Bushati: Protestat e opozitës, vlerë e shtuar për integrimin
Partia Socialiste i kërkoi dje qeverisë të përmbushë detyrimet e saj për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave. Deputeti socialist, Ditmir Bushati, duke shprehur vlerësimin për qëndrimin inkurajues të Parlamentit Evropian për procesin e liberalizimit të vizave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, tha se nga ana e saj qeveria ka dështuar në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me heqjen e regjimit të vizave, duke dëshmuar për fat të keq se Shqipëria do të jetë vendi i fundit në rajon që do të mund të përfitojë nga heqja e regjimit të vizave. “Qeveria nuk mund të fshehë dështimet e saj para shqiptarëve, duke u përqendruar në retorikë, duke akuzuar opozitën padrejtësisht pasi beteja jonë për votën dhe protestat popullore në mbrojte të saj janë një vlerë e shtuar për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të vendit”, u shpreh Bushati. Sipas tij, “për të dalë nga kjo situatë e papranueshme që rëndon në radhë të parë mbi qytetarët shqiptarë, PS i kërkon qeverisë që të miratojë sa më shpejt Strategjinë e përditësuar dhe Planin e Veprimit për Menaxhimin e Integruar të Kufijve; të sigurojë bashkëpunimin e agjencive që operojnë në kufi, të tilla si shërbimi doganor, policor dhe kontrolli sanitar e fitosanitar; të sigurojë zbatimin e programit anti-korrupsion për Policinë e Kufirit dhe Migracionit; të krijojë Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare; të intensifikojë instalimin e sistemit TIMS në të gjitha pikat e kalimit kufitar”.