Leterme: Liberalizimi i vizave varet nga mendimi që jep Komisioni Europian
Kryeministri belg, Iv Leterme, vendi i të cilit merr presidencën e Bashkimit Europian në datën 1 korrik, është shprehur se liberalizimi i vizave do të varet nga mendimi që do të japë Komisioni Europian. I pyetur nga Top Channel, nëse kriza politike mund të ndikojë në liberalizimin e vizave, Kryeministri belg tha se “unë nuk mendoj kështu, por edhe një herë kjo varet nga Komisioni që do të përpilojë opinionin, raportin, qëndrimin e tij dhe më pas merret vendimi”. Sipas tij, është e mundur që brenda Presidencës belge deri në datën 1 janar, të merret vendimi për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. “Mendoj se është e mundur, por gjithçka varet nga vlerësimi i zyrtareve, nga ekspertët. Nuk mendoj se është vendim politik, është një vendim që bazohet në fakte e evidenca që do të shtrojë mbi tavolinë Komisioni”, tha ai. I pyetur më tej në lidhje me krizën politike në Shqipëri, Leterme deklaroi se Ministria e Jashtme belge po ndjek nga afër zhvillimet politike në vendin tonë. “Kam pasur disa kontakte të ngushta me kolegun tim z. Berisha, e natyrisht që ne po e ndjekim nga afër se çfarë po ndodh atje, e Ministria e Jashtme po sheh zhvillimet në vend”, tha Kryeministri belg, ndërsa nuk preferoi të japë perceptimin e tij në lidhje me situatën politike në Shqipëri. Ndërkaq është bërë e ditur se raporti përfundimtar për liberalizimin e vizave me Shqipërinë do të dorëzohet në muajin shtator nga Komisioni Europian. Raporti do të dërgohet në Parlamentin Europian, ku ai do të diskutohet në dy komisionet e PE-së, në atë të punëve të brendshme, si dhe në komisionin e punëve të jashtme. Por raporti do të varet nga plotësimi i kritereve të fundit për Qeverinë shqiptare. Në javën e parë të muajit korrik do të vijnë ekspertët e KE-së në Tiranë, për të parë realizimin e kritereve të mbetura. Pritet që vendimi përfundimtar të merret në datën 9 nëntor, kur do të mblidhet Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian.