Deputetët, debate për kodin e veshjes

Nënkryetari i Kuvendit - deputetëve socialistë: Mos përvishni mëngët e këmishës
Një vend jo pak të rëndësishëm të diskutimeve të Kuvendit zuri edhe veshja e deputetëve, ose më saktë mënyra e mbajtjes së këmishave. Në mënyrë të përsëritur, drejtuesi i seancës i tërhoqi vëmendjen deputetëve Sajmir Tahiri dhe Eduard Shalsi që të mos mbanin të përveshura mëngët e këmishave, pasi, sipas tij, rregullorja kërkon që deputetët të jenë të veshur me kostum.
Kjo ndërhyje është bërë shkak për shtimin e debateve ku Shalsi akuzoi ministrin e Energjetikës, Dritan Prifti, si pjesëtar të koalicionit qeverisës ku pjesëtar është edhe Nasip Naço për përvetësim të pasurive shtetërore.
Më pas, ka ndërhyrë edhe Erjon Braçe, i cili ndër të tjera i bëri thirrje nënkryetarit që të mos merret me stilimin e deputetëve, por me moderimin e seancës. Shalsi publikoi disa dokumente, të cilat, sipas tij, vërtetonin nxjerrjen në shitje nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes të ish-fushës së Aviacionit në Laprakë, ndërkohë që në këtë vend të djathtët kishin premtuar ndërtimin e një parku.
Sipas tij, kjo shitje po bëhet tani kur këtë premtim po e bën realitet bashkia e Tiranës dhe jo Lulzim Basha që e kishte premtuar në vitin 2005. "Keni nxjerrë në shitje fushën e aviacionit në Laprakë, ndërkohë që në vitin 2005 Lulzim Basha kishte premtuar ta kthente në park. Këtë po e bëjmë ne tani, ndërsa të dy ministrat tuaj e kanë nxjerrë në shitje", - tha Shalsi.
Pjesë nga diskutimi në Kuvend
Sajmir Tahiri: Këtu ka ministra dhe disa deputetë që kanë prona ende pa marrë dhe nuk preferojnë të ndjekin rrugën gjyqësore, por duan t'i marrin me urdhër të Drejtorit të AKKP-së. Keni sjellë një ligj identik me të parin. Nëse ligji do të miratohet, ai do të jetë një atentat ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Bujar Nishani: Në themelin bazë të ligjit, ekziston e drejta për të ankimuar, i cili fillimisht është administrativ, ndërsa më pas nëse ankimuesi është i pakënaqur çështja shkon në gjyqësor.
Ndërhyrja është për të krijuar një mekanizëm të përkohshëm për të vendosur drejtësi, ndërsa më pas çështja shkon në Gjykatë. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë ligj dhe propozimet janë bërë në respekt të këtij vendimi dhe jo në kundërshtim të tij.
(fillon hedhja e fishekzjarrëve nga selia e PD dhe kryeministria)
Sajmir Tahiri: Vendosni qetësinë në sallë
Nasip Naço: Janë fishekzjarre për Kosovën (Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë)
Sajmir Tahiri: A është mirë kryetarja të paktën se po të jetë ajo në rregull, në rregull jemi edhe ne të tjerët?
Aldo Bumçi: Pranohet që vendimet e mëparshme për pronat kanë pasur probleme, por kjo është një çështje që duhet rregulluar. Vendimi i Gjykatës Kushtuese krijoi një boshllëk dhe ky duhet mbushur dhe në këtë propozim ka ndryshime thelbësore me atë që mori vendimi gjykata.
Vasilika Hysi: Po vini në lojë sigurinë e vendit. Dihet tashmë që mafia ballkanike ka filluar të investojë në sheshe ndërtimi dhe fabrika. Shpresojmë që ky ligj të mos jetë bërë me shtysën e mafias. Në deklarojmë votën kundër këtij ligji dhe do ta shihni që shumë shpejtë do të dërgohet përsëri në Gjykatën Kushtetuese
Bumçi: Është një mijë herë më mirë që ne të propozojmë ligje nëse ka një boshllëk dhe ai të dërgohet në gjykatë kur ka probleme se ta të rrimë me duarkryq. Çfarë do të bëhet më pas?
Shega Ligori: Ligji është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën. Pasi vodhët votat tani doni të vidhni edhe pronat.
Erjon Braçe: Gjatë pesë viteve keni ndryshuar tetë herë këtë ligj dhe tre herë Gjykata Kushtetuese ju ka kapur me shkelje të renda.
Nëse doni të zgjidhni problemin e pronave filloni nga Porto-Romano ku një njeri (Damir Fazlliç) u ka rrëmbyer pronën fshatarëve me ndihmën e shtetit dhe KRTRSH-së, filloni nga Orikumi, Jala, etj.
Nishani: Ju përmendet disa raste, të cilat, sipas jush, janë me probleme, nëse vërtet e keni shqetësim këtë çështje urdhëroni ta votojmë së bashku ligjin.