E Diel, 1 Nëntor 2026

Leksioni i Fullanit: Mënyrat për të kursyer të ardhurat

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe institucioneve të specializuara në fushën e edukimit dhe çështjeve sociale.

 “Ne në Bankën e Shqipërisë e dimë se krijimi i një kulture të mirëfilltë ekonomiko-financiare është një rrugë e gjatë dhe jo e lehtë. Rezultatet e punës në fushën e edukimit nuk janë lehtësisht të matshme. Por, në afat të gjatë, ne jemi të bindur se do të jenë të dukshme dhe të dobishme”, është shprehur dje kreu i Bankës Qendrore, Fullani. Takimi ndoqi 2 linja kryesore: prezantimi i broshurës “Planifikoni të ardhurat – Ndërtoni të ardhmen tuaj” dhe lançimi i programit të edukimit për punonjësit socialë në fushën e Bankës Qendrore. “Banka Qendrore në jetën e përditshme”, programi i ideuar dhe lançuar nga Banka e Shqipërisë vitin që shkoi, pas aktiviteteve të organizuara me përfaqësuesit e medias, mësuesit e lëndës së ekonomisë në shkollat e mesme, nxënësit e shkollave të mesme e studentët, do të shtrihet këtë vit edhe në një grup të përzgjedhur të rinjsh, të sapodiplomuar në degën e punës sociale. Banka e Shqipërisë synon që nëpërmjet trajnimit të këtyre punonjësve socialë të arrijë tek një grup sa më i zgjeruar njerëzish, ose më mirë tek të gjithë ata, që për arsye të ndryshme, kanë kontakt me punonjësit socialë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›