E Diel, 1 Nëntor 2026

Oketa: S’besoj në implikimin e z.Withers, amerikanët e dinin që po blinin plumba kinezë

Intervista/ Flet për reformën në ushtri dhe kreu i Ministrisë së Mbrojtjes z.Gazmend Oketa

Afro tre muaj në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, Gazmend Oketa, nuk fsheh faktin se ndihet si në një institucion ku pasojat e “plagës” së marrë me 15 mars në Gërdec, janë akoma të pranishme. Por sipas kreut të mbrojtjes shqiptare, “plaga” po ndien përmirësime, ndërsa tregon për hapat që janë ndërmarrë për eliminimin e gjurmëve të 15 marsit. Ministri Gazmend Oketa përmes gazetës “standard” flet për vijimësinë e reformës në ushtri, ardhjen e gjeneralëve të rinj dhe kush do të jetë pasuesi i Luan Hoxhës në krye të Shtabit të Përgjithshëm. Oketa komenton dhe akuzat e ngritura ndaj ambasadorit të SHBA-së në Tiranë z.Withers për municionin kinez në Afganistan me bindjen e plotë të përjashtimit nga çdo implikim të z.Withers lidhur me tregtinë e armëve kineze apo të çdo lloji. Oketa zbardh projektin e shkatërrimit të 100 mijë tonë municioneve në të gjithë vendin me synimin se brenda 2010-ës rreziku për popullatën do të jetë zero. Ministri i Mbrojtjes nuk anashkalon as debatet e fundit politike për dekretet e Presidentit Topi që kanë të bëjnë me anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë si dhe nevojën e neutralizimit të raporteve me Presidentin Topi nga ana e mazhorancës parlamentare. Gazmend Oketa, që vazhdon të jetë ende i “pazëvendësueshëm në qeveri” për faktin se posti i zëvendëskryeministrit, është ende vakant, pohon se i rëndësishëm është fakti se qeveria funksionon dhe po përmbush detyrimet e saj para qytetarëve shqiptarë.

Z.Ministër, si ndiheni që edhe pas gati 3 muajsh në krye të mbrojtjes shqiptare, ky dikaster vazhdon të “sulmohet” gjithnjë e më shpesh për atë që ndodhi me 15 mars?

Nuk është e lehtë që në pak fjalë t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje. Ndihem si në një institucion ku pasojat e “plagës” së marrë me 15 mars ndihen akoma. Por çdo ditë që kalon “plaga” ndien përmirësime. Jam përpjekur që të përcjell një frymë bashkëpunimi me të gjithë, civilë apo ushtarakë, me objektiv që të shohim përpara, të përmbushim ato detyra dhe objektiva që kemi. Ndiej se ka një reagim pozitiv dhe dëshirë për të ecur përpara dhe për këtë arsye mund të them se ndihem mirë, pavarësisht faktit se ky dikaster “atakohet”. Personalisht vlerësoj çdo kontribut, duke mos i dhënë rëndësi mënyrës se si vjen ai, nëpërmjet “sulmeve” apo sugjerimeve. Nëse ka diçka të vlefshme në këto kontribute, duhet marrë në konsideratë, duhet vlerësuar, dhe aty ku duhet, të korrigjosh shënjestrën.

Kur morët detyrën e kreut të Ministrisë së Mbrojtjes, paralajmëruat një reformë, gjë të cilën edhe po e realizoni. Në vijimësi të kësaj reforme, kush do të jenë “viktimat” e radhës”?

Fjala reformë nuk ka asnjë lidhje me fjalën “viktimë”. Viktimat vijnë si pasojë e një lufte apo beteje, dhe unë nuk preferoj asnjërën prej tyre. Reforma është diçka shumë më e madhe sesa një vend pune më shumë apo më pak. Reforma duhet të synojë krijimin e një strukture sa më funksionale dhe efiçente, dhe jo në “viktimën e radhës”. Vetë objektivat që ka Ministria e Mbrojtjes, vetë detyrimet që lindin nga anëtarësimi në NATO, kanë kërkesë të domosdoshme ndërmarrjen e reformave. Ne po punojmë për një ushtri moderne, tërësisht profesioniste, e cila do t’i shërbejë më mirë atdheut, por nga ana tjetër dhe vetë ushtria do të ndihet e vlerësuar për kontributin e saj. Ky është qëllimi i reformave në këtë ministri.

Kryeministri Berisha është shprehur për reformë të thellë në institucionet e sigurisë kombëtare, madje ka njoftuar dhe krijimin e një agjencie të posaçme pranë qeverisë për këtë çështje. Si do të kryhet ky proces dhe cilat janë etapat e kësaj reforme?

