E Diel, 1 Nëntor 2026

Një poet drejton “Onufri”-n

 

Një poet në drejtim të edicionit të XVI të “Onufrit”. Sipas zyrës së shtypit, pranë galerisë Kombëtare të Arteve, Këshilli Organizativ i Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Vizive “ONUFRI” vendosi që edicioni i XVI i kësaj ekspozite të hapet më datë 24 Dhjetor 2009 në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë dhe të qëndrojë hapur deri më datë 4 shkurt 2010. Drejtimin kuratorial të edicionit të XVI të “Onufri”-t, Këshilli Organizativ vendosi t’ia besojë, Z. Parid Teferiçi, poet dhe artist, njohës dhe ndjekës i vëmendshëm i zhvillimeve të Artit. Çmimi “Onufri” do të gjykohet nga një Juri Ndërkombëtare. Parid Teferiçi është poet dhe piktor. Ka studiuar për Informatikë në Tiranë dhe Ekonomi në Milano. Ka botuar tre libra me poezi, “Molla e detyrueshme” (1993), “Bërë me largësi” (1996) dhe “Meqenëse sytë” (2003), si dhe librat me përkthime “Kur fare lakuriq të biem” (poezi të zgjedhura nga Dylan Thomas, 1998) dhe “Mendje dimri” (poezi të zgjedhura nga Wallace Stevens, 2008). Ka sjellë gjithashtu në shqip autorë si Maria Luisa Spaziani, Edoardo Sanguinetti, Andrea Zanzotto, Luis Cernuda, Vicente Aleixandre, John Ashbery, Tom Sleigh etj. I pranishëm në disa antologji të letërsisë shqipe të botuara në USA, Gjermani, Francë dhe Greqi. Si piktor ka hapur katër ekspozita vetjake në Ferrara e Venezia të Italisë, si edhe ka qenë i pranishëm në disa ekspozita kolektive. Ka punuar për disa vite në Institutin e Kulturës “Casa Cini” në Ferrara, ku nën drejtimin e Franco Patruno-s ka kontribuar në organizimin dhe kurimin e aktivitetit të ngjeshur ekspozitiv të këtij Instituti. Bashkëpunon me revistat kulturore “Aleph” dhe “Poeteka”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›