E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Serbia, jo shtet paralel në Mitrovicë



Sipas tij, ka shumë “Mitrovica” në rajon

Kërkon zgjerim të BE-së në Ballkan

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, akuzoi dje shtetin serb për aktivizim të strukturave paralele në Mitrovicë, ndërsa kërkoi distancimin nga përpjekje të tilla që cenojnë paqen dhe stabilitetin në rajon. Me tone të ashpra në samitin e Dubrovnikut, Kryeministri shqiptar apeloi se nuk mund të ketë struktura paralele në Mitrovicë. "Sepse ka tri 'Mitrovica' në Serbi dhe shumë të tjera në rajon”, - u shpreh z.Berisha. Shefi i qeverisë shqiptare bëri të ditur se “ne nuk i kemi inkurajuar kurrë shqiptarët e Medvegjës, Preshevës dhe Bujanovcit që të mos marrin pjesë në jetën publike serbe. Përkundrazi, pohoi Berisha, jemi të bindur se duhet të marrin pjesë në të gjitha proceset demokratike në Serbi si garanci për paqe dhe stabilitet. Këtë qëndrim Kryeministri Berisha e bëri gjatë punimeve të konferencës ndërkombëtare të shefave të shteteve dhe qeverive në Kroaci. Duke u ndalur tek zhvillimet në Bashkimin Evropian, Kryeministri Berisha evidentoi faktin se "nuk është e drejtë që zgjerimi i BE-së në Ballkan të lidhet me referendumin për Traktatin e Lisbonës". Sipas njoftimit për shtyp, kjo u theksua nga të gjithë pjesëmarrësit në panel, të cilët vlerësuan se ky proces është një arritje e madhe dhe e shpejtë e sukseseve të BE-së. Pjesëmarrësit në samit vlerësuan gjithashtu suksesin e reformave në vendet e Ballkanit dhe nënvizuan se vazhdimi i tyre është një hap i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian.

Në këtë samit, Berisha foli dhe për progresin që ka bërë Shqipëria në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe integrimin e afërt në BE. Sipas tij, "marrja e ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO ishte një gjest për vlerësimin e reformave të realizuara nga qeveria shqiptare". Në panelin me temë "Axhenda e BE-së pas Traktatit të Lisbonës", Kryeministri Berisha pohoi se "zhvillimet pas Traktatit të Lisbonës për Shqipërinë dhe rajonin nënkuptojnë përpjekje të mëdha dhe performancë më të mirë në projektet e tyre madhore". Këto projekte, cilësoi Kryeministri, përbëjnë planin e vërtetë të masave, në të cilin është fokusuar qeveria që drejtoj. Z. Berisha u ndal në reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës, informalitetit dhe evazionit fiskal. Ne, tha Kryeministri, po reformojmë sistemin e drejtësisë, sepse duhet të ecim përpara drejt demokracisë dhe shtetit ligjor. "Ne kemi ndërmarrë luftën me zero tolerancë ndaj krimit, kemi shkatërruar më shumë se 200 grupe kriminale dhe kemi vënë para drejtësisë më shumë se 900 drejtues dhe anëtarë të tyre. Sot Shqipëria është nga vendet më të sigurta, me tregues kriminaliteti më të ulët se mesatarja e vendeve të BE-së", tha z.Berisha. Ai evidentoi se "në sajë të reformave, qeveria shqiptare ka dërguar për herë të tretë një buxhet suplementar në Kuvend, ka reduktuar nga 3.9 në 1.9% të GDP-së shpenzimet operative dhe ka ndaluar prokurimet e drejtpërdrejta, duke kaluar gradualisht tek prokurimet elektronike". Duke nënvizuar përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri, z. Berisha informoi se "qeveria shqiptare ka ulur nga 23 në 6 numrin e taksave kombëtare, po aplikon taksën e sheshtë 10% dhe ka eliminuar disa licenca, duke lënë vetëm 62 të tilla. Në panel ishin të pranishëm Kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, Kryeministri i Malit të Zi , Milo Gjukanoviç , ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, zv.kryeministri i Çekisë, Aleksander Vondra dhe drejtori i Zgjerimit në Komisionin Evropian, David Daly dhe personalitete të tjera.

