Çekia: Votimi i Traktatit s’zgjeron BE
ADI SHKEMBI
Votimi i Traktatit të Lisbonës nga Irlanda nuk do të thotë zgjerim i Bashkimit Evropian. Një ditë pasi klasa politike në Tiranë u shfaq optimiste për miratimin e dokumentit nga vendi që e kishte rrëzuar njëherë, një tjetër anëtar i BE-së, Çekia, paralajmëron vështirësi në proces e zgjerimit. Presidenti i republikës Çeke, Vaçslav Klaus, i ftuar nga homologu i tij, Bamir Topi, konfirmoi skepticizmin në këtë drejtim. I pyetur se kur do ta firmosë Traktatin, ai tha se “nuk kam ardhur këtu për të diskutuar ratifikimin e Traktatit të Lisbonës brenda në Republikën e Çekisë dhe nuk kam ndonjë mesazh të veçantë për ju. Përsa i përket momentit është e pamundur që të ratifikohet ky Traktat, se kjo do të diskutohet dhe do të debatohet si në Gjykatën Kushtetuese të Republikës çeke ashtu dhe në institucionet përkatëse të saj. Kështu që edhe sikur do të doja të nënshkruaja Traktatin, unë nuk mund ta nënshkruaj atë”. “Kam vetëm një koment për fjalinë tuaj të dytë. Analiza juaj është e gabuar. Këtu kemi të bëjmë me një keqkuptim nga ana juaj, me një keqkuptim tragjik mund të them, sepse nënshkrimi i Traktatit të Lisbonës nuk është e thënë që do të zgjerojë Bashkimin Evropian”, theksoi Klaus. Çekia dhe Polonia, të njohura për nivelin e lartë të skepticizmit ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian, janë dy vendet e fundit që nuk e kanë firmosur ende Traktatin e Lisbonës. Por në një kohë kur pritet firma e presidentit polak, Praga duket se do të jetë e fundit për shkak të interpretimit që duhet të vijë nga Gjykata Kushtetuese. Presidenti Klaus konfirmoi në përfundim të takimit me Topin, se Çekia do të mbështesë të ardhmen evropiane të Shqipërisë. “Qysh nga prilli i këtij viti ne jemi dhe partnerë në bashkësinë euroatlantike, në Aleancë. Ne shpresojmë dhe ju urojmë më të mirën, duke shprehur dhe dëshirën për ta mbështetur të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ajo që mund t’ju them është që sot në mëngjes ne patëm disa diskutime shumë miqësore dhe shumë serioze gjithashtu”, tha më tej Klaus. Nga ana e tij kreu i shtetit shqiptar tha se integrimi i vendit në BE është një proces i sigurt. “Unë jam i bindur që nuk do të ketë asnjë lloj pengese nga askush për të pasur kurajon të pengojë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky është një proces i sigurt, i cili do të finalizohet me sukses”, theksoi Topi. Presidenti Klaus u takua në mesditë edhe me kreun e Ekzekutivit, Berisha. Sipas njoftimit të qeverisë, kryeministri e njohu presidentin çek me zhvillimet në Shqipëri, me luftën e pandërprerë kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe me ecurinë e reformave në fusha të ndryshme, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në potencialet e mëdha që ka vendi ynë në turizëm, energji, miniera. Ndërsa në takimin me kryeparlamentaren Topalli, kreu i shtetit çek tha se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në shumë fusha, duke vënë theksin tek ndryshimet në infrastrukturë dhe në reformat e rritjes ekonomike. “Duke i bërë një paraqitje të shkurtër të zhvillimeve politike në vend Kryetarja e Kuvendit theksoi se zgjedhjet e 28 Qershorit plotësuan standardet e OSBE-së, dhe u kryen në mënyrën më transparente, mundësuar nga një teknologji e nivelit të lartë elektronik. Ajo vijoi se për herë të parë, Shqipëria po qeveriset nga një koalicion i zgjeruar mes partive të djathta dhe atyre të majta, e angazhuar për të përshpejtuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Kuvendit. Presidenti çek i dhuroi Kryetares dhe librin e tij ”Planeti blu, nën vargoj të gjelbër”, që u promovua mbrëmë në Tiranë.