E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Drafti i Berishës bie ndesh me interesat kombëtare

Projektligji i SHISH, PS kërkon zyrtarisht tërheqjen përfundimtare

Partia Socialiste ka kërkuar dje tërheqjen e projektligjit për Shërbimin Informativ të Shtetit. Kreu i saj, Edi Rama, që përfaqëson edhe nivelin më të lartë politik të opozitës, ka argumentuar me këtë rast se drafti i sjellë nga qeveria bie ndesh si me interesat kombëtare, ashtu edhe me ato të aleatëve të Shqipërisë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO. “Edhe interesi i Shqipërisë, interesi i NATO-s dhe interesi i Shteteve të Bashkuara cenohen drejtpërdrejt nga prekja e këtij ligji për interesa të errëta... Apeli im është që ta tërheqë atë projekt jo thjesht nga seanca parlamentare, por njëherë e mirë. Madje ta hedhë në kosh për të mos e kthyer më për një herë të tretë, pasi e tërhoqi herën e parë nën presionin e partnerëve dhe duhet ta tërheqë përsëri sot në emër të interesit kombëtar, të përkatësisë ndaj NATO-s e sigurisht, edhe të partneritetit strategjik me SHBA-në”, tha Rama. Ai ka cilësuar si përgjegjës kryesor, madje hartues të ndryshimeve në ligj, kryeministrin Sali Berisha, ndaj të cilit edhe adresoi apelin e vet publik. Kjo përgjegjësi e personalizuar, që i atribuohet kreut të qeverisë, i ka dhënë kuptim edhe interpretimit që Rama u ka bërë interesave shumëpalëshe, të cilat cenon, sipas tij, projektligji aktual. Kështu, kreu socialist ka folur në tagrin e një drejtuesi të rëndësishëm politik të Shqipërisë, por pa harruar të tërheqë vëmendjen e opinionit te pasojat e kësaj loje që po udhëheq aktualisht Kryeministri i Shqipërisë. Paralelja e hequr është zbuluar mirë në simbolikën e vet domethënëse te konteksti historik i përplasjes së dikurshme të Sali Berishës ish-President, me amerikanët gjatë fundit të vitit 1996. Mesazhi i opozitës në këtë kuptim ka qenë i qartë dhe i thjeshtuar për opinionin: nismat e Berishës provokojnë interesat e Shqipërisë dhe të aleatëve të saj, duke vënë në rrezik investimin 20-vjeçar të të gjithë vendit. “është e lehtë të kuptosh pse Sali Berisha e dëshiron kontrollin e shërbimit sekret, kur është fjala për çka ka të bëjë me ne këtu... Por është shumë e vështirë për ne të kuptojmë se çfarë forcash e shtyjnë Sali Berishën t’u bjerë ndesh me këto ndryshime edhe NATO-s, edhe Shteteve të Bashkuara, që jo vetëm nuk i dëshirojnë ndryshimet e këtij projektligji, por ndihen të cenuar në një interes të madh strategjik, pikërisht për shkak të pasojave të këtyre ndryshimeve. Koha mbase do të na ndihmojë ta kuptojmë këtë shfaqje arrogance provinciale ndaj atyre që jo vetëm vendi ynë i vogël, po as Europa e madhe nuk do ishte sot kjo që është”, u shpreh Edi Rama. Nënteksti i këtij deklarimi publik vetiu fiton statusin e një akuze shumë të rëndë ndaj Sali Berishës, kurajën e të cilit opozita e supozon thuajse jashtë vullnetit të vet të lirë politik. Pyetja e Ramës për “forcat që shtyjnë Sali Berishën” në këtë aventurë politike është qartazi një aludim që akuzon publikisht Kryeministrin. Sa i përket opozitës, fërkimet e fundit me amerikanët janë ndër të tjera një gabim politik i kreut të qeverisë, me një faturë që kapërcen tanimë aftësinë e manovrimit politik të Berishës. “Sali Berisha tërhiqe njëherë e mirë këtë mollë sherri e fute nga e ke nxjerrë, sepse Shqipëria nuk ka sherr për të bërë as me NATO-n, as me Shtetet e Bashkuara dhe nëse një herë e fute Shqipërinë në qorrsokak duke i hapur luftë Amerikës, këtë herë nuk do dalësh dot më nga qorrsokaku ku do mbetesh vetëm”, nënvizoi Edi Rama në mënyrë kuptimplotë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›