E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Model të ri për dekretet



Erald Kapri

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli mbro-jti dje ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit për shqyrtimin e dekreteve të Presidentit të Republikës, madje ajo shtoi se si një hap pozitiv, të shkohet më tej. Sipas kryetares së Kuvendit, ndryshimet në rregullore, që kontestohen nga opozita, do të sjellin një transparencë më të mirë në praktikat e Kuvendit, por ajo shtoi se kjo praktikë duhet të përmirësohet më tej dhe për këtë ekzistojnë modele të tjera. Topalli iu referua sistemit amerikan, apo atij francez, i cili sipas saj, Kuvendi bën 1 të tretën e propozimeve në sistemin e Drejtësisë. “Meqenëse ne jemi në një fazë të re të parlamentarizmit, në një kohë kur nëse vetëm përpara disa vitesh nuk ekzistonte fare dëgjesa, ose “Hearing”, ose seanca dëgjimore, sot kjo është bërë një praktikë parlamentare shumë efiçente, shumë e mirë, një hap i rëndësishëm në praktikat tona në Kuvendin e Shqipërisë. Si çdo hap pozitiv, unë mendoj se ky duhet çuar më tej, të zhvillohet më tej”, tha Topalli. Kryeparlamentarja iu referua me detaje disa modeleve të vendeve perëndimore, por në veçanti iu referua modelit francez, ku ka një balancim të propozimeve për emërimet në sistemin e Drejtësisë. “Modele të tilla ekzistojnë në të gjitha vendet e botës. Natyrisht në sistemin tonë, pavarësisht se jemi republikë parlamentare, ne kemi një organ kushtetues të caktuar që bën propozimet. Në vendet e tjera të Europës ka disa organe shtetërore ose pushtete që bëjnë propozimin. Në paralele me mënyrën tonë të sjelljes së propozimeve dhe emërimeve të gjykatësve, modeli më i afërt është modeli amerikan. Nëse i referohemi modelit francez për shembull aty një e treta propozohet nga Parlamenti, një e treta tjetër nga Kryetari i Senatit, pjesa tjetër që mbetet nga një pushtet i tretë, apo nëse i referohemi modeleve të tjera në Poloni, në Hungari diku votimi është i hapur dhe diku është i mbyllur”, tha Topalli. Duke qëndruar në ndryshim aktual të rregullores së Kuvendit, që përcakton votim të hapur për dekretet, Topalli tha se “do të ishte papërgjegjshmëri nëse në një votim të fshehtë, një deputet i caktuar për shkak të një lidhjeje miqësore, të një njohjeje personale të jepte një vlerësim mbi një institucion kaq të rëndësishëm siç është pushteti gjyqësor. Atëherë Kushtetuta thërret Kuvendin në përgjithësi si institucion dhe jo në emrin individual të deputetit”.

Ndryshimi i rregullores

Neni 58
Votimi bëhet përherë i hapur në rastet e miratimit të programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të shqyrtimit të dekretit të Presidentit të Republikës, të votimit të Buxhetit të Shtetit ose të projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të.

Neni 111
Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda tetë javëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›