E Diel, 1 Nëntor 2026

Mosmarrëveshjet me Topallin, ndryshon pozicioni i Pollos në qeveri



Në fillim të shtatorit, kur Berisha prezantoi qeverinë e re që doli pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ajo që ra në sy midis të tjerave ishte dhe rikthimi i postit të ministrit të Shtetit. Në fakt, ky post më shumë u duk sikur ishte sajuar posaçërisht për të mos e lënë aleatin e vjetër të PD-së, Genc Pollon, i cili shkriu partinë e tij me PD-në pa asnjë post në qeveri. Madje, kreu i qeverisë, gjatë prezantimit të këtij posti, u shpreh se Genc Pollo do të jetë ministër Shteti për marrëdhëniet e qeverisë me Kuvendit. Por, në pak muaj ka ndryshuar pozicioni i Pollos në qeveri. Pikërisht gjatë ditës së djeshme, Presidenti i Republikës ka dekretuar pozicionin e ri të Pollos si ministër për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit. Burimet pranë PD-së kanë bërë të ditur se ndryshimi i pozicionit të Pollos lidhet me mosmarrëveshjet që ky i fundit ka pasur me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Por, që të mbash lidhjet e qeverisë me Parlamentin duhet doemos të kesh një komunikim shumë të mirë me kryetaren e ligjvënësit, gjë e cila u mungon dy eksponentëve të vjetër të PD-së.
Dekretimi
Në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës është bërë njoftimi për ndryshimin e pozicionit të Pollos. “Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me propozim të kryeministrit, zotit Sali Berisha, dekretoi ndryshimin e emërtesave të ministrave të kabinetit qeveritar. Zoti Sokol Olldashi do të kryejë detyrën e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit dhe zoti Genc Pollo të ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit”, - shkruhet në njoftimin zyrtar për mediat.
Marrëdhëniet
Sipas burimeve në PD, Topalli e Pollo janë dy figura të PD-së që nuk kanë pasur asnjëherë marrëdhënie të mira. Kjo për faktin e konkurrencës së brendshme në parti. Por marrëdhëniet janë acaruar edhe më tej pas largimit të Pollos nga PD-ja dhe krijimit të PDR-së. Nënkryetarja Topalli ka qenë ndër sulmueset më të ashpra të Pollos në atë kohë. Ndërsa me rikthimin e tij në parti ajo ka qenë kundër ribashkimit të PDR-së me PD-në. Aq më pak përfshirjes së menjëhershme të Pollos në Kryesinë Qendrore të PD-së pa asnjë miratim nga Këshilli Kombëtar. Duket se marrëdhëniet janë acaruar së fundi në kuadër edhe në zgjedhjeve të brendshme që priten të zhvillohen në PD-në për postet e anëtarëve të rinj të Kryesisë Qendrore, por edhe për postet e sekretarëve. Mësohet se Pollo ka kërkuar shtimin e një posti të tretë të nënkryetarit të PD-së, në mënyrë që ta drejtojë ai. Por duket se e gjithë kjo situatë nuk ka bërë gjë tjetër veçse acarim të marrëdhënies së tij me kryetaren e Kuvendit.

Haxhinasto: “Partitë të nisin punën për ndryshimet në Kodin Zgjedhor”

Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë të ditur dje se po përgatitin një platformë konkrete për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Zëvendëskryetari i kësaj partie, Edmond Haxhinasto, sqaroi se platforma në fjalë ka të bëjë me çështjet e administrimit zgjedhor.
“Por dokumenti më i rëndësishëm si pikë reference për këtë do të jenë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, i cili është institucioni ndërkombëtar i specializuar për vlerësimin e zgjedhjeve dhe për përcaktimin e standardeve që janë të nevojshme për t’u plotësuar, në mënyrë që këto zgjedhje të jenë në përputhje të plotë me standardet e miratuara nga ndërkombëtarët”, - u shpreh ai për mediat. Ai shtoi se të gjitha partitë politike duhet të kontribuojnë për këtë kod. “Të gjitha forcat politike duhet të angazhohen sa më parë në një proces transparent dhe gjithëpërfshirës në realizimin e reformës zgjedhore, pasi zgjedhjet vendore po trokasin në derë. Angazhimi ose jo në këtë proces do të vërtetojë se cilët janë ata që vërtet veprojnë për standardet e zgjedhjeve dhe të demokracisë”, - vijoi Haxhinasto. Gjatë konferencës për shtyp, zyrtari i lartë i LSI-së ka akuzuar PS-në se është kundër interesave kombëtare. “Sot është momenti që të gjitha forcat politike, ato parlamentare dhe joparlamentare, të angazhohen në mënyrë të përgjegjshme në ofrimin e konsensusit politik dhe për mbështetjen e hapave konkretë të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, siç është liberalizimi i vizave”, - u shpreh ai.

