E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, darkë pune me ambasadorët

Edi Rama priti dje në një darkë pune ambasadorët e huaj të akredituar në kryeqytetin shqiptar. Lideri i opozitës, njëkohësisht kryebashkiak i Tiranës, shfrytëzoi fillimin e vitit të ri për të bashkëbiseduar me kryediplomatët perëndimorë. Kjo lëvizje e Ramës duket se i shërben vendosjes së marrëdhënieve sa më pozitive mes tij dhe ndërkombëtarëve, teksa na ndajnë vetëm pesë muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 28 qershorit 2009. Burimet nga selia rozë sqaruan mbrëmë për gazetën se bashkëbisedimi ishte i frytshëm dhe kishte në qendër zhvillimet në vend dhe proceset e ardhshme. Darka është zhvilluar në restorantin e "Sky Tawer" , por nuk bëhen të qarta elementë të tjerë të bisedës mes diplomatëve dhe drejtuesve të lartë socialistë. Gjithsesi, kreu i socialistëve pak ditë më parë ngriti zërin për procesin e ardhshëm zgjedhor. Selia rozë ngulmoi në kërkesën për të siguruar një proces sa më transparent zgjedhor në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ata kërkuan nga Kryeministri të merrte masa për pajisjen me karta identiteti të 750 mijë shtetasve që nuk kanë pasaporta dhe që në mungesë të këtij dokumenti të dytë humbasin të drejtën e votës. Paralelisht me këtë u insistua në idenë e ngritjes së një komisioni parlamentar ad hoc me synim monitorimin e punës përgatitore për mbajtjen e zgjedhjeve të qershorit. Kjo nuk është hera e parë që Rama mbledh në një tryezë të gjithë ambasadorët perëndimore të akredituar në Tiranë. Së pari kjo ndodhi në rastin e lobimit që opozita po bënte në kuadër të procesit të marrjes së ftesës për në NATO. Takimi i fundit ishte, sërish një darkë pune, tre muaj më parë, në një nga restorantet e kryeqytetit. Në atë bashkëbisedim Rama informoi diplomatët për marrëdhëniet e Kryeministrit Berisha me gjyqësorin, pengimin sipas tij të hetimit të Gërdecit dhe nxjerrjes së përgjegjësve që sollën dhe këtë tragjedi, në të cilën humbën jetën 26 persona të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Në vijimësi, Partia Socialiste informon ambasadat kryesore në Tiranë për ecurinë e proceseve politike në Parlament dhe jashtë tij.

Deklarata

Lohan: Zgjedhjet,

test për Shqipërinë

Kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, theu para dy ditësh heshtjen e gjatë, duke i kujtuar politikës shqiptare që të nisë menjëherë përgatitjet për zgjedhjet parlamentare. Duke folur në një aktivitet në lidhje me ecurinë e biznesit, kryediplomati i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka përsëritur qëndrimin e Brukselit se "zgjedhjet e këtij viti janë një gur prove për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian". Ambasadori Lohan ka deklaruar se suksesi i zgjedhjeve parlamentare, pra mbajtja në mënyrë të ndershme dhe të lira e procesit elektoral, është jetik për zhvillimin politik të vendit, por edhe të biznesit. Kjo deklaratë e kreut të delegacionit të BE-së në Tiranë, bëhet pasi kanë nisur akuzat e opozitës për një dyshim të manipulimit me anë të kartave të identitetit. Lohan i ka bërë thirrje edhe klasës së biznesmenëve që të bëhet pjesë e lobingut për mbajtjen e zgjedhjeve të lira.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›