E Shtunë, 31 Tetor 2026

Busulla nuk po tregon Brukselin

Plator Nesturi

Vapa mund të të trullosë pak, madje edhe të të roisë, nëse nuk i bën derman duke u futur në hije a të freskohesh ndokund. Por shqiptarët, çështjen e temperaturave të larta të stinës, e kanë problemin më të vogël për mbarëvajtjen mendore. Prej gati një viti, temperatura politike në vend ka qenë aq e tejngritur, aq e sikletshme, saqë stinët shërbenin thjesht si dekor ndërsa tonet alarmante të ambientalistëve për ngrohjen globale të dukeshin si punë pesë me hiç. Në gjithë këta muaj, pra, të mbushur plot me ngjarje pikante; zgjedhje, me fitues në pushtet e fitues “moralë” mosnjohje rezultati, njohje të tyre por bojkot parlamentar, betim në Kuvend e futje në grevën e urisë, kërkesë për transparencë por komisioni hetimor parlamentar mbetet bosh, shqiptarët e ndjejnë veten të lodhur nga ky kalvar rraskapitës konfliktual dhe ku lufta e balozëve të politikës vijon të bëhet me kaq egërsi, jo për ndonjë grua (si sebep historik sherri), por për ca kuti votash që i kanë mbushur dhe numëruar vetë.
Si rezultat i këtij tensioni, ku palët refuzojnë njëra-tjetrën, qytetari i thjeshtë është shurdhuar nga rënia e dy këmbanave që stonojnë mes tyre, pasi e para është festive në dorën e Berishës, ndërsa Rama tund fort çangën e alarmit. Opsionet se ka “krizë politike” të opozitës dhe mohimit të saj nga maxhoranca, se kemi krizë ekonomike përkundrejt optimizmit qeveritar, se përkundrazi “ka rritje të ekonomisë përderisa do ngrejmë pagat dhe pensionet” e kanë trullosur opinionin publik. Ndaj si për t’iu përgjigjur këtij absurdi, ku bashkëjetojnë dy realitete jo në simbiozë mes tyre, konstatimi i sotëm është se edhe kemi krizë politike por ka dhe rritje ekonomike. Në këtë “konkluzion” arrijnë madje edhe institucione të BE-së. Kështu në Bruksel dhe Strasburg theksohet se ka krizë politike dhe se palët duhet të gjejnë rrugëzgjidhjen, ndërsa Drejtoria e çështjeve Ekonomike dhe Financiare e BE-së përgëzon për progresin ekonomik. Ti marrësh veç e veç këto qëndrime, të duket se bëhet fjalë për dy vende të ndryshme, ndaj nuk është çudi që shqiptari i thjeshtë, i trullosur nga këto akrobaci, si ngelet të zgjedhë veç njërën nga këto botë virtuale, midis asaj të Berishës dhe asaj të Ramës. Pavarësisht se në botën e tij reale, asaj të përditshmes, pak dallim ka nëse është idhtar i njërit apo i tjetrit.
çeqet e konfliktit
Lajmi kryesor për shqiptarët këtë vit nuk ka qenë as hapja apo jo e kutive, as se kush do të marrë trofeun e Kampionatit Botëror të Futbollit. Për ta, kryesorja çka presin, është nëse do të jenë apo jo qytetarë të lirë për të lëvizur në kontinentin e tyre. Pra, a do të liberalizohen ato viza, pa të cilat sidoqoftë do të ndihen si karvani i fundit në një Europë të lirë? Kanë 20 vjet që presin duke mbetur në fund të listës dhe jo për faj të tyre, por të politikës. A duhet ende të presin vallë, apo litari i politikës vendore do t’u ngatërrohet sërish nëpër këmbë?
Në kushte normale, pikëtakimi me këtë ditë të shënuar për qytetarët e këtij vendi, do të ish plotësisht i mundshëm edhe në këto ditë vape, por temperatura e lartë e konfliktualitetit politik, po e vë në dyshim sërish këtë vendim për ta shtyrë në një kohë të pacaktuar. Angazhimi i institucioneve të BE-së për zgjidhjen e krizës dhe arritjen e kompromisit midis palëve, rezultoi i pavlefshëm përballë kokëfortësisë së maxhorancës dhe opozitës për të gjetur pika takimi. Dhe kjo natyrisht mund të ketë pasoja në vendimet që mund të merren për Shqipërinë. Por problemi nuk mbetet me kaq dhe çështja mund të agravohet më tej.
