Prishtina fiton pikët nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar
Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën ka përshëndetur Prishtinën për arritjet gjatë muajve të fundit, duke e inkurajuar atë të vazhdojë në këtë mënyrë me zbatimin e “Planit Ahtisari” dhe të organizojë zgjedhje të drejta, të lira e demokratike. Përfaqësuesit e këtij grupi zhvilluan një takim dje në Prishtinë, ku mori pjesë edhe dhe ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Stjuart Xhons. Në takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e vendeve të BE-së të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe ata të EULEX-it. Përfaqësuesit e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën (GDNK) u shprehën pas takimit të kënaqur me përparimet që janë shënuar në Kosovë gjatë muajve të fundit. Sipas Express, pas takimit, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith tha se: “Vendet anëtare të Grupi Drejtues janë të impresionuara me përparimet që janë arritur në Kosovë. Po ashtu mund të jemi të kënaqur me faktin se vendet e anëtare të këtij Grupit do të përcjellin edhe zhvillimet për Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, tha Piter Feith. Ndërsa Presidenti Fatmir Sejdiu tha se është evidente se ende ka nevojë për disa hapa konkretë në veri të Kosovës. Edhe kryeministri Hashim Thaçi e ka vlerësuar pozitivisht takimin e djeshëm në nivelin e drejtorëve politikë. Grupi Drejtues Ndërkombëtar është formuar pas shpalljes së pavarësisë për të vlerësuar arritjet dhe sfidat në zbatimin e Pakos së Ahtisarit. Sfida e takimit të djeshëm ishte mosintegrimi i serbëve të veriut në institucionet e Kosovës, për çka GDNK u ka dhënë mbështetje institucioneve evropiane për të shtuar praninë në këtë pjesë të Kosovës.