E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike, Daul zbret në Tiranë



Erald Kapri

Dështimi i arritjes së marrëveshjes mes Qeverisë dhe opo-zitës për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, nuk po përtypet siç duhet nga europianët. Kreu i Partive Popullore në Parlamentin Europian, Joseph Daul, do të vizitojë Tiranën ditën e mërkurë datë 23 qershor, ku do të takohet me krerët e shtetit shqiptar. Zyra e partive popullore europiane nxori një njoftim për shtyp, ku konfirmon ardhjen në Tiranë të Joseph Daul, në datën 23 qershor ditën e mërkurë, ku ai do të qëndrojë dy ditë. Njoftimi bën të ditur edhe takimet që Daul do të zhvillojë në Tiranë. Ajo që bie të sy është se në axhendën e takimeve mungon lideri i opozitës, Edi Rama, ndërsa nga krahu tjetër, Daul do të zhvillojë takime me të gjithë krerët e shtetit shqiptar. Kreu i opozitës, Edi Rama momentalisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk bëhet e ditur se kur mund të kthehet në Shqipëri. “Daul do të takohet me Presidentin e Republikës, Bamir Topin, Kryeministrin Sali Berisha, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta, dhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli”, thuhet në njoftim e Partive Popullore Europiane. Qëllimi i kësaj vizite të Daul në Tiranë është dështimi i arritjes së marrëveshjes mes PD-së e PS-së për situatën politike. “Kjo vizitë vjen pas dështimit të përpjekjeve për të gjetur një marrëveshje midis Qeverisë shqiptare dhe opozitës”, thuhet në njoftim për shtyp të PPE-ve. Njoftimi për vizitën e kreut të PPE-ve nuk bën me dije nëse ai do të jetë i shoqëruar nga Martin Schulz, homologu i tij i partive të majta në Parlamentin Europian. Të dy personalitetet vetëm pak ditë më parë lëshuan një deklaratë, ku shprehin shqetësimin e tyre për dështimin e marrëveshjes mes Qeverisë dhe opozitës. Pavarësisht inkurajimit të të dy palëve në Parlamentin Europian, PD dhe PS nuk arritën asnjë kompromis, por përkundrazi shtuan akuzat ndaj njëra-tjetrës. “Ne sinqerisht shprehim keqardhjen që Qeveria shqiptare dhe opozita nuk mundën të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre dhe për këtë arsye nuk kanë qenë në gjendje të ndërmarrin hapa të mëtejshme të nevojshme për të shkuar drejt përmbushjes së ambicies europiane të vendit”, thuhet në deklaratën e dy politikanëve të njohur europianë. Në të njëjtën deklaratë, ata u shprehën se tashmë është përgjegjësi e PD-së e PS-së për të gjetur zgjidhjen e situatës politike në vend. Ata japin këshillën e tyre që zgjidhja të vijë duke respektuar Kushtetutën e vendit në mënyrë transparente. Sipas tyre, Partia Socialiste nuk duhet të largohet më nga Kuvendi ndërsa nga ana e saj, Qeveria të bëjë të pamundurën për arritjen e një reforme konsensuale për reformën në sistemin zgjedhor. “Ne i kërkojmë opozitës shqiptare që të qëndrojë në Parlamentin kombëtar dhe të vazhdojë punën e saj. Në të njëjtën kohë, ne presim që Qeveria të punojë së bashku me opozitën, me qëllimin e një reforme të sistemit zgjedhor dhe procedurat parlamentare”, u shprehen në deklaratë, Joseph Daul dhe Martin Schulz.

Axhenda e kreut të PPE

Mbërritja në Tiranë, datë 23 qershor Takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi Takim me Kryeministrin, Sali Berisha Takimi me Zv. kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta Takim me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli Largimi nga Tirana, datë 25 qershor

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›