Kur elitat nuk e kapërcejnë origjinën...
Unë jam dakord me analistin Mero Baze, kur thotë se ky libër nuk është një roman, por një esé, ku autori vetëshprehet kundërthënës duke iu mveshur personazheve të tij ide vetanake, pa bazë historike dhe pa referencë, thjesht për t’u bërë strumbullar i debatit, por jo prijës i tij.
Voskopoja nuk është rasti i shkatërrimit të një vlere kulturore të brendshme nga një fuqi kulturore e jashtme, që u mbivendos historikisht. Dëshmitë e romakëve ndaj trashëgimisë helene në këtë gadishull janë ku e ku më lemeritëse. Ky nuk është as rasti i revanshit të një ushtrie vendase që vjen për të përmbysur ngrehinën kulturore të një pushtuesi pararendës. Historia e artë e Andaluzisë së fundit të mijëvjeçarit dhe rikonkuista spanjolle pas saj mbahen mend pak më mirë se historia e Blushit. Për këtë arsye, ky libër sjell debat, por jo konkluzione. Dhe ku nuk ka konkluzione, nuk ka as palë që vlen të lëndohen.
Problemi kështu reduktohet tek elita që debaton rreth këtyre qëndrimeve dhe te tezat që konsumohen publikisht.
E parë në këtë dritë, më duhet të them se shumica e komentuesve, për shkaqe personale të formimit ateist, pranojnë të mveshin qëndrime deri vetëposhtëruese nacionale për të mos i lëshuar terren tezës së natyrshme të përqafimit të fesë si zgjedhje e lirë e individit. Kjo ndodh, edhe kur komentuesit mbartin mantelin e nacionalistit të arsyeshëm, si në rastin e z. Godo.
Të deklarosh se shqiptarët në lidhje me fenë e kanë kthyer “gunën nga fryn era”, të deklarosh se ata kanë përtallur marrëdhënien e tyre me Zotin, sepse kanë hyjnizuar atdheun, do të thotë të mos ngrihesh dot as deri tek inteligjenca pasive e njeriut të thjeshtë. Ose për këtë ka arsye të tjera, që zotërinjtë e nderuar ende nuk i kanë thënë.
Duke mos dashur të hamendësoj skenare konspirative, pranoj më mirë të aplikoj ndaj gjykimit publik të këtyre njerëzve, qasjen që ata kanë përdorur ndaj “miletit” shqiptar: cinizmin.
Kjo jo thjesht sepse dikush ka ndërruar përfund edhe emrin, për t’i ikur hijes së origjinës së tij.
Elitat shqiptare kanë qenë thuajse gjithnjë një hap mbrapa në virtyte në raport me publikun vendas apo me origjinën e tyre. Falë situatës së pazhvilluar kombëtare, rritja e tyre mendore e ka thelluar hendekun me pikën e prejardhjes, duke ndërtuar në rastin më të mirë arrivistë ikanakë, e në rastin më të keq cinikë vetëpërbuzës, jo fort rrallë edhe mizorë. Të parët ndoshta qeverisën edhe Portën e Lartë apo dhanë leksione nga mërgimi. Të dytët “masakruan” shqiptarët.
Ky përfundim mund të mos jetë i vërtetë vetëm për periudhën e viteve ’30, kur mbretëria e Ahmet Zogut vendosi ta shuante rolin e elitës kombëtare, ndërsa përbetohej për orientim oksidental. Pjesshëm ky diskutim mbetet i hapur edhe për një segment kohor të Rilindjes Kombëtare.
Por unë gjithsesi dua të pohoj se ky publik në shekuj e ndoqi rrjedhën evolutive të fesë për shumë arsye. Veç taksave, dëshirës për të mbajtur armë, etjes për pasuri, pronë, etj., siç nënvizojnë komentuesit, natyrshëm ai ka pasur edhe shtysa të brendshme. Sepse po flasim për njerëz.
Është tragjike të vëresh se elitat e këtij vendi nuk e shohin dot publikun e tyre si një mjedis human. Dhe te njeriu, virtyti fillestar i paradhënë (vorgegeben – i bashkëlindur me të) është vetëdija e nënvetëdijshme transhendentale si dashuri - e - drojë ndaj Zotit. Përkatësia hyjnore lind me njeriun.
Në rrethanat primitive të zhvillimit, në një mjedis kryesisht malor e në shumëçka rural, vetëdija transhendentale mund të mos ishte e artikuluar në arsye, por ajo ishte e shprehur në vepra. Ndërkohë, udhëheqësit politikë e mendorë të këtyre turmave nuk e kanë ndarë thuajse kurrë këtë ndjesi varësie. Elitat e këtij vendi kanë qenë gjithnjë më larg arsyes dhe më pak shpirtërore, se pjesa tjetër e publikut që kanë qeverisur e drejtuar.
Sjellja e sundimtarëve shqiptarë ndaj nënshtetasve të tyre në kohë nuk shpjegohet vetëm me mjedisin feudal dhe psikën e dhunës gjithësunduese të epokave. Ajo e ka bazën te mungesa e vizionit transhendental të sundimtarëve dhe elitave rreth tyre. Dhe në një vend ku shpallet mungesa e Zotit, ajo patjetër duhet të mbushet me praninë e Sundimtarit.
Kam gjithë të drejtën të besoj se fatkeqësia e këtij vendi dhe “miletit të tij” kanë qenë elitat e pashpirt (me botëkuptim aspak shpirtëror), tërësisht materialiste e pragmatike, arriviste vetëm në rrafshin personal.
Jam i bindur se nuk ka qenë publiku, i cili ka ndryshuar fenë sipas pushtuesit, por ka zgjedhur qoftë edhe pavetëdijshëm t’i afrohet sa më shumë Zotit me dashuri e drojë. Të paaftë të gjykojnë fetë dhe superstrukturat e tyre të importuara, shqiptarët kanë vendosur të jetojnë sa më pranë Zotit, së fundi qoftë edhe si myslimanë.
Janë elitat ato që kanë përshtatur bindjet sipas çdo pushtuesi dhe i janë nënshtruar çdo koniukture që iu rrezikonte tagrin personal. Ndaj në këtë gjykim rikujtoj një vjershë të Anton Paplekës për intelektualët, i cili i krahason ata me Lulen e Diellit. Kur nuk ka diell, ata e mbajnë kokën përdhe’.