Komisioni i Ligjeve miraton marrëveshjen për ndërtimin e rrugëve dytësore

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dje tri marrëveshje të rëndësishme, synimi i të cilave është rehabilitimi i infrastrukturës rrugore dhe lokale, nxjerrja e Shqipërisë për herë të parë në tregun ndërkombëtar me anë të bonove, si dhe një projektligj për forcën shumëkombëshe të paqes në Europën Juglindore. Projektligji për “Ratifikimin e Marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e projektit të rrugëve rajonale dhe lokale” synon realizimin e objektivave të qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe parashikon ndërtimin e 1000 deri në 1500 km rrugë rajonale dhe lokale me një kosto të përgjithshme rreth 300-400 milionë dollarë.
Në vlerësimin e këtij projektligji, deputetët e Komisionit të Ligjeve theksuan se këto investime përputhen me strategjinë prioritare të qeverisë për rehabilitimin e infrastrukturës në të gjitha zonat rurale. Pasi dëgjuan ekspertët e Ministrisë së Financave lidhur me përparësitë dhe objektivat e këtij projektligji, anëtarët e Komisionit të Ligjeve miratuan projektligjin. Në vijim, Komisioni i Ligjeve mori në shqyrtim dhe miratoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes së mandatimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Deutche Bank AG, London e J.P.Morgan Securities, LTD, si menaxherë bashkëdrejtues, për transaksionin e emetimit të Eurobondit, deri në 400 milionë euro dhe miratimin e dokumenteve të tjera të transaksionit”. Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, nënvizohet se në kuadër të plotësimit të nevojave të huamarrjes për financimin e shpenzimeve kapitale për vitin 2010, Ministria e Financave vendosi të emetojë eurobondin e parë në historinë e vendit, duke shënuar nxjerrjen e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare financiare të kapitalit. Ekspertët e Ministrisë së Financave theksuan se financimi i siguruar nga eurobondi do të shërbejë për të plotësuar nevojat e buxhetit të shtetit për të financuar shpenzimet kapitale në euro.

Presidenti Topi niset për vizitë treditore në Maqedoni

Me ftesë të presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, u nis dje për një vizitë zyrtare treditore në Republikën e Maqedonisë, në krye të një delegacioni shtetëror me anëtarë të qeverisë, përfaqësues të pushtetit vendor, të kabinetit të presidentit, si dhe një grup sipërmarrësish të biznesit shqiptar. Kreu i shtetit shqiptar do të pritet nga homologu i tij maqedonas, me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë, për t’u pasuar me takimin e dy delegacioneve respektive zyrtare, ku në qendër të bisedimeve mes dy presidentëve do të jenë thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe forcimi i bashkëpunimit dypalësh, me qëllim realizimin e synimeve të përbashkëta eurointegruese. Presidenti Topi, së bashku me presidentin Ivanov, do të marrin pjesë dhe do të përshëndesin në Forumin ekonomik të biznesit maqedonas-shqiptar që do të zhvillohet në Shkup, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bizneseve të të dyja vendeve, me synim zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, gjetjen e mundësive të reja për tërheqjen e investimeve reciproke, si dhe ato të huaja në kuadrin rajonal. Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni, kreu i shtetit shqiptar do të zhvillojë një sërë takimesh, si me kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, me kryetarin e Parlamentit, Trajko Veljanoski, me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, me ish-presidentin Branko Cërvenkovski, aktualisht kryetar i Partisë opozitare LSDM, me kryetarin e Partisë “Demokracia e Re”, Imer Selmani, me kryetarin e Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, me rektorin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, Agron Reka, me kryetarin e Komunës së Dibrës, Argëtim Fida etj.

14 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›