E Diel, 1 Nëntor 2026

Jerome Bel:Ju tregoj teatrin pas kuintave

 

Alma Mile

Ajo nuk u bë dot kurrë mjellma Odetë. Ajo ishte një ndër mjellmat me krahë të shtrirë e me dëshpërim të pamatë në sy. Është 42 vjeçe dhe nuk u bë dot kurrë një yll baleti. Veronik Dusno (Veronique Doisneau) është një ndër të shumtat balerina të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Paris. Vetëm pak ditë përpara se të braktisë karrierën e saj prej balerine ajo pranon të rrëfehet. Një rrëfim përmes një dokumentari të realizuar nga koreografi Jerome Bel, “Veronique Doisneau 2004”, shfaqur të dielën në ambientet e hotel “Dajti”, në kuadrin e episodit të tretë të Bienales së Tiranës. E veshur në tuta, me një tutu në sqetull dhe një shishe ujë, ajo del në skenë. Është spektakli i saj i fundit. Por edhe rrëfimi i parë i një balerine të “rangut” të saj. Koreografi shpjegon se përmes zërit të Veronikës kërkon të tregojë prapaskenat e një institucioni, që shihet si tempulli i baletit klasik dhe që është ndërtuar nga Luigji XIV. Por kushdo mund të identifikohet me Veronikën, çdo balerinë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, por edhe një njeri që nuk ka aspak lidhje me artin, por që vuan të njëjtat probleme si ajo. “Doja të jepja një vizion politik të situatës në këtë institucion, që është tepër problematik. Problemi është modeli monarkik. Është mbreti Luigji XIV që e ndërtoi atë dhe ky institucion e prezanton, që do të thotë se ka një piramidë sociale në balet, ku në fillim janë yjet, pastaj gjysmëyjet, pastaj ata që janë më pak dhe në fund më të “këqijtë”. Është një hierarki monarkike dhe danci kontemporan është kundër kësaj, aty ka demokraci dhe ka më shumë barazi. Ky sistem francez nuk ka pësuar një revolucion dhe vazhdon të ekzistojë në Francë, pavarësisht se i përket një paradigme tepër të lashtë, monarkike”, thotë koreografi, teksa kërkon të gjejë lidhet mes koreografisë, sociales dhe politikës. Për të arritur qëllimin e tij, u propozoi drejtuesve të Teatrit të Parisit, të punonte me një nga balerinat e trupës. E drejtuan tek yjet, por ai nuk donte një yll, por balerinën më të “keqe” të Operës së Parisit. Ata nuk pranuan, por dy javë më vonë drejtoresha e merr në telefon, duke i propozuar për projektin e tij, dikë që është në mes të hierarkisë. “Kështu që në mënyrë demokratike vendosëm për dikë të “mesit”, pasi ajo është në mes të dy eksperiencave, pranë yjeve, por edhe pranë atyre që nuk janë fort të “mirë” dhe mund të krijonim një ide më të përgjithshme mbi atë çka ndodhte aty”. Ajo çka ai bëri ishte pak a shumë puna e gazetarit, mbi pyetjet e të cilit u ngrit një lloj dokumentari. “Ky ishte një lloj revolucioni atje. Nga ana politike ishte një lloj marksizmi i aplikuar në një monarki të vogël”, thotë Bel.
“Emri im është Veronique Doisneau. Jam e martuar, kam dy fëmijë 6 dhe 12 vjeç. Jam 42 vjeç dhe do të dal në pension pas 8 ditësh. Sonte është performanca ime e fundit në Operën e Parisit. Për ata që janë ulur larg skenës, njerëzit thonë që ngjaj me aktoren franceze Isabelle Huppert. Kur isha 20 vjeç bëra operacion hernien fiskale. Nuk duhet të kisha kërcyer më. Në hierarkinë e Teatrit të Operës në Paris, unë jam një “subjekt”. Kjo do të thotë që mund të kërcej pjesët e “trupës së baletit” si dhe rolet e solistes. Unë marr 3,600 euro në muaj, pothuajse 23 mijë franga franceze. Nuk u bëra kurrë një yll. Për këtë nuk mora një përgjigje. Unë mendoj se nuk isha e talentuar sa duhej dhe se isha shumë delikate fizikisht...”, rrëfen Veronik.
Ajo ka një profil të bukur. Sytë i shkëlqejnë në një mënyrë të veçantë. Nuk janë prej gëzimit. Janë si të maskuar nga lot trishtimi, që ajo duket se i kafshon sa herë që tregon diçka që i dhemb. Është i njëjti trishtim që i kaplon gjithë qenien, kur luan një nga 32 mjellmat në “Liqenin e mjellmave”. Kur i duhet të rrijë me minuta të tëra në pozicione statike, si të ishte një objekt i vënë aty. Ndërsa rrotull saj yjet kërcejnë nën muzikën e Çajkovskit. “Ne bëhemi një dekor human për të vënë në pah “yjet” dhe kjo është gjëja më e tmerrshme që bëjmë. Do të doja të ulërija, apo të largohesha nga skena”, tregon Veronik.
“Është një rrëfim i thjeshtë, është fjala e një kërcimtare, e cila nuk flet kurrë. Ne dëgjojmë fjalën e kritikës, studiuesit, gazetarët, koreografët, por ata që janë më afër baletit, janë memecë, nuk i dëgjon kush. Pra unë i jap lirinë e fjalës atyre njerëzve që nuk flasin kurrë. Yjet flasin nëpër intervista, në gazeta, radio, televizione, ndërsa ata që janë “persona” nuk i pyet kush”, tregon Jerome Bel, ndërsa përpiqet të tregojë prapaskenat e një institucioni gjigand, një situatë e cila në të vërtetë gjendet pas kuintave të çdo teatri, pa përjashtuar edhe Tiranën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›