Para disa ditësh, në faqet e medias doli në pah se PS kish kontraktuar një agjenci amerikane, duke e paguar 100 mijë USD për t’i bërë fushatë në SHBA për çështjen e transparencës së zgjedhjeve të qershorit të kaluar. Natyrisht, nga këto para do të prodhohet diçka, dhe nuk do të mungojë edhe ndonjë deklaratë nga ato ambiente që do jetë me tone të ashpra ndaj Qeverisë së Tiranës. Nga ana tjetër, nuk mund të përjashtohet mundësia që dhe maxhoranca të mbushë ndonjë çek tjetër të majmë, për ndonjë tjetër agjenci në SHBA a në Bruksel, e cila nga ana e saj të prodhojë deklarata në mbështetje të Qeverisë Berisha e duke denigruar iniciativat e PS. Në këtë mënyrë, dy forcat tona kryesore politike, thjesht do të hapin thesin e parave të tyre (që i bie të jenë dhe tonat), porse rezultati do të jetë veç krijim i një publiciteti negativ për Shqipërinë, po me paratë tona. Në këtë mënyrë, ata jo vetëm nuk arrijnë dot një konsensus politik, ashtu siç kërkojnë ndërkombëtarët, për t’i hapur udhë rrugëtimit drejt BE-së, por e thellojnë më tej krizën në vend. Dalja me thes parash në krah, për të blerë deklarata kundër kundërshtarëve politikë nëpër kancelaritë e Europës dhe SHBA, më së shumti do i prishte punë shqiptarëve që presin liberalizimin e vizave.
Politika pa busull
Ajo çfarë po iu bën politika shqiptare shtetasve të vet, në lidhje me interesat më kryesore të tyre, ngjan së tepërmi me atë çfarë ndodhi në oborrin e Fakultetit të Drejtësisë, ku sekserët ofronin diploma për juristë kundrejt çmimit prej 7000 eurosh, pikërisht aty pra ku duhet të dalin juristë e prokurorë që duhet të luftojnë korrupsionin. Të paktën sekserët e këtij fakulteti u arrestuan, por se si mund të na vejë halli me këtë klasë politike të paprekshme në papërgjegjësinë e vet, këtë nuk mund ta thotë dot askush. Madje as Brukseli që prej dy muajsh monitoroi nga afër selitë blu e rozë, në kërkim të formulës magjike për të futur në një kor të përbashkët Ramën dhe Berishën. Politika jonë, ku natyrshëm bëjnë pjesë si maxhoranca edhe opozita, pavarësisht dashurisë a urrejtjes që kanë mes tyre, vijon të ecë jo vetëm pa busull për objektivat që ka vendi por ca më keq, secili detashment shkon në hesap të vet e me kujdesin për t’i prishur punë tjetrit, e në këtë mënyrë edhe vetë shtetit.
Në konceptin teorik, kriza politike në vend rezulton e zgjidhur. Në deklaratën e përbashkët nga Brukseli, Shuls dhe Dol, krerët e Partisë Popullore dhe Partive Socialdemokrate, ndërsa shprehin keqardhjen pse partitë shqiptare nuk gjejnë dot kompromisin, i kujtojnë PS se thjesht “nuk duhet më të dalë nga Parlamenti”, ndërsa për maxhorancën theksojnë se duhet të hapë rrugë së bashku me opozitën për “reformimin e sistemit aktual elektoral”, çka në vetvete është thjesht mbajtja e statuquos aktuale. Mbi këtë konteks, kriza quhet e tejkaluar, pavarësisht se nuk ka prodhuar asnjë dokument marrëveshjeje midis palëve. Por a do të pranohet si e zgjidhur kriza nga vetë klasa jonë politike? Vështirë të mendohet, ndaj konfliktualiteti në Shqipëri mbetet gjithnjë më i kuotuari në pikat e bastit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›