmë tani edhe diçka tjetër: po sikur, si pasojë e ndonjë mutacioni gjenetik, të mbeteshin vetëm dy lloje pëllumbash në Tiranë, disa të kuq ose, më saktë rozë, dhe disa blu, çfarë do të ndodhte? Mos vallë sipas përkatësisë partiake të kryetarit të Bashkisë herë do të ndalohej të ushqeje pëllumbat rozë e herë ata blu? Po sikur këto dy lloje pëllumbash të shkartiseshin duke u çiftuar rozët me blutë dhe anasjelltas, e të shfaqej kështu një lloj i tretë, i ndërmjetëm, rozëblu ose blurozë, d.m.th. sikur çdo zog pëllumbi të kishte ca pupla blu e ca rozë? Po sikur nga i njëjti kombinim gjenetik të dilnin, si në pikturë kur bluja përzihet me të kuqen ose rozën, ca pëllumba vjollcë ose lejla? Befas, kjo perspektivë shkartisjeje më kthen prapa në kohë, në fillimet e pluripartizmit në Shqipëri: një ditë një militant demokrat, pra, blu, tek diskutonte me një militante socialiste, pra, rozë, i propozoi asaj që të bashkëjetonin dhe të bënin një fëmijë blurozë ose rozëblu, d.m.th. socialdemokrat, jo për ndonjë gjë të madhe, por të paktën sa për të shtuar radhët e Partisë Socialdemokrate të porsaformuar, e cila, edhe sot e kësaj ditë, njihet si parti me një kryetar karizmatik përherë nën dritën e prozhektorëve mediatikë, dhe shtatë anëtarë (trois pelés et quatre tondus, siç thotë frëngu) në gjysmëhije, një miniparti ku gjithmonë numri i tendencave politike është më i madh se numri i anëtarëve, çka duket se është e vërtetë për shumicën e minipartive shqiptare.
Por le të kthehemi te pëllumbat tanë. është e vërtetë se dy partitë tona të mëdha janë për mirëqenie e paqe sociale, të paktën këtë pretenduan e pretendojnë që kur u shfaqën në horizontin e politikës shqiptare. Pikërisht për këtë mirëqenie dhe këtë paqe ato luftojnë me njëra-tjetrën dhe shpesh kjo luftë është e ashpër, ajo mund të shkojë deri në vetmohim, siç qe rasti me grevën e urisë që organizoi Partia Socialiste, për hapjen e kutive të votimit të 28 qershorit të kaluar. Për pak, pëllumbat rozë të Edi Ramës mend shkuan për dhjamë qeni, se kutitë nuk po hapen e, me shumë gjasë, nuk kanë për t’u hapur ndonjëherë. Pëllumbat blu të Sali Berishës duket se dolën më të fituar nga fluturimi i dyshes Berisha-Rama në gojën e “Krokodilit” në Strasburg: pëllumbat rozë, deshën, s’deshën, u futën në kafazin e Kuvendit bashkë me ata blu, siç ua kishte sugjeruar pak a shumë edhe ish-udhëheqësi i tyre me përvojë, Servet Pëllumbi.
Le të imagjinojmë së fundi – gjithmonë lidhur me pëllumbat – sikur më të rinjtë e pëllumbave rozë e blu shkartisur, të shkojnë një ditë në Elbasan, qytet historikisht i njohur për erotizmin e tij pa tabu. Atje, le t’i bëjnë një homazh figurës së Isuf Myzyrit, që i këndoi pa paragjykime çdo lloj dashurie, dhe të kalojnë pranë Kalasë së moçme, pikërisht te vija e ujit, ku dikur të vjetrit e qytetit, ashikë të pandreqshëm, me këmbët në ujin e freskët dhe gotën e rakisë në dorë, sa herë shihnin çuna të bukur njomëzakë, i thoshin njëri-tjetrit: “Hej, na mër ti, tremi i çikë knej ato plluma qi po t’kalojn’aty afër...”