E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati: Qeveria dështoi në heqjen e vizave

 

Kandidati socialist për deputete në Tiranë, Ditmir Bushati akuzoi dje qeverinë se ka dështuar në premtimin që u dhanë shqiptarëve për heqjen e vizave në zonën Shengen. “Në 2005 qeveria e Sali Berishës u premtoi shqiptarëve se do të udhëtonin pa viza në hapësirën Shengen që në vitin 2006, por Raporti i fundit i Komisionit Evropian na bën të qartë si drita e diellit se qeveria e tij ka dështuar në përmbushjen e standardeve”, tha Bushati. Përfaqësuesi i PS-së iu referua dhe raportit të fundit të Komisionit Evropian ku sipas tij, konfirmohet se “qeveria e shqiptare ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me pajisjen e qytetarëve shqiptarë me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me migracionin e paligjshëm, ripranimin dhe menaxhimin e integruar të kufijve”.
Bushati akuzoi qeverinë se “mban përgjegjësi direkt për klimën konfliktuale e paditë penale nga eksponentë të maxhorancës ndaj Prokurorisë së Përgjithshme në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, duke penalizuar kështu shqiptarët nga përfitimi i një regjimi pa viza, siç pritet të ndodhë me qytetarët maqedonas, serbë e malazezë”. Sipas tij, do të jetë qeveria socialiste që do të dalë pas 28 qershorit, e cila do të jetësojë ëndrrën evropiane të shqiptarëve për të lëvizur pa viza në hapësirën “Schengen” brenda vitit 2010, duke përmbushur me rigorozitet te gjitha standardet. “Lëvizja e lirë brenda hapësirës “Schengen” do t’i krijojë mundësi të jashtëzakonshme studentëve dhe kërkuesve shqiptare për të përfituar nga programet e shkëmbimit me universitetet evropiane, do t’i krijojë mundësi sipërmarrësve shqiptarë të eksplorojnë tregun rajonal dhe atë evropian, duke konkurruar denjësisht me shërbimet e tyre”, tha Bushati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›