Hiqen abonetë, qytetarët protestojnë, Vargu: Granti i bashkisë është përdorur për fusha basketbolli
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas vendosi që, duke filluar nga 1 maji numri i autobusëve për çdo linjë në kryeqytet të reduktohet me 50 për qind, paralelisht të hiqen abonetë, dëshmitë dhe librezat për kategoritë e qytetareve që sipas ligjit përfitojnë udhëtim falas.
Reagimi
Në lidhje me këtë problem ka reaguar edhe Lëvizja Socialiste për Intergrim nëpërmjet Petrit Vargut. Ai i ka bërë një kundëreplikë nënkryetarit të bashkisë, Eduard Shalsit, i cili nuk kishte dhënë asnjë zgjidhje për problemin e aboneve. Vargu u shpreh se, Bashkia e Tiranës duhet të përdorë një grant prej 1.4 milion eurosh, i cili nuk është vënë ende në përdorim. “Granti prej 1.4 milion eurosh për subvencionimin e transportit urban është përdorur nga bashkia për të bërë fusha basketbolli”, - thotë Vargu, duke shtuar se, “drejtorët e bashkisë në mbledhjen me shoqatën e transportit përdorin mënyrat e Augusto Pinochetit në vitin 1973 në grevën e kamionistëve të Kilit, duke i kërcënuar grevistët me heqjen e licencës dhe më tepër.” Vargu i ka propozuar nënkryetarit të bashkisë, Shalsi, që të veprojë si Bashkia e Durrësit, Elbasanit apo Kamzës. “Unë e ftoj nënkryetarin e bashkisë që të dalë në një debat të hapur për problemet e Tiranës, sepse jam i sigurtë që ai s’di asgjë për këto probleme, pasi synimi i tij është vetëm të korruptohet. Mos harro për asnjë moment, ju jeni në atë vend falë lidhjeve basketbollore dhe jo si fryt i aftësive menaxheriale ose background-i politik”,- i drejtohet ai Shalsit. Sipas Vargut, privatizimin e transportit në kryeqytet e ka kërkuar dhe licencuar bashkia, ashtu si dhe privatizimin e mbledhjes së plehrave dhe këtij fakti nuk mund t’i përgjigjet populli me rritjen e taksave.
Shkurtimet e shpenzimeve
Sipas shoqërive të transportit, kjo është e vetmja mënyrë për të shkurtuar disi shpenzimet që janë rritur ndjeshëm pas shtrenjtimit të naftës dhe mossubvencionimit nga ana e qeverisë të aboneve, librezave dhe dëshmive të kategorive të qytetarëve që udhëtojnë falas. Përfaqësuesit e Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas kanë bërë të ditur se për problemet e tyre kanë vënë në dijeni Ministrinë e Transportit dhe atë të Financës, drejtuesit e të cilave iu kishin premtuar miratimin në janar të një planveprimi për zgjidhjen e problemeve. Por, kjo çështje u la në harresë nga institucionet shtetërore, duke bërë që shoqëritë e transportit të ndërmerrnin masa drastike, të cilat rëndojnë direkt mbi qytetarët.