E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushati: “Propozimi i KE-së për vizat është moment historik, qeveria të tregohet e përgjegjshme”



Deputeti Ditmir Bushati, në emër të Partisë Socialiste, e ka konsideruar propozimin e Komisionit Europian për heqjen e regjimit të vizave të një rëndësie historike. Pas marrjes së rekomandimit, Bushati i ka kërkuar qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore që të përmbushin pa humbur kohë dhe me seriozitet kushtet e konsideruara si të papërmbushura ende nga Komisioni Europian, që kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafiqet, konfiskimin e aseteve të krimit të organizuar, riintegrimin e të riatdhesuarve në shoqëri. Në këtë kontekst, Bushati, në emër të PS-së, i ka bërë thirrje maxhorancës dhe kryeministrit Sali Berisha që të demonstrojnë përgjegjshmëri në këto momente historike, duke lejuar transparencën kushtetuese të procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009, në mënyrë që t’i jepet fund krizës politike dhe qeverisëse përmes një zgjidhjeje të ndershme. “Partia Socialiste shpreh mirënjohjen e saj për Komisionin Europian, i cili propozoi sot (dje) heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Partia Socialiste falënderon angazhimin e institucioneve të Bashkimit Europian për ta trajtuar me përparësi procesin e liberalizimit të vizave, duke qenë të vetëdijshëm se vonesat në këtë proces kanë ardhur jo si pasojë e vullnetit të munguar të BE-së, por si rezultat i mungesës së seriozitetit të qeverisë shqiptare në realizimin e reformave”, - u shpreh Bushati. Deputeti socialist theksoi se hyrja në fuqi e këtij propozimi do ta bëjë edhe më konkrete perspektivën europiane dhe aspiratën shekullore të shqiptarëve për të lëvizur të lirë në hapësirën europiane.

28 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›