E Shtunë, 31 Tetor 2026

G99-a në kërkim të votave për 2009-ën



G99-a vijoi prezantimet në qendrat kryesore urbane dhe universitare të vendit me një takim në qytetin e Korçës. Në këto takime kjo organizatë që ka vendosur të garojë në zgjedhjet e ardhshme po tenton të paraqesë alternativat e saj elektorale për këto zgjedhje duke kërkuar mbështetje popullore. Kreu i kësaj lëvizjeje, Erion Veliaj, theksoi në këtë takim se “2009-a do të jetë një betejë për mendjet dhe për zemrat e shqiptarëve dhe si e tillë ajo kërkon organizimin e të gjitha energjive progresiste për t’u bërë ballë atyre që organizohen për të mbrojtur interesa të ngushta apo për t’u mbrojtur nga ligji”. Veliaj tha më tej se “asnjë qytetar nuk mund t’ia dalë të fitojë i vetëm betejën kundër një shteti të korruptuar, nën hyqmin e një familjeje të vetme, por të gjithë së bashku me shpresë dhe këmbëngulje mund të ndryshojmë realitetin në Shqipëri”. "Ne jemi këtu për t’ju shqetësuar, - tha Veliaj - për t’ju thënë se nëse flini të qetë sot, nuk do të thotë se problemet e gjithanshme nuk do t'ju prekin nesër". Duke adresuar situatën në Shqipëri, si dhe problemet e shumta të shtresave të ndryshme të shoqërisë Veliaj tha: "Nuk duhet të presim që çdo grupi apo komuniteti këtu në Shqipëri t’i thyhet kurrizi, si në rastin e minatorëve grevistë, nën barrën e rëndë të papërgjegjshmërisë së shtetit. Tashmë ka ardhur koha që të mendohemi për 2009-ën, për këtë betejë të madhe për zemrat dhe mendjet e shqiptarëve. Dhe pyetja ime për ju është: “Ku janë mendjet dhe zemrat e Korçës sot?” Veliaj inkurajoi qytetarët korçarë të shfrytëzojnë G99-ën për të promovuar dhe sjellë në vendimmarrje djemtë dhe vajzat më të afta dhe më të mira të qytetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›