Referuar zhvillimeve të viteve të fundit kudo në botë, shumë vende kanë ndërmarrë reforma në institucionet e tyre të sigurisë. Vetë marrja e ftesës për anëtarësim në NATO, angazhimet që vendi ynë ka në struktura të tjera ndërkombëtare, kërkojnë që ky sektor të përshtatet dhe reformohet lidhur me këto zhvillime të reja. Objektivi kryesor i cili do të udhëheqë këtë proces është siguria kombëtare dhe gjithçka do të bëhet në funksion të këtij objektivi dhe natyrisht duke respektuar standardet e kërkuara lidhur me organizimin dhe funksionimin e organeve të tilla.

Si po ecën stërvitja e FA-së në kuadër të anëtarësimit në NATO dhe në raport me shtetet e tjera ballkanike, sa cilësore janë Forcat tona të Armatosura?

Unë do të thosha se Forcat tona të Armatosura kanë një nivel të lartë përgatitjeje dhe këtë e kanë dëshmuar jo vetëm në stërvitje të përbashkëta me vendet e rajonit apo në kuadër të stërvitjeve të përbashkëta me vende anëtare të NATO-s, por dhe në misionet e tyre paqeruajtëse në Afganistan, Irak, Bosnjë. Më tepër sesa krahasim me ushtritë e vendeve të tjera ballkanike, unë do preferoja të thosha se sa këto ushtri përshtaten apo janë në gjendje të kryejnë operacione të përbashkëta. Stërvitja “Adriatik Aurora 08” e dy javëve më parë në Kroaci, në kuadër të A3 ishte dëshmia më e mirë nivelit të lartë të ushtrive tona dhe nivelit të lartë të bashkëpunimit të tyre. Tashmë flitet për siguri rajonale dhe jo thjesht vetëm siguri të një vendi të veçantë.

Largimi i drejtuesve të Forcave të Armatosura dhe emërimi i gjeneralëve të rinj, mendoni se uli efikasitetin në ushtrinë shqiptar, ndërkohë që kërkohet gjithnjë e më shumë arritja e standardeve nga NATO-ja?

Çdo organizëm, çdo institucion normalisht duhet të jetë i përgatitur për të kapërcyer dhe momente të paparashikuara, aq më tepër Forcat e Armatosura, të cilat duhet të jenë të afta të kapërcejnë çdo situatë të vështirë. Institucionet e qëndrueshme ndërtohen mbi bazë rregullash dhe individët natyrisht kanë rolin e tyre. Besoj se Forcat e Armatosura janë njësoj të angazhuara dhe të motivuara pavarësisht lëvizjeve në komandim.

Kush do ta zëvendësojë Gjen. Luan Hoxhën në krye të Shtabit të Përgjithshëm? Është e vërtetë se pasardhësi i tij do të jetë njëri nga 4 gjeneralët që dekretoi Presidenti Bamir Topi para disa ditësh?

Natyrisht që pasuesi i Gjen. Hoxhës do të jetë nga radhët e ushtarakëve me gradë madhore. Besoj se shumë shpejt do të caktohet dhe shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm. Cilido që të jetë, ai do të ketë mbështetjen time maksimale si ministër i Mbrojtjes dhe besoj se të njëjtën gjë do të më ofrojë dhe ai mua.

Vazhdojnë të jenë ende 100 mijë tonë municion i pazbërthyer në depot e armatimit në të gjithë vendin? Çfarë është bërë gjatë kësaj kohe me gjithë këtë armatim që përbën rrezik për popullsinë?

Asgjësimi i municioneve të tepërta përbën një prioritet të punës së Ministrisë së Mbrojtjes. Po punohet intensivisht çdo ditë dhe është në përfundim një program pune për asgjësimin e këtyre municioneve. Tashmë ky program po merr dhe komentet e fundit dhe zbatimi i tij do të fillojë menjëherë. Ai synon asgjësimin fillimisht të municioneve më të rrezikshme në përbërje dhe në vendndodhje. Hapi i parë do të jetë reduktimi i rrezikut për popullatën. Ministria e Mbrojtjes ka vënë në dispozicion të këtij objektivi 145 milionë lekë, vetëm nga rialokimet e bëra në buxhetin e vitit 2008. Ne po punojmë dhe besoj se brenda 2010-ës rreziku për popullatën do të jetë zero.

Cili është komenti juaj për hetimet që ka nisur Kongresi Amerikan ndaj çështjes Gërdeci ku flitet dhe për një takim Withers-Mediu për municionin kinez që do të nisej drejt Afganistanit?

Unë nuk do të preferoja të ndërhyja aspak në çështjet e Kongresit Amerikan apo çështjet e drejtësisë, por nuk mund të rri pa shprehur bindjen time se do të përjashtoja çdo implikim të z.Withers lidhur me tregtinë e armëve kineze apo të çdo lloji. Nga ana tjetër tregtia e armëve nuk duhet konsideruar si trafik, dhe për sa kohë ajo është tregti nuk ka asgjë të paligjshme. Referuar dokumentacionit prezent në Ministrinë e Mbrojtjes rezulton se origjina e mallit i është bërë e ditur zyrtarisht kompanisë EVDINLTD, dhe për mendimin tim kjo akuzë nuk qëndron. Gjithsesi, zbardhja e çështjes do të zhdukë çdo dyshim apo çdo hamendësim.

