Greqi, presidenti Papulias i jep Papandreut mandatin
Kreu i Socialistëve të PASOK-ut, Jorgo Papandreu ka marrë nga presidenti grek, Karolos Papulias mandatin për formimin e qeverisë së re. Socialistët, të cilët fituan në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kanë nisur bisedimet për formimin e kabinetit të ri, duke pasur të gjitha mundësitë për të qeverisur të vetëm, me shumicën absolute të marrë pas votimit të së dielës. Kushtetuta greke i jep Papandreut mundësinë të formojë qeverinë e tij në një afat prej tre ditësh. Ndërsa hynte në pallatin presidencial, Papandreu tha para gazetarëve se: “Nevojitet t’i bashkojmë forcat duke marrë parasysh ato që para nesh janë përgjegjësi të mëdha”. Presidenti Papulias i kërkoi Papandreut të përmbushë premtimet, lidhur me ndryshimet rrënjësore dhe reformimin e vendit. Pak para mbërritjes së Papandreut, ish- kryeministri grek, Kostas Karamanlis i dorëzoi presidentit Papulias dorëheqjen e tij. Ndërkohë përkrahësit e PASOK-ut, kanë festuar gjatë gjithë natës nëpër rrugët e Athinës, duke valëvitur flamujt e gjelbër që simbolizojnë socialistët dhe duke hedhur fishekzjarrë. Presidenti amerikan, Barak Obama e telefonoi Papandreun për t’i uruar fitoren, duke shprehur padurimin për të bashkëpunuar me udhëheqësin e ri grek. Obama uroi grekët për pjesëmarrjen në votim. Duke nisur që dje, pas marrjes së mandatit nga Presidenti Papulias, Papandreu ka nisur punën për formimin qeverisë së re, ku propozimet për shtyllat kyçe të saj si ekonominë, financat dhe ministrinë e jashtme pritet të deklarohen që sot. Papandreu, 57 vjeç, mund t’i shpallë edhe emërimet e tij të tjera të martën dhe pas kësaj, të mërkurën, pritet të bëhet një ceremoni zyrtare betimi. Papandreu po e merr pushtetin në një kohë krize të fortë ekonomike, e cila është edhe sfida kryesore e tij, duke mos lënë mënjanë as situatën e sigurisë në vend, të tensionuar që prej dhjetorit të vitit të kaluar, kur nisën trazirat më të dhunshme të dekadave të fundit në Greqi pas vrasjes së një 15-vjeçari nga policia greke. Problematika sociale shtoi frymën e revoltës në të gjithë Greqinë, e cila ka vazhduar edhe javët e fundit të fushatës zgjedhore. Agjencia ndërkombëtare e normimit, “Standard & Poor’s” tha dje se shkalla e kreditit të Greqisë mund të përmirësohet nëse qeveria e re zbaton një strategji “të qartë, të besueshme dhe të qëndrueshme” për të trajtuar borxhet e vendit. Kjo agjenci parashikoi se fitorja e qartë e socialistëve mund t’i ndihmojë ata të zbusin ngarkesën e borxhit.