Negociatat, Venecia ndan palët
Aristir Lumezi
Asnjë zgjidhje pas negociatave të dyta mes PS dhe PD në Bruksel, ndërsa europianët kërkojnë që ajo të gjendet në Tiranë. Gazeta zbardh pozicionin e palëve në këto negociata, ku bllokimi vjen tek fakti se cila parti duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për fletët e votimit. Risia e takimit të fundit ishte se PS pranoi që hetimi i zgjedhjeve të nisë me materialet zgjedhore dhe më pas t’i kërkohej Gjykatës Kushtetuese interpretim për fletët e votimit, por ato u ndanë tek anikimimi në Kushtetuese e më pas në Komisionin e Venecias. Edhe pse negociatat janë mbajtur në sekret të plotë, si nga PS ashtu, edhe nga PD, pas dështimit të tyre dalin në dritë versionet e tyre, në mënyrë që palët të tregohen sa më të gatshme për të arritur në një zgjidhje të krizës. Burime nga Partia Socialiste pohuan dje se takimi i së hënës ishte shumë pranë arritjes së zgjidhjes, pasi edhe PS ishte ulur në kushtet e vendosura nga europianët dhe Këshilli i Europës. Socialistët kërkuan që të dyja partitë, si PS dhe PD, t’i drejtohen bashkarisht Kushtetueses për fletët e votimit. Por demokratët për arsye parimore nuk e pranuan këtë propozim, pasi maxhoranca ka miratuar në seancën e 20 marsit ngritjen e komisionit hetimor parlamentar me objekt të përcaktuar qartë, i cili nuk prek fletët e votimit. Demokratët i kanë kërkuar socialistëve, se meqenëse ata nuk janë dakord me objektin e këtij komisioni, t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për pretendimin që kanë rreth fletëve të votimit. Këtu palët janë ndarë dhe negociatat e dyta nuk kanë dhënë asnjë zgjidhje, dhe pse kreu socialist kishte çuar në Bruksel një negociator të ri për një marrëveshje kompromisi mes palëve. Pas këtij dështimi, i cili ishte shumë pranë arritjes së një dakortësie mes palëve, krerët e grupeve më të mëdha parlamentare në Parlamentin Europian, Doul dhe Shultz shprehën menjëherë zemë-rimin e tyre për mosarritjen e zgjidhjes së krizës, duke bërë përgjegjës të dy protagonistët e politikës shqiptare, Rama e Berisha. Ndërsa palët e interpretuan sipas interesit të tyre politik këtë dështim. Kreu socialist shprehu keqardhje që i vetmi njeri që nuk pranoi të negociojë për krizën është Kryeministri Berisha. Sipas Ramës, kambanat e fundit të PE-së bien pikërisht për të. “Zgjidhja përmes kompromisit është e mundshme, i vetmi njeri që nuk e pranoi zgjidhjen e mundshme përmes transparencës ishte Sali Berisha. Kambanat e Parlamentit Europian bien për të”, u shpreh Rama. Por në reagimin e tyre dy krerët e grupeve më të mëdha parlamentare në PE i bënë apel socialistëve që të mos i kthehen sërish rrugës së protestave dhe grevave, por të qëndrojnë në Parlament dhe të nisin punë për reformën zgjedhore dhe zgjedhjet e ardhshme. Në rolin e monitoruesit pa imponim, europianët po mundohen t’ia lenë palëve zgjidhjen e krizës, e cila pritet të vijë vetëm në Tiranë. Lënia në dorë të politikës shqiptare të zgjidhjes së krizës dhe mos vënia e limiteve kohore, tregojnë sot se darka e “Krokodile” në Strasburg nuk kishte vendosur ultimatume kohore për gjetjen e një zgjidhje, ndërsa në deklaratat e disa politikanëve mëshohej fort në formën ultimative të mesazheve që vinin nga Brukseli. Ardhja e kreut të grupit të eurodeputetëve të djathtë në Tiranë, Joseph Doul dhe takimi i tij, përveç drejtuesve të PD-së, me Presidentin Topi, pritet të shoqërohet dhe me një kërkesë të tij për një rol vendimtar të Presidentit të Republikës në gjetjen e një zgjidhje, si autoriteti i vetëm mbi palët politike.
KE: Keqardhje për dështimin
Zëdhënësja e komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, Angela Filote, deklaroi dy ditë më parë se tani gjithçka mbetet në duart e politikanëve shqiptarë, konkretisht Kryeministrit Berisha dhe kreut të PS, Rama. “Të gjithë ne dëshironim shumë dhe e mbështetëm iniciativën dhe na vjen shumë keq që të gjitha përpjekjet e bëra për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjes nuk sollën në të vërtetë këtë zgjidhje. Tani topi kthehet plotësisht në duart e Shqipërisë dhe sidomos të dy liderëve”, ka deklaruar Filote.
Rama në OKB me Internacionalen socialiste
Kreu i selisë rozë Edi Rama, së bashku me sekretaren për Marrëdhënien Ndërkombëtare në PS, janë nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rama dhe Dade janë pjesë e delegacionit të Partisë Socialiste, që do të udhëtojnë drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në Këshillin e Internacionales Socialiste. Lobimi për transparencën e zgjedhjeve në Shqipëri do të jetë pjesë e kësaj vizite. Ky aktivitet do të zhvillohet në ambientet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.