A i janë kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes dokumente rreth kësaj çështjeje dhe sa është e predispozuar ministria juaj për të dhënë dokumente, qoftë dhe implikuese me qëllim zbardhjen e çështjes?

Nuk është Ministria e Mbrojtjes ajo që përcakton nëse një dokument është implikues apo jo. Ministria i është përgjigjur çdo kërkese zyrtare, duke vendosur në dispozicion çdo dokument të kërkuar personave të autorizuar.

A jeni penduar që morët përsipër drejtimin e kësaj ministrie në momentin më të vështirë të saj?

Nuk jam penduar aspak, përkundrazi, nuk e kisha menduar se kjo punë do të më tërhiqte kaq shumë. Uroj shumë që së bashku me të gjithë stafin e ministrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm të arrijmë të bëjmë më të mirën e mundshme.

Të ndalemi pak tek qeverisja e drejtuar nga z.Berisha. Sa funksionale dhe efikase është qeveria e koalicionit të djathtë?

Funksionaliteti dhe efikasiteti maten me rezultate dhe jo me deklarime. Një qeveri e cila pavarësisht reformave të mëdha që ka ndërmarrë, uljes së vazhdueshme të taksave, i sjell vendit çdo vit një buxhet shtesë, një qeveri e cila rrit në mënyrë të ndjeshme pagat dhe pensionet, një qeveri e cila investon ndjeshëm në infrastrukturë, një qeveri e cila krijon kushte të favorshme për cilindo që dëshiron të ushtrojë biznes në Shqipëri, besoj se e meriton të quhet funksionale dhe efikase. Të mos harrojmë këtu nënshkrimin e MSA-së, ftesën për anëtarësim në NATO të cilat janë arritje madhore për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

Pritet që në vjeshtë Kryeministri Berisha të ndryshojë një pjesë të stafit qeveritar. Sipas saj, deri në ç’masë duhet ndërhyrë në ekzekutiv?

Kjo është një pyetje e cila ka më shumë se një vit që përsëritet dhe Kryeministri besoj se i ka dhënë të gjitha përgjigjet e mundshme kësaj pyetjeje.

Si e shpjegoni faktin që ju vazhdoni të jeni akoma i “pazëvendësueshëm” në qeveri? Kam parasysh këtu vendin e mbetur vakant të zëvendëskryeministrit.

Personalisht nuk besoj se ka njeri të pazëvendësueshëm dhe këtu fus veten time në radhë të parë. Natyrisht në politikë nuk funksionojnë 100% të njëjtat rregulla si në një biznes apo aktivitet tjetër. Ka shumë faktorë të cilët të kondicionojnë në një zgjedhje. i rëndësishëm është fakti se qeveria funksionon, se punët ecin përpara.

Nëse Kryeministri Berisha do t’ju merrte mendim për emrin që duhet të zëvendësojë në qeveri, kë do të preferonit?

Nëse Kryeministri do të më kërkonte një mendim, atëherë atë unë do t’ia shprehja atij dhe aty do të përfundonte deklarimi im lidhur me këtë preferencë.

A po e dëmton mazhorancën konflikti i fundit me Presidentin për dekretet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë?

Nuk do dëshiroja të quaja një konflikt. Ishte një debat apo diskutim lidhur me mënyrën se si duhej interpretuar një vendim i Gjykatës Kushtetuese. E rëndësishme është se në fund u respektua Kushtetuta dhe nuk ka asgjë të kundraligjshme në këtë histori. Kjo është më e rëndësishmja, të tjerat janë sekondare dhe do ishin shumë të dëmshme nëse kapërcenin këto elementë.

Mendoni se ka ardhur koha që grupi parlamentar i PD-së të kuptojë se tashmë Bamir Topi është President dhe duhet të qëndrojë mbi palët dhe nuk është më pjesë e këtij grupi politik?

Unë besoj se cilido grup parlamentar e ka të qartë se z. Topi është President dhe se ai qëndron mbi palët. Siç besoj se është krejt natyrale dhe njerëzore që secilitdo grup parlamentar, institucioni apo individi t’i tërheqë “kërraba nga vetja”. Edhe brenda një institucioni ka një rivalitet ndërmjet sektorëve të ndryshëm ku secili përpiqet të evidentojë punën e tij. E rëndësishme është që ky debat të udhëhiqet nga parime dhe jo nga interesa apo raporte personale. Grupi parlamentar i PD-së e ka ditur se z. Topi do të ishte një President mbi palët dhe pikërisht për këtë arsye e ka mbështetur kandidimin e tij. Tashmë flitet për raporte të tjera dhe siç thashë, duhet të jenë parimet, ligjet dhe Kushtetuta ato të cilat duhet të rregullojnë këto raporte. Të gjithë duhet të përpiqemi të kuptojmë e nxjerrim mësime nga çdo debat apo diskutim dhe jo çdo debat ta shohim si një konflikt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›