Dubrovnik, Berisha takon homologët evropianë

Kryeministri Sali Berisha, gjatë qëndrimit në Kroaci ku po merr pjesë në samitin e Dubrovnikut, zhvilloi takime me të gjithë personalitetet e larta që merrnin pjesë në këtë samit. Kryeministri takoi Ndihmëssekretarin e Zyrës për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë në Departamentin e Shtetit, Daniel Fried, ministrin e Jashtëm të Suedisë, Carl Bildt, Kryeministrin e Kroacisë, Ivo Sanader, Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç si dhe ministra dhe ambasadorë që merrnin pjesë në këtë samit. Diskutimet gjatë këtyre takimeve u përqendruan në procesin e integrimit të rajonit të Ballkanit, intensifikimin e marrëdhënieve mes vendeve të BE-së dhe NATO-s me vendet e Ballkanit në fushën e sigurisë dhe zhvillimit si dhe perspektivën euroatlantike të këtyre vendeve.

Roshi: Institut për dënimet e komunizmit

Partia e Ballit Kombëtar Demokrat kërkoi dje krijimin në Shqipëri të një instituti për dënimin e krimeve të komunizmit. Kryetari i kësaj partie, Artur Roshi, bëri dje të ditur se "Partia e Ballit Kombëtar Demokrat vlerëson dhe i kujton qeverisë shqiptare se është momenti për hapjen e një instituti për dënimin e krimeve të komunizmit”. Sipas tij, në një moment kur bashkësia ndërkombëtare i kërkon politikës shqiptare të dënojë krimet e komunizmit, ajo që duhet të reagojë me lëvizje konkrete është qeveria. Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat vlerësoi se është momenti që shoqëria shqiptare duhet të largohet realisht nga e kaluara e hidhur e diktaturës, jo më me demagogji, por me infrastrukturë ligjore. “Ne nuk mund të besojmë se mund të ketë reformë në drejtësi për aq kohë sa në sistemin gjyqësor drejtojnë dhe flasin për drejtësi ish-hetuesit dhe ish-sigurimsat”, - tha ai, duke nënvizuar se “në mënyrë absolute dosjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të hapen për të gjitha shkallët e gjyqësorit, në mënyrë që të zhdukim paragjykimet nga gjyqësori për pronat dhe për çdo çështje të shtresës së persekutuar nga vetë ata dje”.

PDS: Dosjet, “shashkë” për të harruar Gërdecin

Partia Demokracia Sociale e sheh debatin për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit si një mënyrë për të mbyllur çështjen e tragjedisë së Gërdecit. “Rihapja sërish e debatit politik për hapjen e dosjeve të diktaturës, për Demokracinë Sociale por besoj edhe për shumë aktorë të tjerë seriozë jo vetëm të politikës, por dhe të medias së lirë apo shoqërisë civile, kurrsesi nuk mund të tolerohet të përdoret nga mazhoranca e sotme e Kryeministrit të Gërdecit, si shashka e radhës për t’u tërhequr vëmendjen shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve nga korrupsioni dhe krimi shtetëror i qeverisë së mashtrimeve, që ka mbërthyer dhe po mban peng shtetin”, - shprehet sekretari politik i kësaj partie, Artur Duçkallari. Sipas tij, PDS-ja vlerëson se të gjitha dosjet e bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, që kanë humbur vlerat e tyre operative, me ligjin e ri, duhet t’i kalojnë Arkivit të Shtetit dhe të jenë të hapura për t’u konsultuar nga publiku i gjerë apo edhe politikanë të veçantë që dëshirojnë të njihen me to. “Ne besojmë, se vetëm me këtë rregullim ligjor përfundimtar, mund t’i jepet fund “betejës së pseudonimeve” intrigave perverse dhe shantazhit politik brenda klasës së sotme politike”, - thekson Duçkallari. Sipas tij, zvarritja shumëvjeçare e kësaj transparence ka ushqyer abuzimin, nëpërkëmbjen dhe poshtërimin padrejtësisht të një grupimi të caktuar njerëzish dhe familjarëve të tyre brenda apo jashtë politikës, duke degjeneruar pse jo edhe vetë imazhin e klasës politike. Sekretari i PDS-së shton se “ligji i ri për dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit duhet të ketë në thelb të tij heqjen njëherë e mirë të monopolit denigrues dhe çlirimin e tyre prej tutorëve politikë të majtë apo të djathtë qofshin”. Ndërkaq për PDS-në, ky monstruozitet politik duhet të marrë fund njëherë e mirë me hapjen dhe çuarjen në Arkivin e Shtetit të të gjitha dosjeve, regjistrave apo kartelave që posedohen pa përjashtim, sikundër është vepruar dhe ka rezultuar i suksesshëm ky proces në Poloni, Çeki, ish-Gjermaninë Lindore etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›